MENU
klinika

Çfarë është Pegasus?

“Programi për spiunim” më i fuqishëm ndonjëherë

19.07.2021 - 10:57

Është emri i ndoshta “programit për spiunim” më të fuqishëm të zhvilluar ndonjëherë – sigurisht nga një kompani private. Sipas The Guardian, bëhet fjalë për programin i cili sapo të kalojë në telefonin tuaj, pa e vërejtur ju, mund ta shndërrojë atë në një pajisje mbikëqyrjeje 24-orëshe.

Kështu, ai mund të kopjojë mesazhet që dërgoni ose merrni, fotot tuaja dhe të regjistrojë thirrjet tuaja.

Ai gjithashtu mund të ju filmojë fshehurazi përmes kamerës së telefonit tuaj, ose të aktivizojë mikrofonin për të regjistruar bisedat tuaja. Por kjo nuk është e tëra. Ai potencialisht mund të përcaktojë se ku jeni, ku keni qenë dhe kë keni takuar.

Pegasus është programi – ose spyware – që zhvillohet, tregtohet dhe licencohet për qeveritë në të gjithë botën nga kompania izraelite NSO Group. Madje ai ka aftësinë të infektojë miliarda telefona që përdorin sisteme operative iOS ose Android.

Sipas mediave, versioni më i hershëm i Pegasus i zbuluar, u “kap” nga studiuesit në vitin 2016. Që atëherë, megjithatë, aftësitë e tij janë bërë më të përparuara. “Infektimi me Pegasus” thuhet se mund të arrihet përmes të ashtuquajturave sulme “zero-click”, të cilat nuk kërkojnë ndonjë ndërveprim nga pronari i telefonit në mënyrë që të ketë sukses.

Në vitin 2019 WhatsApp zbuloi se softueri i NSO ishte përdorur për të dërguar malware në më shumë se 1,400 telefona duke shfrytëzuar një dobësi. Thjesht duke vendosur një thirrje WhatsApp në një pajisje të synuar, “kodi me qëllim të keq Pegasus” mund të instalohet në telefon, edhe nëse objektivi nuk i përgjigjet kurrë thirrjes.

Ndërkohë, vë në pah The Guardian, kohët e fundit NSO ka filluar të shfrytëzojë dobësitë në softuerin iMessage të Apple, duke i dhënë asaj qasje në qindra miliona iPhone.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Taktikat e një firme izraelite

Qeveritë po spiunohen përmes Whatsapp-it