MENU
klinika

Tingëllon çmenduri...

Ky aplikacion parashikon dhe zbulon gjendjen shpirtërore të maceve!

30.07.2021 - 12:32

“A është macja ime e lumtur?” – Kjo pyetje mund të duket e çuditshme për ata që nuk kanë mace, por për njerëzit që kanë patur, kanë ose duan të kenë një të tillë, pyetja nuk është dhe aq e pazakontë.

Sylvester.AI – një ndërmarrje e përbashkët mes dy kompanive të inteligjencës artificiale në Kanada, ka krijuar një aplikacion (prototip) të quajtur “Tably”, më parë i njohur me emrin “Happy or Not” (I lumtur ose jo). Në thelb, Tably përdor fotot e maceve për të përcaktuar nivelin e lumturisë së tyre, bazuar në shprehjet e fytyrës.

Aplikacioni u lançua pasi zhvilluesit në kompani zbuluan Feline Grimace Scale (FGS), një mjet i vërtetuar shkencërisht për vlerësimin e dhimbjes akute te macet, bazuar në ndryshimet në shprehjen e fytyrës, botuar në Scientific Reports and Nature në 2019-ën. Kjo i solli ekipit idenë për ta aplikuar ekspertizën e “machine learning” edhe për këtë.

Sfida më e madhe është te macet që nuk reagojnë me shprehi kur kanë dhimbje. Në raste të tjera, në varësi të syve, veshëve, mustaqeve apo pozicionit të kokës – mund të përcaktohet nëse një mace ka apo jo dhimbje.

Sipas krijuesve, saktësia është deri në 97%, kur imazhi i maces është i qartë, i plotë dhe me cilësi të lartë.

Pronarët e maceve do e përdorin zakonisht për të ditur se si ndihet një mace, pasi i është nënshtruar një opeacioni, ose për të kuptuar pse fshihet vazhdimisht nëpër shtëpi.

Aktualisht po punohet për një version përfundimtar të aplikacionit që do të shkarkohet në iOS dhe Android, por për momentin nuk dihet me saktësi se kur do të lançohet. Synimi i përgjithshëm është që e njëjta gjë të bëhet “me specie të shumta”, jo vetëm macet.

Burimi: Wired