MENU
klinika

''Studio e hapur''

Artisti legjendar pikturon mes njerëzve

19.08.2021 - 15:14

        Nuk është e zakontë, të shihni një mjeshtër arti teksa punon. Por, janë me fat banorët e Madridit! Ata kanë pasur mundësi të ndjekin nga afër, një nga artistët më të mëdhenj të Spanjës, duke pikturuar në sheshin e famshëm ”Puerta del Sol”.

Çdo ditë nga ora 18:30 deri në 21:00 që nga fillimi i korrikut, piktori dhe skulptori Antonio Lopez, 85 vjeç, ka pozicionuar këmbalecin dhe kanavacën e tij të madhe dhe ka filluar të përziejë bojrat, ndërsa një turmë blerësish, shëtitës me qentë e tyre, apo artdashës mblidhen rreth tij.

Duke parë një portret kaq të famshëm të pozicionuar në mesin e dyqaneve turistike dhe tezgave të lotarisë në ”Puerta del Sol”, ka emocionuar shumë vendas.

“Është një moment që ndodh një herë në jetë, sepse Antonio Lopez është një legjendë e gjallë e artit spanjoll,” tha mësuesi i artit Javier Mateo, 33 vjeç, i cili u frymëzua nga Lopez, për të studiuar artin vetë.

Lopez, me një karrierë të gjatë në Spanjë, veprat e të cilit shfaqen në koleksionet e përhershme të muzeve në të gjithë botën, është i njohur për përshkrimet e tij të gjalla të temave nga jeta e përditshme, nga skenat e qytetit deri te portretet.