Shota e Radishevës, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e ndeja burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavin, Fazli Baranin, Emin Latin – Mehën, Shaban Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën e shumë trima tjerë. Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia për trimëritë e trimave tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, si edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe të tmerronte me zërin e kushtrimit:”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o hejjj”…
94 vjet më parë, më 1 korrik të vitit 1927 ndahet nga jeta Shote Galica (Qerime Radisheva).
Lindi në Drenicë, në një nga zonat më luftarake të krahinës së Kosovës, më 10 nëntor 1895. Zgjodhi luftën gjatë gjithë jetës së saj, duke qenë krahu i djathtë i bashkëshortit.
Luftoi përkrah të shoqit dhe e vazhdoi luftën edhe pas vdekjes së tij. E njohur për rezistencën me sukses ndaj autoriteteve ushtarake serbe, nga fillimi i viteve 20’, deri kur u tërhoq në Shqipëri. Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit.
Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit, luftoi heroikisht për 12 vjet më radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë. Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare.
Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, që shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë.
Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik të vitit 1924, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij.
Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Në luftime nga masakrat e shovenistëve serbë, humbi 22 anëtarë të familjes.
Shota në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili Zogun e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri demokratike në Ballkan – Qeverinë e Fan Nolit! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që kishte dëmtuar rëndë pas 12 vjet lufte Lëvizjen Kaçake të Kosovës së bashku me prijësin e saj, Azemin, kishte kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizje në Shqipëri ku Shotë Galica i kishte nën përkujdesje!…
E përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, ajo i shkroi një letër mbretërisë në fjalë: “ Unë jam Shote Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”…
E braktisur nga qeveria e Zogut dhe pa përkujdesje, duke qenë se para se të vdiste kishte mbetur pothuajse plotësisht e paralizuar, Shote Galica vdiq në qytetin e Fushë-Krujës, Shqipëri, më 1 korrik 1927. Ka mirënjohejen më të madhe, si “Hero i Popullit”.