MENU
klinika

“Financial Times” skanon zgjedhjet e Vuçiç

Pse presidenti serb po “luan sërish me dy porta”

06.05.2024 - 12:38

Dy persona që janë nën sanksionet e SHBA-së për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Rusinë, u zgjodhën këtë javë si anëtarë të Qeverisë së Serbisë, që është një qëndrim sfidues i presidentit Aleksandër Vuçiç ndaj Perëndimit, teksa ai përgatitet të mirëpresë presidentin kinez Xi Jinping.

Kështu shkruan gazeta britanike “Financial Times”, referuar anëtarëve të kabinetit të ri. Të enjten, Parlamenti serb zgjodhi një qeveri të re në të cilën Aleksandar Vulin është zëvendëspresident dhe Nenada Popoviç është ministër pa portofol. Të dy janë subjekt i ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve në SHBA për shkak të lidhjeve të tyre me qeverinë e presidentit rus Vladimir Putin.

Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Henry Jackson Society, qendër kërkimore në Londër, tha se kjo është “një vazhdimësi e politikës balancuese të Vuçiçit, të cilën ai e ka udhëhequr që kur Rusia sulmoi Ukrainën”. Mund të shihet gjithashtu si një mënyrë për të zbutur ndikimin e “dy humbjeve të ardhshme diplomatike”: pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rezoluta e OKB-së. “FT” kujtoi se në vitin 1995 kur ndodhi masakra në Srebrenicë, Vuçiç ishte deputet i së djathtës ekstreme, duke u ngjitur shpejt në radhët politike.

Tre vjet më vonë, ai u bë “ministër i propagandës” i Presidentit Slobodan Millosheviç. Ai e mbajti atë pozicion gjatë bombardimeve të NATO-s në RF të Jugosllavisë në vitin 1999, gjë që forcoi qëndrimin antiamerikan. “Vulin mund të jetë një avantazh në frontin e brendshëm, duke treguar imazhin e pavarësisë: se askush nuk mund ta kontrollojë Serbinë. Është një balancë mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe mes publikut të huaj dhe atij vendas”, tha Helen Ivanov.