MENU
klinika

"Leku hedh ujin përpjetë"

U korruptua me 1 mijë euro, 1 telefon dhe një arkë me peshk, zbardhen përgjimet e ish-zv.ministres

14.07.2021 - 14:41

Ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe dy shtetase të tjera, pritet të dalin nesër para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me vendinmin ndaj tyre. Voda akuzohet se ka pranuar një shumë parash dhe disa dhurata nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu, për një vend pune.

SPAK kishte nisur një hetim tjetër në vitin 2019 dhe rastësisht në përgjime kishte dalë dhe ish-zv.ministrja Rovena Voda. Kjo e fundit i ka premtuar Florida Ndreut se do ta punësonte si specialiste në Ministrinë e Brenddhme dhe për këtë kishte ndërhyrë në DAP.

Voda ka marrë 1.000 euro nga këto dy shtetase, një aparat celular dhe një arkë me peshk.

Më 13 shkurt 2020, avokatja Majlinda Hasani është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren e Rovena Voda. Florida Beu i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune dhe menjëherë kjo e fundit ka telefonuar një person tjetër.

“Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, ka thënë ajo nga ana tjetër e celularit.

Pasi dalin nga takimi me Vodën në shkurt 2020, Florida Beu i drejtohet avokates Majlinda Hasani: “Më ngeli mendja, mos duhet të jepnim më shumë, të na vendoste në një vend të hajrit.” Avokatja ia kthen duke i thënë se tashmë Rovena Voda i përgjigje menjëherë, jo si më parë që vononte 2-3 ditë, pasi “Leku e hedh ujin përpjetë”.

Në një episodë të dytë, Prokuroria Speciale ka arritur të dokumentojë dhe me filmim, momentin kur dy gratë e sipërpërmendura, i i bëjnë një telefon dhuratë Vodës. Të tre gratë janë takuar më datë 28.02.2020 në Ministrinë e Brendshme.

Në dosjen e Prokurorisë të zbardhur nga mediat, thuhet se Florida Beu pas këtij takimi ka aplikuar në 11 vende pune që ishin të hapura në DAP, për t’u emëruar si specialiste, por nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e fituar vendin e punës.

Pavarësisht se nuk e kishte futur dot në punë, ish-zv.ministrja Rovena Voda ka përfituar dhurata prej saj.

Takimi i fundit mes tyre është bërë më datë 06.03.2020, ku Voda shfaqet me makinën e Ministrisë me targa MB 276 AA, që drejtohej nga shoferi i saj, duke futur në Portin e Durrësit. Aty Florida Beu i ka dhënë ish-zv.ministres një arkë me peshk.