Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Takimi zhvillohet në nivel të negociatorëve, por, siç është shprehur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, “asgjë në dialog nuk është teknike dhe gjithçka është thellësisht politike”.
Para takimit të përbashkët, dy delegacionet janë takuar ndaras me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Të martën, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pasur pothuajse gjatë gjithë ditës bisedime me ekipin e Lajçakut, ndërsa ngjashëm me takime e ka nisur sot ditën edhe delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në këto takime mësohet se palët raportojnë për pikpamjet e tyre lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, si dhe për temat që duan të diskutohen në vazhdim të dialogut.
Bisedimet e sotme mes delegacioneve negociuese janë të parat në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.
Një takim tjetër midis Kurtit dhe Vuçiqit pritet të zhvillohet para datës 25 korrik, por kjo nuk është saktësuar ende.
Lajçak ka paralajmëruar se në takimin e sotëm do të flitet për përgatitjet e takimit të ardhshëm Kurti-Vuçiq.
Delegacioni i Serbisë ka paralajmëruar se në tryezë të bisedimeve do ta paraqesë çështjen e moszbatimit të marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Për këtë, Serbia ka edhe mbështetjen e BE-së, e cila pret nga Kosova të dalë me propozim se si do ta zbatojë këtë marrëveshje.
Kurti ka thënë më herët se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik.