MENU
klinika

Atletja amerikane habiti të gjithë

“Kam djaj brenda kokës sime”, lë në mes Olimpiadën

28.07.2021 - 11:40

Historitë dhe episodet në Olimpiadën e Tokyos nuk kanë fund. Gjimnastja amerikane Simone Biles, ikona e këtij sporti, kampione e padiskutueshme në 10-vjeçarin e fundit, vendosi të tërhiqet nga Lojërat Olimpike.

Ajo nuk garoi në provën me skuadra, duke mos dhënë ndihmesën e saj në kombëtaren amerikane, që në fund u rendit e dyta (medalja e arit u fitua nga Rusia). Edhe pse Biles e nisi garën, duke marrë pjesë në provën e parë, më pas u tërhoq.

“Duhet të përqendrohem të gjendja ime mendore, duke mos vënë në rrezik shëndetin mendor dhe mirëqënien time si njeri”, tha Biles, 4 medalje ari në “Rio 2016”.

Ndërsa Komiteti Olimpik Amerikan e justifikoi tërheqjen për një problem mjekësor. Më tej, Biles, 24 vjeçe, tha: “Nuk kam më besim në veten time si dikur. Ndoshta është çështje moshe. Jam më nervoze kur garoj dhe nuk argëtohem më si dikur.

Kur shkoj të garoj jam vetëm unë dhe mendja ime. Dhe, brenda mendjes timej, janë djajtë me të cilët duhet të përballem”. Pas tërheqjes, Biles qëndroi në stol për të inkurajuar skuadrën.