MENU
klinika

"Çdo gjë hyjnore është mizore"

Çezare Paveze – adoleshent i përjetshëm

01.07.2021 - 16:33

        Shkrimtar, poet, përkthyes dhe eseist, i cili jetoi në Torino në gjysmën e parë të shekullit XX, ishte një figurë tejet e veçantë në panoramën letrare italiane: vetëvrasja, më 27 gusht 1950, në moshën 41-vjeçare, bëri bujë deri në atë pikë sa shumica e kritikëve e përqendruan vëmendjen kryesisht tek ngjarja (dhe për këtë arsye, në biografinë e tij), sesa në krijimtarinë e tij. /Konica.al/Jo pa të drejtë, Kalvino shkruan: “Flitet shumë për një Paveze në dritën e gjestit të tij ekstrem dhe shumë pak, në dritën e betejës vetëshkatërruese, fituar dita-ditës me veten”.

Pra, fare mirë mund të shtojmë se kjo është një betejë kundër vdekjes (dhe falë vdekjes),  që duket se e përgjon nga të gjitha anët, asgjë tjetër veç shëmbëlltyra e fshehur e mitit. Në të vërtetë, vdekja rezulton të jetë fytyra e fshehur e mitit, veçanërisht në librin “Dialogë me Leucon”, që përfaqëson shembullin e përsosur të mënyrës së Pavezes për të kuptuar dhe për t’u lidhur me mitin. Vepra merr një rëndësi të veçantë, sidomos nëse kemi parasysh faktin, se kur bëri vetëvrasje, Paveze i shkruajti fjalët e lamtumirës pikërisht në faqen e kopertinës të këtij libri, që ndodhej në komodinën pranë shtratit. Larg dëshirës së vlerësimit të ngjarjeve aktuale, Paveze ishte përpjekur, duke shkruar “Dialogë me Leucon” të kuptonte logjikën e ngjarjeve jo vetëm duke i përshtatur ato në kohën e tyre, por duke gërmuar në rrënjët e historisë dhe përtej, në botën primitive dhe primordiale. Pavese luan për të shmangur, zbulon subjekte, ekzagjeron enigmat – i vetëdijshëm se enigma është kuintesenca e konkurrencës verbale greke, duke pasqyruar orakullin./Konica.al

“Miti grek mëson se dikush lufton gjithmonë kundër një pjese të vetvetes, asaj që është kapërcyer, Zeusi kundër Tifonit, Apolloni kundër Pitonit. Anasjelltas, ajo kundër të cilës njeriu lufton është gjithmonë një pjesë e vetvetes, një vetvete e lashtë. Mbi të gjitha, ne luftojmë që të mos jemi diçka, të çlirohemi. Kush nuk ka shpagime të mëdha, nuk lufton”.

Te Paveze, greqishtja ka një karakteristikë themelore jo vetëm nga pikëpamja letrare, por edhe nga pikëpamja ekzistenciale dhe metaforike. Në tekstet e tij, ai shpesh përballet me mitet dhe ritet e “Magna Grecia”, duke i kaluar ato falë edhe një vizioni antropologjik. Sipas mënyrës klasike, ai gjeti lidhjen midis Greqisë dhe Magna Graecia në mitin e Leucos, në formën e dialogëve midis perëndive, personazheve greke dhe miteve. Leuco është sinonim i qartësisë, i bardhësisë, transparent. “Deti i Greqisë ka erën e mitit. Mitet kanë fjalët e simboleve të shenjave të vështrimit të thellë të perëndive”, – shprehet ai.

Paveze rrëfen gjuhën e kujtesës, duke përdorur mite, ai gdhendi rrënjët që gjurmoi duke tërhequr imagjinatën homerike. Pavezes nuk i intereson të karakterizojë personazhe, të cilët shfaqen si vizione të zbehta, piratë të admirueshëm, rezultat i zbulimeve të menjëhershme dhe frikëndjellëse. Përkundrazi, Paveze duket se shkruan një manual neopagan, kod që evokon kohën, kur perënditë endeshin nëpër fusha, takonin njerëz, sulmonin etj. Dialogët me Leucon nuk janë dialogë , por më shumë një liturgji, mënyra për të hyrë në atë botën e humbur, për ta rindezur atë. Poet, shkrimtar, esesist, Çezare Paveze ishte njëherazi kritik dhe organizator i palodhur kulturor./Konica.al

Gjatë epokës fashiste, përmes përkthimeve dhe artikujve të shumtë, theksonte rëndësinë e përballjes së Evropës së vjetër me një kulturë të re dhe jetësore si kultura amerikane.

Në artikujt e tij, ai përpiqet të përcaktojë rolin e shkrimtarit në një shoqëri demokratike, duke kujtuar se shkrimtari shkruan për gjithsecilin, pavarësisht klasës ku bën pjesë, mbi të gjitha nuk mund të heqë dorë nga frymëzimi, pasi asnjë ideologji nuk mund ta urdhërojë. Ky konceptim bujar, por kërkues i kulturës është ende i rëndësishëm sot. Reflektimi i tij, i marrë nga shumë burime, mbi atë që e bën zërin e një shkrimtari të madh, është në të njëjtën kohë unik, i paimitueshëm dhe magjepsës. Filozof i zymtë dhe adoleshent i përjetshëm, Çezare Paveze ka lënë trashëgimi poezi të shumta që festojnë dashurinë për verën dhe kodrat e Italisë. I vetmuar dhe i fiksuar pas dëshirës për të prekur pafundësinë e botës, Paveze la një vepër të pasur, të dhimbshme dhe poetike me një bukuri të jashtëzakonshme. “Dialogë me Leucon” është shembulli domethënës i mënyrës së Pavezes për të kuptuar dhe për t’u lidhur mitin. Dialogët përfaqësojnë propozimin e autorit të një mitologjie bazuar te njeriu, e vetmja qenie, që, duke ruajtur në vetvete forcën fillestare të embrionit mitik, është e aftë të luftojë për të fituar kufijtë e lirisë përtej vargonjve ndrydhës të fatit. Si për të krijuar një antidot ndaj shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, Paveze arrin të çlirojë mitet e tij personale, duke i vendosur ato në mitologji (greke), apo në krijimin e një alegorie të aftësisë së brendshme të njeriut për të realizuar lirinë përmes kujtesës, njohurive dhe fjalës. Si rrjedhojë, forma dialoguese bëhet shprehja formale e filozofisë që qëndron në themel të përmbajtjes së Leucos, çfarë promovon forcën shpenguese të ligjërimit nga njeriu te njeriu./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kush ishte poeti i magjepsur?

“Avokati i sekreteve të botës tjetër”

Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”