Elseid Hysaj është në qendër të polemikave ditët e fundit dhe sigurisht në Romë. Shkodrani, kur u prezantua tek ekipi i ri, vendosi të këndojë këngën “Bella Ciao”, një kolonë zanore kushtuar lëvizjes partizane në mbarë botën dhe e sjellë në vëmendje nga seriali “La Casa de Papel”.
Tifozët dhe ultrasit lacialë, që kryesisht kanë pikëpamje fashiste apo anti-partizane, nisën menjëherë një fushatë intensive kundër Hysajt, me ofendime e ironi. Pas gjithë këtyre lajmeve dhe episodeve, ka reaguar Lazio, që i del në mbrojtje Hysajt për mes një deklarate zyrtare.
“Është detyra e klubit të mbrojë lojtarët dhe t’i lirojë ata nga shfrytëzimi personal dhe politik, që sigurisht në këtë rast nuk kanë asnjë lidhje me kontekstin joformal dhe miqësor (ku ndodhi episodi me Hysajn).
Grumbullimi i ekipit duhet të vazhdojë me angazhim maksimal sportiv dhe në atmosferën e qetë, që ka vazhduar deri më tani”, – shkruan Lazio. Ndërkohë, vetë Hysaj fshiu video nga rrjetet sociale të veta.