MENU
klinika

Zaptuan bregdetin me çadra e shezlongë

Policia aksion në Seman, Darzezë dhe Divjakë

01.07.2021 - 10:19

Policia e Shtetit vijon aksionin e saj për pastrimin e hapësirave bregdetare në Seman, Darzezë dhe Divjakë, që janë zënë në mënyrë të paligjshme. Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, janë proceduar penalisht 13 administratorë subjektesh, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Ata akuzohen se kishin zaptuar në mënyrë të kundërligjshme bregdetin me shezlongë e çadra.

NJOFTIMI I POLICIS

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Fier dhe Divjakë, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të bashkisë Fier, gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në territorin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë, evidentuan 13 subjekte pa leje, 5 në Darzezë dhe 8 në Seman, ku janë hequr 799 shezlongë dhe 398 çadra.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u proceduan penalisht administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., S. B., T. Ç., A. V., K. S., D. S., V. P., I. B., Th. S., O. T., E. C., P. Z., L. T., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme. Operacioni do vijojë edhe në ditët në vazhdim.