MENU
klinika

Si i shpëtoi prangave pas arrestimit?

Dëshmitë e skafistëve të penduar

05.07.2021 - 11:24

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, prokurori i Vlorës, Maksim Sota, kishte dijeni që Ilirjan Duçellari (Zaimi) ishte i përfshirë në trafik droge dhe pavarësisht kësaj ai ka qëndruar në këtë banesë.

Nga ana tjetër, bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë, Mariglen Shusha ka deklaruar momente takimi mes drejtuesit të grupit kriminal Ilirjan Duçellari, që i thërrisnin “Lani” dhe prokurorit Maksim Sota, për probleme të ndryshme që kishin të bënin me drejtësinë dhe institucionet shtetërore, për të cilat ka dhënë zgjidhje prokurori Sota. “Nga deklarimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Mariglen Shusha, ai ka deklaruar rrethana takimi dhe bisedimi mes drejtuesit të grupit kriminal, Ilirjan (Zaimi) Duçellari (Lani) dhe prokurorit Maksim Sota, për probleme të ndryshme që kishte me drejtësinë dhe institucionet shtetërore, duke detajuar raste konkrete, për të cilat prokurori Maskim Sota ishte angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha, ka deklaruar faktin se shtetasi Ilrjan Duçellari u kishte siguruar një banesë me qira, të cilën e paguante ai dhe aty kishin qëndruar bashkë me prokurorin Maksim Sota dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Mariglen Shusha, ndërkohë që më parë në atë banesë kishte qëndruar edhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë Vlorë, Ilirjan Balla. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha, ka deklaruar se prokurori Sota ishte shok me ‘Lanin’ dhe se ishte në dijeni se bashkëshortja e tij qëndronte me fëmijën e sëmurë në Romë, të cilët i kanë ndihmuar shtetasit Orhan Duçellari dhe Ilirjan Ducellari”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

POLICIA E KAVAJËS DHE E DURRËSIT

Fiqiret Seferi, një ndër personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar “Shpirti”, ka treguar se si e ndihmoi Policia që të lirohej menjëherë pasi e kishin arrestuar. Seferi rezulton të ketë trafikuar drogën në Itali dhe kur është kthyer është arrestuar në Portin e Durrësit, por me ndërhyrjen e djalit, i cili i ka dhënë 6 mijë euro shefit të Antikrimit të Kavajës është liruar. Sipas deklarimeve të tyre, Fiqiri Seferi dhe Ferhat Ajdini, gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike, mbështeteshin edhe nga punonjës të Policisë së Durrësit. Në veçanti, Seferi ka deklaruar se pas trafikimit të sasisë së lëndës narkotike të ngarkesës së parë, ai më pas ishte kthyer në Shqipëri, duke u nisur me traget nga Bari.

Pasi kishte arritur në Portin e Durrësit, ishte shoqëruar nga Policia shqiptare për faktin se rezultonte se kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Itali. Pasi e kishte marrë në pyetje për këtë fakt, në darkë e kishte lënë të lirë, duke i thënë që të paraqitej të nesërmen në Komisariatin e Policisë Kavajë. Ai është marrë në pyetje nga oficeri i policisë Artur Krasniqi, i cili kishte dijeni për aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve të shtetasit Fiqiret Seferi, por e ka lënë të lirë. “Pasi arrita në Shqipëri më ndaloi Policia, sepse kisha detyrimin e firmës e nuk mund të dilja nga shteti pa leje. Ndenja gjithë ditën në zonën e Portit të Durrësit, në zonën e Policisë, e në pasdite më lanë të lirë me detyrimin që të nesërmen të paraqitesha në Komisariatin e Kavajës.

Shkova mëngjesin e ditës pas në komisariat, ku më informuan se nga Porti i Durrësit më kishte nxjerrë Sajmir Kurti, ma tha kreu i Antikrimit të Luzit të Vogël, lagjja në të cilën unë banoj, që quhet Artur Krasniqi. Më pyeti pse kisha dalë nga Shqipëria pa leje. Policia e Kavajës ishte në dijeni për udhëtimin me drogë të bërë nga unë në Itali, bashkë me Ajdinin. Më lanë të lirë sepse djali im, Hamidi, pagoi 6 mijë euro para në dorë dhe ia dorëzoi personalisht shefit të Antikrimit të Kavajës, që nëse nuk gaboj quhet Mandi, për të më lëshuar nga Komisariati i Kavajës, sepse unë duhet të isha arrestuar për atë që kisha bërë. Unë nuk e kam njohur Mandin asnjëherë, djali im e ka njohur dhe më ka referuar gjithçka që ka ndodhur. Kreu i Policisë ishte nën këmbët e Sajmir Kurtit, Artur Krasniqi ishte nën këmbët e Mandit e polici që më ka marrë në pyetje ishte shefi i Antikrimit i Luzit të Vogël, ai nuk ka marrë lekë nga mua, jemi bërë shokë e më pas më ka kërkuar të kultivonim ‘bar’ bashkë, që nuk e kemi bërë. Kur më mori në pyetje ishte i veshur civil”.

POLICIA E VLORËS

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme sqarohet edhe mënyra se si Policia e Vlorës ka ndihmuar në kalimin e drogës nga Shqipëria në Itali. “Ilirjan Duçellari, i cili njihej si ‘Lani’, në ushtrimin e trafikimit të lëndëve narkotike kishte edhe mbështetjen e zëvendësdrejtorit të Policisë Vendore të Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe të oficerit të Policisë së Drejtorisë së kufirit dhe të Migracionit, Festim Lelaj. Në këto rrethana ‘Lani’ arrinte që të garantonte një kalim të qetë të lëndës narkotike nga fugoni, në të cilin transportohej droga në rrugë tokësore nga vendi ku mbahej e fshehur për t’u ngarkuar në mjetin lundrues gomone dhe transportimin e saj nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë, me sigurinë që Policia nuk do të tentonte ta bllokonte. Në dosje thuhet se të gjitha veprimet që lidheshin me transportimin e drogës, me ngarkimin e saj në mjetin lundrues dhe trafikimin e saj, kryheshin në praninë e punonjësve të Policisë që Ilirjan Balla dhe Festim Lelaj.

Po ashtu, sqarohet se falë këtyre lidhjeve Ilirjan Duçellari (Lani) bënte të mundur fikjen për një orë të radarit që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare, duke realizuar nisjen e mjetit lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike në drejtim të Italisë dhe kthimin e tij bosh. “Nga toka, ‘Lani’ kishte persona të ndryshëm, por sidoqoftë kishte armik drejtorin, ndërsa sa i përket detit kishte, drejtorin e Kufirit ishte impenjuar një person me emrin Festim që unë e di se punon me Policinë. Ky ka ardhur disa herë ka folur për të garantuar pjesën e detit dhe ka ardhur bashkë me një person tjetër edhe ai punonte në Polici, ishin moshatar, më dukej se quhej Gjergji, nëse nuk gaboj, e se ky ‘Lani’ a Festimi do t’i jepte 15000 euro për të siguruar pjesën e detit e lekët i kam parë”, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje një bashkëpunëtor i drejtësisë.

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë

Turistët zgjedhin Vlorën për të pushuar

“Klima dhe çmimet e lira”, plazh edhe në nëntor

Plan për zgjerimin e tokës ku do ndërtohet

“Etje” për apartamente në Vlorë