MENU
klinika

Vendime

Kërkoi lirimin, Gjykata Speciale e Hagës lë në burg Hashim Thaçin

24.07.2021 - 09:48

Gjykata Speciale e Hagës ka refuzuar kërkesën e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçin për t’u liruar nga qelia.

Thaçi ka kërkuar që ai të paraqesë mbrojtjen në liri. Gjykata vendosi datën 31 gusht që ai të paraqesë parashtrimet për kërkesën e lirimit nga paraburgimi.

Paraprakisht, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka dërguar në Gjykatë parashtresat e tij për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit.

Në këto parashtresa, Keohe përveç kundër-argumentimit të fakteve të prezantuara nga Prokuroria, jep detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Që nga nëntori i vitit 2020 ish-luftëtarët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.