“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Flokët me zbokth, si t’i trajtojmë?
Mjeku: Zbokthi shkaktohet nga një parazit tepër i zakonshëm në lëkurën e kokës që është një kërpudhë e quajtur Pityrisporum ovale. Pjesa më e madhe e të rriturve e kanë këtë kërpudhë në lëkurë. Kur ajo ndodhet në sasi tepër të mëdha, lëkura kundërvepron duke krijuar zbokth në tabanin e flokëve.
Lëkura e tabanit të flokëve, si edhe lëkura e trupit ripërtërihet gjatë shkëputjes së qelizave të jashtme në leskra të vogla, të bardha e të thata që shpesh janë edhe të padukshme. Kur këto leskra bëhen të dukshme, atëherë kemi të bëjmë me zbokth.
Këshilla:
1. Përdorni shampon e duhur, posaçërisht për flokët me zbokth. Këshillohet larja e flokëve me shampo bimore sa herë që të shihet e nevojshme. Nëse keni zbokth të thatë, përdorni shampo hidratuese apo qumësht cikatrizant. Gjithashtu, këshillohet një banjë edhe me vajra për hidratimin në thellësi të flokëve. Nëse zbokthi juaj është i yndyrshëm, përdorni shampo me zink pyrithion i cili kufizon përhapjen e kërpudhës që shkakton zbokthin.
2. Kur zbokthi është në sasi mesatare duhet përdorur çdo dy ditë një shampo e veçantë që përmban lëndë që mbysin kërpudhat, ndërsa ur zbokthi është në sasi shqetësuese, është nevoja e përdorimit të një shampoje më të fortë apo këshillimi me dermatologun.
3. Mos e hidhni shampon drejtpërdrejt në lëkurën e flokëve, por përhapeni fillimisht në pëllëmbën e dorës përpara se të lash flokët. Kështu nuk acarohet lëkura e kokës.
4. Përpiquni të mos përdorni solucione që kanë alkool, pasi e than lëkurën.
5. Jepini rëndësi krehjes në flokë të thatë. Krëhëri duhet të mbështetet dhe të kruajë lehtë lëkurën e kokës, në mënyrë që të vihen në punë qelizat e fijes së flokut të kokës. Në këtë mënyrë u jepni mundësi qelizave të flokut të shumohen e të luftojnë thatësirën.
6. Përpiquni t’i shmangeni stresit dhe të flini gjumë të rregullt, pasi pagjumësia dhe stresi shtojnë zbokthin.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.