MENU
klinika

Mohoi publikisht genocidin e Srebenicës

Arrestohet ish-bashkëpunëtori i Mlladiç

10.08.2021 - 10:51

Gjykata shtetërore boshnjake të hënën urdhëroi Milomir Savçiç, komandantin e regjimentit të 65-të mbrojtës të Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të mbahet në paraburgim për shkeljen e një urdhri gjykate që e ndalon atë të flasë publikisht për çështjet që lidhen me akuzat kundër tij, tha avokati i tij për BIRN.

Savçiç, i cili është gjithashtu kreu i Shoqatës së Veteranëve në njësinë e Republikës Srpska të Bosnjës, të dominuar nga serbët, po gjykohet për ndihmën në kryerjen e gjenocidit të boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995.

Sipas mediave vendase, prokuroria argumentoi në seancën e së hënës se Savçiç kishte shkelur urdhrin e ndalimit në katër paraqitje të fundit në media.

Savçiç foli për Radio-Televizionin Republika Srpska, RTRS dhe media të tjera për përvjetorin e masakrave të Srebrenicës dhe vendosjen e ndryshimeve ligjore muajin e kaluar që ndalojnë mohimin e gjenocidit.

Gjykata më parë e lejoi atë të qëndrojë në liri derisa të zgjasë gjykimi i tij, por me ndalimin e paraqitjeve publike dhe komentimin e fakteve që lidhen me atë procedurë, të cilat i referoheshin edhe karakterit të krimeve për të cilat akuzohet. Tani, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të BeH, atij i është caktuar paraburgimi për të paktën një muaj.

Savçiç shërbeu si komandant i regjimentit të mbrojtjes në selinë e ushtrisë të kryesuar nga krimineli Mlladiç.