MENU
klinika

''SuRealiteti''!

Bota e Luis Borgesit

24.08.2021 - 15:33

         Bota e mistershme dhe fantastike e përshkruar nga Borgesi mund të quhet sureale, por s’ka dyshim që është si realiteti.

Në veprat e tij vihet në mëdyshje e vërteta dhe e gabuara, përmbajtja dhe forma, e pamundura i kundërvihet të mundurës, e dukshmja të padukshmes. Mirësevini në labirintin e madh të Borgesit, ku realiteti mund të mos jetë ai që mendoni se është. Për të, një libër është vetëm një shtrirje e kujtesës dhe imagjinatës, ide e cila qendron në zemër të krijimtarisë së tij si shkrimtar, është një pjesë integrale e atij që është dhe, si rrjedhojë, e stilit të të shkruarit. “Stili është diçka e thjeshtë, – shprehet Virxhinia Ulf, – gjithçka ka të bëjë me ritmin. Kur e kap, nuk mund të përdorësh fjalët e gabuara…”. Për Borgesin libri ishte “zëri i autorit’. Për shkak të verbërisë, Jorge Luis Borgesit i nevojitej ndihma e miqve dhe familjes për pjesën më të madhe të jetës. Për fat të mirë, nuk e ndërpreu krijimtarinë letrare. Borgesi ishte shkrimtar, eseist dhe poet, erudit, por edhe shkrimtari i preferuar i shkencëtarëve për stilin e tij profetik. Mbi të gjitha, ishte një nga eksponentët më të mëdhenj të realizmit magjik, i dukshëm në secilën prej veprave të autorit si “Aleph”, “Tango me Jorge Luis Borges”, “Inkuizicionet e tjera”, “Pasqyra e bojës”, “Libri i rërës”, “Poezi të zgjedhura”, “Libri i qenieve imagjinare” etj. Ndikimi i madh i veprës së shkrimtarit në kulturën botërore e ka shndërruar në model referimi për letërsinë e shekullit të 20-të. Është vlerësuar me çmime të ndryshme si çmimi Servantes për letërsinë, atë të Urdhrit të Arteve dhe Letrave të Francës, apo Kalorës të Urdhrit të Perandorisë Britanike./Konica.al

Borgesi kishte stilin e vet, gjithmonë të pagabueshëm. Një stil elegant, i ftohtë dhe me shumë profesionalizëm, dalë nga një logjikë e patrazuar i transmeton lexuesit spekulimet më rravguese, në një distancë të pafundme nga jeta “e zakonshme”. Historia ishte zhanri i parapëlqyer, sepse, siç shprehej, nuk e detyronte të përdorte mbushësin, siç ndodh, për shembull, me romanin. Refleksionet filozofike, të pranishme në tregimet e tij, gjurmojnë një univers unik dhe të jashtëzakonshëm, të pakapërcyer deri më tash nga asnjë autor tjetër.

Jorge Luis Borges lindi më 24 gusht 1899 në Buenos Aires, Argjentinë, në një familje ku shkriheshin dy sfera kundërshtare: ajo ushtarake dhe letrare. Gjyshi, Francisco Borges Lafinur, ishte kolonel uruguaian, ndërsa stërgjyshi dhe xhaxhai nga babai ishin poetë dhe kompozitorë. I ati jepte leksione psikologjie dhe kishte një shije të hollë letrare. Pra, fëmijëria e tij u shenjua nga biblioteka atërore, ku vetë Borgesi kalonte goxha kohë. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, familja Borges ishte në Evropë. I ati sapo kishte humbur shikimin për shkak të një sëmundjeje, që Borgesi do ta trashëgonte më vonë dhe ndodhej për kurim. Tregimet, esetë dhe poezitë, e shndërruan në shkrimtarin më premtues në Amerikë. Në atë periudhë, për herë të parë, stili i tij u drejtua nga avangarda kozmopolite, që më vonë e priu drejt labirintit të metafizikës. Gradualisht, magjepsja për konceptet si koha, hapësira, pafundësia, jeta dhe vdekja, do ta bëjë atë një studiues të palodhur dhe do ta çojë atje ku e vërteta takon imagjinaren, ku e pazakonta fton lexuesin të thellohet në pyetje filozofike.

Jorge Luis Borges: një jetë në errësirë, por plot suksese

Verbëria nuk e frenoi të vazhdonte punën. Familja, veçanërisht nëna, e shoqja, Elsa Astete Millan, më vonë partnerja e fundit, shkrimtarja argjentinase Maria Kodama, ishin të rëndësishme në veprat dhe leximet letrare. Borges vijoi të botonte vepra si “Manuali i zoologjisë fantastike”, libra me poezi, bashkëpunoi me Universitetin e Harvardit për dy vjet. Jeta artistike ishte intensive, e pasur dhe shumë produktive, pavarësisht errësirës që i mbulonte sytë. Nga posti i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Buenos Aires dha dorëheqjen vetëm në 1973, pasi i kishte kushtuar gati 20 vjet të jetës. Vdiq në 1986 në Gjenevë nga kanceri i pankreasit dhe u varros në një varrezë zvicerane, në epitafin e të cilit lexojmë: “And ne forhtedon na” (Mos kini frikë), si referim i një vepre norvegjeze të shekullit të 13-të e shfaqur në një nga tregimet e tij të famshme: “Ulrika”. Ashtu si Xhois ose Kafka, ai diti të krijonte një personazh të pandarë nga vepra, aq sa u shndërrua në mbiemër – borgesian. “Kur isha i ri, –  rrëfen, – besoja te teoritë. Tani e di që poezia lind nga gjuha, sepse çdo gjuhë është një mënyrë për të ndjerë botën; çdo gjuhë është një letërsi e mundshme”. Në veprën e Borgesit, ekziston një pjesë misterioze, magjepsëse, e pashpjegueshme, që i shpëton kohës, duke rrëshqitur me dinakëri fushave të njohura të të shkruarit, duke anashkaluar në mënyrë gjeniale standardet e krijimit letrar. Borgesi i ushqen veprat e veta me një sërë referencash kulturore dhe historike, të cilat shpesh i ofrojnë etiketimi e shkrimtarit erudit, sidoqoftë, pas kompleksitetit strukturor dhe tematik të krijimeve, Borgesi përshkruan botën tonë, duke shpalosur një vizion humanist, të thjeshtë dhe origjinal. Pikërisht këtu qëndron suksesi i Borgesit: trajton gjendjen njerëzore, duke shpenguar formën letrare, rrëfen kompleksitetin e ekzistencës, duke ndriçuar kornizën dhe duke rinovuar hullitë e të shkruarit. Me Borgesin, letërsia bëhet një ushtrim në të mundshmen: arrin t’i tregojë botës në disa faqe, përmbledh historinë e njerëzimit në disa veçori origjinale, erudite dhe lozonjare./Konica.al

Lumturia

Ai që përqafon një grua është Adami. Eva është ajo grua.

Gjithçka ndodh për herë të parë.

Diçka të bardhë kam vërejtur në qiell. Më thonë se është hëna,

Por ç’mund të bëj me një fjalë dhe një mitologji.

Pemët ma shtien pak frikën. Janë kaq të bukura.

Kafshët e qeta afrohen që unë t’iu them emrat e tyre.

Librat e bibliotekës nuk kanë shkronja. Ato gëlojnë kur unë hap librat.

Kur shfletoj atlasin projektoj formën e Sumatrës.

Ai që ndez një fije-shkrepës në terr, zjarrin është duke shpikur.

Në pasqyrë është dikush tjetër që përgjon.

Ai që këqyr detin, Anglinë po këqyr.

Ai që shqipton një varg të Lilienkronit, në betejë ka hyrë.

Kam ëndërruar Kartagjenën dhe legjionet që e shkretuan Kartagjenën.

Kam ëndërruar shpatën dhe peshoren.

Bekuar qoftë makthi, që na zbulon se mund ta krijojmë ferrin.

Ai që zhytet në lumë, në Gang po zhytet.

Ai që vështron një orë rëre, shpërbërjen e një perandorie po këqyr.

Ai që luan me një thikë, vdekjen e Qezarit po ndjell.

Ai që fle është gjithë njerëzit.

Në shkretëtirë pashë Sfinksin e ri, të sapondërtuar.

Asgjë s’është e lashtë nën diell.

Gjithçka ndodh për herë të parë, por në një mënyrë të përjetshme.

Ai që lexon fjalët e mia, ato është duke i shpikur.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trishtimi vallëzues

“Tango” e Jorge Luis Borges

"Biblioteka e Babelit"

Borges dhe letërsia imagjinare

Përkthyer nga Mira Meksi

Jorge Luis Borges: Mrekullia e fshehtë


Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!