MENU
klinika

Humbin klubet

Trend i ri, futbollistët nuk rinovojnë më kontratat

25.07.2021 - 21:33

Vitin e fundit, ndikuar edhe nga pandemia, shumë futbollistë nuk po rinovojnë më kontratat, duke preferuar të dalin me parametra zero. Shembujt janë të shumtë, duke përfshirë edhe Elseid Hysajn.

Një situatë ndodhi edhe me dy titullarët e Milanit, Donnarumma e Calhanoglu, që nuk pranuan rinovimin me Milanin dhe u larguan me parametra zero, duke përfituar kontrata më të majme në klubet e tyre të reja.

Një situatë pak a shumë e njëjtë ishte ajo me Sergio Ramos, që refuzoi ofertën e parë të Realit me pagë të reduktuar dhe ndonëse ndryshoi mendje disa muaj më vonë, nuk rinovoi me “Los Blancos, por u detyrua të transferohej te PSG-ja, ku ia doli të marrë një pagë faraonike.

Edhe zëvendësuesi i Ramos, austriaku David Alaba refuzoi rinovimin me Bayern Munchen, pasi gjermanët nuk i ofruan pagën që ai pretendonte, ose thënë ndryshe 10 milionë euro në sezon, shifër që mori përsipër t’ia paguajë Real Madrid, pasi e transferoi me parametra zero.

Ndërkohë janë edhe Lorenzo Insigne i Napolit dhe Franck Kessie i Milanit. Të dy futbollistët kanë kontratë deri verën e ardhshme, por klubet përkatëse nuk janë gati t’u plotësojnë pretendimet ekonomike. Ndërsa i fundit është Kylian Mbappe, që duket se nuk do të rinovojë me PSG.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN