MENU
klinika

Shtypi i Monarkisë së Zogut, viti 1936

Kontrabanda e duhanit në Elbasan, nga Shoqëria SAIDE

07.07.2021 - 13:10

        Historia e panjohur mbi polemikat në periudhën e Monarkisë së Zogut, në gazetën ‘ARBNIA” (qershor- korrik 1936), lidhur me kontrabandën e duhanit që zhvillohej në rrethin e Elbasanit, ku Bashkia akuzonte ish-drejtuesin e Shoqërisë aksionare, ‘SAIDE’, që merrej me përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Abdyl Kooli, si një nga organizatorët kryesorë të asaj kontrabande, kurse ai akuzonte drejtuesit aktual që ishin në krye të asaj shoqërie, Mehmet Pajuni, bashkë me zv/drejtorin, Rruzhdi Luniku dhe sindikalistin, Beqir Rusi, si autorët e vërtetë të asaj kontrabande dhe nxitësit e shkrimit në gazetën ‘ARBNIA’. Artikulli i plotë i Abdyl Koolit në shtypin e Monarkisë së Zogut, ku ai jep me detaje sesi zhvillohej kontrabanda e duhanit në qytetin e Elbasanit, nga ana e drejtuesve kryesorë të Shoqërisë ‘SAIDE’, të cilët u kapën në flagrancë nga ana e Drejtorit të Financës së Bashkisë duke nxjerr duhanin nga depo, si dhe përgjigja e tij lidhur me akuzën që i bëhej për abuzime me arkën e shtetit në dhjetorin e vitit 1924, kur ai ishte ushtarak me detyrën e zv/komandant të Batalionit të I-rë, dhe u arratis në Itali pas kthimit të Zogut në pushtet!

Nga: Dashnor Kaloçi

Artikulli i gazetës ‘ARBNIA’ në korrikun e vitit 1936 me autor ish-drejtuesin e Shoqërisë ‘SAIDE’, Abdyl Kooli, për kontrabandën e duhanit

Në të ndershmen gazetë “Arbnia” me datë 13 të këtij muaji, u botua një artikull i dhënë prej shoqërisë “SAIDE” si përgjigje ndaj atij që kishim botuar neve po në këtë gazetë me datë 8 të këtij muaji, mbi zbulimin e një kontrabande të zhvilluar prej asaj shoqërie. Kryetari i Shoqërisë zoti Mehmet Pajuni, bashkë me zv/drejtorin, zotin Rruzhdi Lunikun, dhe sindikalistin, zotin Beqir Rusin, të cilët janë dhe botuesit e atij artikulli, duke folur dhe duke u fshehur nën emrin e shoqërisë që përfaqëson të gjithë aksionerët, ndër të cilët jam edhe unë bashkë me të gjithë shokët e mijë që përbëjmë shumicën dhe që akuzohemi prej tyre, mundohen që të fshehin kontrabandën e zbuluar prej vetë Drejtorit të Financave, për të cilën me vendim të Këshillit Financiar kompetent, shoqëria në fjalë u gjobit me 1000 franga ari. Zotëritë në fjalë kërkojnë që ta justifikojnë zhvillimin e kësaj kontrabande, si një veprim të rregullt, kurse në të vërtetë faktet provuan të kundërtën e asaj çka ata pretendojnë, gjë e cila u saktësua nga procedimi i zyrtarëve, që solli edhe gjobitjen e shoqërisë.

Gjithashtu zotërinjtë në fjalë kërkojnë që të shfajësohen duke na e atribuuar neve zbulimin e kësaj kontrabande, gjë e cila sipas tyre është bërë nën formën e një komploti të parapërgatitur prej nesh. Dhe si rezultat i këtyre hamendjeve ata na sulmojnë duke shfryrë mllefin e akumuluar ndaj nesh me fjalë dhe shpifje që vetëm ata me Beqir Rusin mbi krye, dinë dhe kanë për zakon që t’i trillojnë. Për përdorimin e këtyre fjalëve dhe shpifjeve që na bëjnë në emër të shoqërisë, duke keqpërdorur besimin dhe emrin e të gjithë aksionerve që përbëjnë shoqërinë dhe që nuk janë në një mëndim me ta, zotërinjtë e lartpërmendur, kanë për të marrë përgjigjen vetëm me anë të gjyqit, dhe për sa i përket sqarimit të opinionit publik dhe sidomos të aksionerve, po i përgjigjemi si më poshtë vijon:

“Si u kap në flagrancë kontrabanda”?

“Pretendimi i bërë nga ana e tyre te duhani i zënë kontrabandë, se ai u nxor prej depos për tu shkëmbyer me atë të haramit, as është dhe as duhet të jetë i vërtetë’ sepse sikur jemi të informuar, Drejtori i Financës që ndodhej diku i fshehur duke përgjuar në drejtim të fabrikës së duhanit, pasi pa lëvizjet dhe mënyrën se si po nxirrej duhani prej depos, domethënë rojet e vëna në krye të rrugës dhe në qoshe të depos, mungesën e një nën punësi të Financës që duhet të asistonte në nxjerrjen e duhanit, shpejtësinë e punëtorëve dhe gjestet e zv/ drejtorit, zotit Rruzhdi Lunikut, u bind plotësisht se aty po zhvillohej kontrabandë. Nisur nga këto rrethana, ai u doli ball për balle së bashku me një ushtarak të xhandarmërisë, duke i zënë ata në flagrancë. Sikur të ishte ashtu si duan të thonë ata, se ky duhan po nxirrej prej depos për t’u shkëmbyer, atëherë sasia e duhanit e nevojitur për shkëmbim duhej që të ishte nxjerrë më përpara prej harmanit dhe të futej në depo, dhe vetëm pas këtij veprimi duhani duhej të nxirrej nga depoja dhe të futesh në harman.

Por edhe në këtë rast duhej të ishte e domosdoshme prezenca e një nën punësi të Financës, në mënyrë që të sigurohej se me të vërtetë duhani do të futej në depo, dhe po e njëjta sasi do të nxirresh prej saj. Kjo lloj kontrabande, sipas hetimeve që kemi bërë, të cilat jemi gati t’ua provojmë në momentin e duhur për interes të Arkës së Shtetit dhe për ruajtjen e arkivit të shoqërisë, e cila ka filluar që më 16 maj 1936, domethënë pak ditë pasi muarrëm administrimin e Shoqërisë zhvilluesit e saj, dhe jo në kohën kur isha unë drejtor i Shoqërisë, sikur u intereson atyre të thonë. Interesimi ynë për ndjekjen e kësaj kontrabande, nuk rrjedh për asnjë arsye tjetër, veçse për interesin e Shoqërisë, në të cilën jam pjesëtar dhe i interesuar direkt; dhe nisur nga këto, dëshiroj që Shoqëria të mos dëmtohet materialisht e moralisht, sepse kjo më takon edhe mua, kurse përgjegjësinë e asaj kontrabande duhet ta vuajnë ata që e kanë bërë.

Me zbulimin e kësaj kontrabande, ata që thonë se e kemi kurdisur ne me qëllim të veçantë, sepse sipas tyre jemi kundërshtarë, pikërisht arsyetohet një nga shkaqet për të cilat neve së bashku me shumicën e aksionerve, i kundërshtojmë për të qenë ata dirigjuesit e Shoqërisë, sepse realisht veprojnë në këtë mënyrë. Kur themi se shumica e aksionerve janë kundërshtarë të tyre, këtë gjë e bazojmë sipas realitetit, dhe i ftojmë administratorët e Shoqërisë që të provojnë të kundërtën me anë të një mbledhje të jashtëzakonshme që mund të bëjnë, gjë të cilën neve e kemi kërkuar, por ata arbitrarisht na e kanë refuzuar. Ose kjo të bëhet me anë të një deklarate me anën e shtypit, prej shumicës së aksionerve që pretendojnë ata se i favorizon, ose në të kundërt duke publikuar po me anën e shtypit proces-verbalin e mbajtur prej Noterit Publik, z, F. Ekmekçiut, në mbledhjen e jashtëzakonshme të datës 7 maj 1936, në bazë të së cilës kanë ardhur ata në fuqi.

“Interesimi për zbulimin e kontrabandës”

Interesimi ynë për zbulimin e kësaj kontrabande, rrjedh edhe nga shkaku se ne nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë dhe as e shkojmë nëpër mënd që të fitojmë me mënyra të padrejta dh sidomos në kurriz të Arkës së Shtetit, sikur fitimi i rrjedhur prej kësaj kontrabande të shkoj në dobi të Shoqërisë, punë kjo që nuk bëhet. N”është se administratorët e sotëm të Shoqërisë e quajnë veprimin e tyre të rregullt, atëherë le të bëjnë sikur bëjmë ne dhe kushdo tjetër në një mbledhje të jashtëzakonshme, për tu ekspozuar aksionerve veprimet e tyre me rastin e këtij skandali dhe të kërkojnë votëbesimin për kohën që u ka mbetur, që kështu ata të përfitonin nga rasti edhe për tu legalizuar, pasi gjer më sot ata qëndrojnë arbitrarisht dhe në mënyrë të paligjshme në fuqi.

Ky është qëllimi dhe shkaqet që ne jemi ndarë në dy grupe, dhe rrjedhimisht grupi ynë nuk ka tjetër qëllim veçse mbarëvajtjen e Shoqërisë, sipas asaj çka është shkruar në statut, si Shoqëri tregtaro-industrialo; kurse ata të grupit tjetër, për qëllimet e tyre personale, i kanë dhënë Shoqërisë një ngjyrë militanteske politike dhe me veprimet që janë duke bërë në këtë mënyrë dhe mbi këtë bazë, po shkaktojnë prishjen e Shoqërisë dhe rrezikimin e kapitalit shoqnor në dëm të atyre që e zotërojnë dhe të ekonomisë kombëtare. Fakt ky, për shkak të së cilit, shumë aksionerë janë duke u vënë në pozita shumë të këqija prej tyre, për shkak të veprimeve të kundërligjshmesh që ata përdorin, dhe si rezultat duke e parë kapitalin e tyre në rrezik, janë të shtrënguar që t’i shesin aksionet e tyre grupit tonë, veprojnë krejt në kundërshtim me atë tjetrin, duke mos marrur parasysh inate dhe mërira, pasione dhe interesa që rrjedhin prej militantëve politik, edhe pse ky përbëhet prej personash që janë krejt në kundërshtim në mendime.

Domethënë prej dy palë partish politike, por dinë dhe do t’i dallojnë punët, në mënyrë që kur të jetë puna për zgjedhjet politike, qëndrojnë të patundur në mendimet e parimet e tyre, dhe kur është puna për tregti dhe industri, veprojnë së bashku duke mënjanuar, pavarësisht nga ndasitë politike dhe partiake. Kurse nga të grupit tjetër, një palë nga faktorët e tyre që janë mësallë me dy faqe, si për shembull, zotin Nehmet Pajuni, Ibrahim Miraku dhe Beqir Rusi etj., hyjnë në çdo rrymë, pa ndonjë parim e princip, vese si t’ju bjer dita dhe si t’jua kërkoj interesi, duke ju përkulur sa njëri tjetrit. Sa për mua, unë kam provuar me fakte se kur ka qenë nevoja të veproj për interesin e Shoqërisë, gjatë gjithë kohës që kam qenë drejtor i saj, kam bashkëpunuar si me njërën ashtu dhe me palën tjetër, gjithnjë po për interesin e Shoqërisë, edhe i kam kundërshtuar dhe luftuar duke rrezikuar interesin tim personal që kisha si Drejtor i Shoqërisë, dhe kur pashë se tani së fundi Shoqëria ra në duar të paafta, dhashë dorëheqjen. Kurse në raste të zgjedhjeve politike, si për shembull ato të Bashkisë, i kam kundërshtuar dhe luftuar bashkëpunëtorët e mi të Shoqërisë, duke vepruar krah për krah me të ashtuquajturën parti të Daklit.

Nuk kuptoj fjalën e përdorur në përgjigjen e artikullit tim, se vendi im, me gjithë dëshirën që paskam për t’u riemëruar si Drejtor i Shoqërisë dhe as nuk marr vesh se si guxojnë dhe ku bashkohen këta bukuroshë që të flasin dhe të shkruajnë në këtë mënyrë! Cila forcë mund të jetë ajo që të ndalojë në mënyrë kategorike dhe absolute ushtrimin e një të drejte, të cilën si kushdo tjetër edhe unë mund ta fitoj gjer sa ajo varet nga vullneti dhe dëshira e lirë që kanë të drejtë të shfaqin aksionerët e Shoqërisë me anë të votës së tyre, në bazë të Statutit të Shoqërisë dhe ligjeve të shtetit, të garantuara prej gjenialitetit të Sovranit tonë August, Lartmadhërisë së Tij, Zog i Parë, Mbretit shumë të adhuruar.

Për sa i takon akuzave që bëhen në adresë tim, ku thuhet se unë jam ndarë me turp prej Shoqërisë, dhe i implikuar në abuzime dhe shpërdorime kolosale, gjë të cilat sipas tyre i paskam bërë në dëm të Shoqërisë kur isha Drejtor i saj, këto janë aq të vërteta sa është e vërtetë ajo që thonë se për këtë jemi duke u ndjekur në gjyq. Unë u largova nga shoqëria duke dhënë dorëheqjen, për shkak se nuk mund të bashkëpunoja dhe të merrja përgjegjësinë si Drejtor, me të vetëquajturin, këshillin e sotëm, që erdhi dhe qëndron në fuqi arbitrarisht, dhe kundra dëshirës së shumicës së aksionerve. Dhe sidomos me persona të tipit të Beqir Rusit, i cili gjithë për ato shkaqe që më sulmojnë mua, ishte shporrur dikur nga kryesia e Shoqërisë, me votat e aksionerve. Sa për turpin që më përmendin, këtë jua përplas në fytyrat e kryetarit, zotit Mehmet Pajuni e Sindikalistit, zotit Beqir Rusi, ashtu sikur u përplasën shuplakat e tyre në fytyrat e njëri tjetrit disa kohë më parë në Shelkut dhe që sot janë bërë miq e shokë të ngushtë.

“E vërteta e akuzave për vjedhjen e arkës së ushtrisë”

Dhe sa për akuzat që më bëhen rreth kohës së shërbimit tim në ushtri, sqaroj se edhe këto nuk i përgjigjen së vërtetës. E vërteta është se natën e panikut në 24 dhjetorin e vitit 1924, kur ndodhesha komandant i baterisë dhe zv/komandant i Batalionit të I-rë, duke pasur ndërgjegje për detyrën, e pashë të arsyeshme që të mos shkaktohej rrëmuja dhe humbja e parave të Arkës së Batalionit, i mora në ruajtje së bashku me intendentin, dhe si shumë të tjerë, edhe unë bëra gabimin që u arratisa dhe shkova në Brindizi, ku, me rastin që u ktheva në Shqipëri, kapitenit të asaj kohe, Ndoc Gjinaj, i dorëzova një shkesë me të cilën i deklarova marrjen e të hollave nga Arka e batalionit, me premtimin se kur të kthehesha në Shqipëri, kisha për t’i dorëzuar të gjitha me llogari.

Dhe me te vërtetë, pas disa kohësh nga kthimi im në atdhe, me një lutje që i drejtova Komandës së Përgjithshme të Mbrojtjes Kombëtare, kërkova formimin e një komisioni për dorëzimin e llogarive, në bazë të së cilës u thirra në Intendencën e Përgjithshme, ku i dorëzova llogaritë në bazë të të gjitha rregullave. Vetëm të hollat nuk i dorëzova se i kisha prishë në arrati për shkak të sigurimit të jetesës sime, mbasi ndërgjegja kombëtare dhe nderi ushtarak nuk më linte të zgjasja dorën tek të huajt. Sa për gjyqin që thuhet se ka vazhduar të bëhet kundrejt meje lidhur me këtë çështje, ajo ka qenë një padi me karakter civil dhe jo për abuzime, mbasi u bë vetëm për arkëtimin e të hollave, të cilat, me kohë, me anë të punës sime me djersën e ballit, i likuidova të gjitha. Këto vërtetohen me anë të nënkolonelit në pension, zotit Hasan Çaushi dhe major Ndoc Gjinajt e me procesin e gjyqit. Me kaq kujtojmë s e kemi kryer detyrën si aksioner i Shoqërisë; mbasi më gjatë, për sa i takon kontrabandës, është detyra e autoriteteve kompetente dhe për të tjerat e kanë fjalën aksionerët e mbledhjes së përgjithshme. (Abdyl Kooli).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit