Shqiptarët nuk kanë shumë për t’ia zënë për të madhe Goran Bregoviqit, por boshnjakët, sepse në kohën kur mori flakë Bosnja, ai iku te vendi i agresorit, por përderisa boshnjakët e pranuan pastaj të mbajë koncert në Sarajevë, çfarë kanë shqiptarët të merren me mëkatet e tij ndaj të tjerëve?
Nga Daut DAUTI
Kur para disa vitesh pati reagime për Zdravko Çoliqin si mysafir te emisioni i Pandi Laços, isha jo pak i befasuar. Së pari reagimi erdhi nga një këngëtar kosovar, e më pas pasoi një ortek i vrerit, siç ndodh shpesh. Befasia ndaj reagimeve ishte ngase Zdravko Çoliqin nuk e mban mend kush për shkak të paraqitjeve nacionaliste, madje do të kisha thënë, as për paraqitjet ose ndonjë angazhim politik. Ka qenë këngëtari më i popullarizuar në Jugosllavinë e Titos, me origjinë nga Sarajeva, por që shumë herët ka kaluar në Beograd, pra, që para luftërave të fundit në ish-Jugosllavi. Pas atyre reagimeve, u mundova të hulumtoj se çfarë mëkati ka bërë për ta marrë në thumb të kritikave(vetë Çoliqi ishte shprehur pastaj se i kupton reagimet ndaj tij!) atë qe e kishte ftuar atë në shou-emisionin e një televizioni shqiptar, por nuk gjeta ndonjë gjë komprometuese. Ndoshta hulumtimi im nuk ishte i plotë, por as interneti, ky përkujtues i pagabuar,nuk kishte diçka të tillë në plan të parë, e as kujtesa ime nuk më ndihmuan që të mbështetja reagimet ndaj tij. Mëkati kryesor që u gjet ai në shënjestër duket se ishte papërshtatshmëria etnike: ishte një këngëtar serb.
Tash, Bregoviqi (me Q, e jo me Ç, siç vazhdojnë ta shkruajnë në shtypin shqiptar!), për së dyti në Shqipëri dhe reagime shumë më të mëdha se herën e parë kur Edi Rama ia dha një kopje të “Çelësit të Tiranës”…
Dilemat për këtë lloj reagimesh janë në disa rrafshe dhe ato duhet sqaruar. Bie fjala, dilema e parë, dhe ka të ngjarë se i ngjan rastit të Çoliqit, vallë a është Bregoviqi i papërshtatshëm vetëm pse është serb edhe pse ai ka gjak të përzier serbo-kroat? Apo, pse ky kompozitor me famë botërore ka mëkate që atë e bën të papërshtatshëm dhe nongrata te shqiptarët? Po të ishte e para, është një lloj formalizmi apoklisheu “të gjithë serbët janë të këqij” dhe së këndejmi “s’ka serb të mirë” dhe patjetër të jetë i papërshtatshëm. Një varg emrash të tjerë serbësh, nga Dimitrie Tucoviqi, Bogdan Bogdanoviqi, etj. e deri te Sonja Biserko, Vesna Peshiq, Nenad Çanaku e Çeda Jovanoviqsot, e dëshmojnë të kundërtën! Ky perceptim (të gjithë serbët janë të këqij) do të ishte baras me një teori raciste. Nëse kjo(pra, përkatësia etnike, edhe pse e përzier) nuk është arsyeja e anatemimit të Bregoviqit, atëherë duhet të jetë më e thellë dhe më parimore, që atë e bën të papërshtatshëm: ose personaliteti i tij kontrovers ose vepra e tij me përmbajtje “anti”(antishqiptare, para së gjithash). Kur vdiq Gjorgje Ballasheviqi, kantautori i popullarizuar në të gjitha ish republikat jugosllave, serb nga Novi Sadi, pata shkruar për një këngë të tij që i kërcënonte shqiptarët (“Ne lomite mi bagrenje”\Mos m’i theniakacijet (bagremat)”, këngë kjo e lindur nga koha e histerisë shoviniste serbe ndaj Kosovës, viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ky këngëtar, me keqardhje e kisha konstatuar se kishte rënë pre e propagandës se shqiptarët u bënin presion serbëve që të shpërngulen nga Kosova. Nëse ai nuk e kishte kuptuar atë kohë se në atë propagandë ka pak gjë të vërtetë, do të duhej ta kishte kuptuar më vonë, por ai dhe në koncertet e viteve të fundit kishte vazhduar ta këndonte dhe ta shpjegonte në mënyrën e tij motivin e këngës. Po ta kishin ftuar në Tiranë Ballasheviqin, gjithsesi reagimi do të kishte qenë i arsyeshëm, sepse një “vepër” e tij kishte mesazhe antishqiptare, por kjo nuk mund të thuhej psh. për opusin e këngëve të Zdravko Çoliqit. As Goran Bregoviqi nuk ka një këngë të tillë, por ka një këngë grupi i tij “Bjello Dugme” të kënduar shqip, “Mos e humb bozhurin”, pikërisht në kohën e histerisë antishqiptare nga Beogradi, fakt ky që shumë shqiptarë e kanë parë në dritë pozitive!
Por, megjithatë, është pak e komplikuar për ta trajtuar aq thjeshtë!
Nuk është se s’ka diçka komprometuese për te, jo te krijimet muzikore të tij, por te personaliteti i tij. Njollë e biografisë së tij padyshim është ikja nga Bosnja dhe strehimi i tij në Beograd në kohën e luftës. Çështja nuk është aq e thjeshtë kur ta shikosh nga më shumë pikëpamje. Ai ikë nga lufta, siç e ka shpjeguar, se nuk paska ditur nga cila palë të rreshtohet, duke pasur babain serb, nënën kroate e bashkëshorten boshnjake myslimane. Është një argument që mban, do të thoshim, një thyerje e brendshme. Ka dhe të tjerë që kanë ikur nga lufta me motive pacifiste, edhe pse ky motiv mund të jetë problematik, kur gjërat janë të qarta, kur dihet se kush në Bosnjë ka qenë agresori. Por, ja s’po hyj më thellë aty. Ai iku në Beograd. Motivi për të ikur nga lufta për shkak të gjakut të përzier etnik, mund të jetë vetëm pretekst për të fshehur qëllimin kryesor, atë të mbijetesës, që të ikë me familje nga vatra ku rrezikohet me vdekje. Po pse në Beograd, Serbi, prej nga vinte agresioni për vendin e tij? Vërtet, qëndron si argument, po, vallë, a është ky mëkat vetëm i Bregoviqit? Një serbo-kroat-boshnjak ka lënë vendin e tij dhe është strehuar te vendi agresor, ndërkaq një serb tjetër, si gjenerali Jovan Divjak, dhe shumë serbë të tjerë, bashkë me boshnjakët kanë mbrojtur vendin nga agresorët serbë të Karaxhiqit e Mlladiqit!…Po, por, a bën mëkatin e tij më të madh se sa të Dino Dervishhalidoviqit (më i njohur si Dino Merlin), i cili gjatë luftës ishte strehuar në Zagreb? Në Zagrebin e Tugjmanit, i cili bashkë me Millosheviqin një kohë kishin punuar në ndarjen e Bosnjës (Marrëveshja e Karagjorgjevës) e besa edhe kishte përkrahur forcat kroate për copëtimin e Bosnjës? Apo motivin e mbijetesës(dobësi njerëzore, gjithsesi) kundrejt detyrimit patriotik për ta mbrojtur vendin te Bregoviqi do ta marrim si tradhti ndaj atdheut, e atë të Dino Merlinit jo?( Dinoja pastaj do ta arsyetojë përkushtimin patriotik me dy këngë kushtuar Bosnjës, (“Da te nije Alija” dhe një tjetër në bazë të këngës së Majkëll Xheksonit).
Motivi ekzistencial, si duket vazhdon të jetë arsyetimi kryesor i vetë Bregoviqit, i cili në shumë intervista ka thënë se në Beograd kishte gjetur hapësirë për të krijuar. Por kjo është pjesa më problematike e biografisë së tij, sepse ajo për çka ka mbetur në kujtesë, është autorësia e muzikës për filmin “Underground” të Emir Kusturicës në vitin 1994. Emir Kusturica është regjisori me rrënjë etnike boshnjake (babai Muhamedi) i cili asnjëherë nuk e dënoi gjenocidin në Srebrenicë, u rreshtua me shovinizmin serb, “iu kthye rrënjëve”, duke u konvertuar në ortodoks e duke e ndërruar emrin në Nemanja!!! Komprometues për Bregoviqin është fakti se këtë film, që në kuadrot e para paraqiten sllovenët, kroatët, boshnjakët duke i pritur me lule okupatorët fashistë, kurse kur arrijnë në Serbi, serbët ua kthejnë pushkët! Është kjo ndoshta porosia kryesore e filmit të bërë në valën e luftës në Bosnje, për të paraqitur pozitivisht serbët para botës si popull liridashës, kundrejt boshnjakëve dhe kroatëve, me të cilët ishin në konflikt serbët, si popull të zhytur në llumin e kolaboracionizmit nga lufta e dytë botërore. I pyetur a nuk e ka ditur se filmi është xhiruar me paratë e Armatës Jugosllave, Bregoviqi shtiret sikur nuk e ka ditur! Ndryshe nga Bregoviqi, pakashumë i pasivizuar në paraqitjet publike, Emir Kusturica jo vetëm që u përcaktua qartë për palën serbe kundrejt palës së cilës i takonte ai(popullit boshnjak) dhe kurrë nuk i përmendi krimet, por thoshte se të gjitha palët kanë kryer krime! Për të mos u përkufizuar vetëm ndaj Bosnjës, Emir Kusturica ka pasur shumë aktivizëm politik edhe kundrejt Kosovës, shumë të qartë dhe shumë antishqiptare. Goran Bregoviqi këtu ka “ngecur”, nuk e kemi parë në tubime të tilla, as që ka dhënë ndonjë deklaratë publike.
E shoh se shumëkush ia zënë për të madhe Bregoviqit këngën “Kallashnikov”, me të cilën ai do t’i ketë frymëzuar forcat serbe, por duhet të dihen disa gjëra rreth kësaj kënge: e para, ajo ka lindur shumë më herët se konflikti në Kosovë dhe e dyta, ajo është një “shtos”-këngë, çfarë Bregoviqika ditur të bëjë pa numër, ku nuk e di se çfarë ka dashur të thotë ose të arrijë! Bile dikush mund dhe ta akuzojë për racizëm, sepse bën fjalë për romët, (iu thërret “Cigani…urraaaa!” dhe ku përmenden disa toponime në Serbi…Nuk e di se ç’ka dashur të thotë me këtë këngë në gjuhën rome, por asnjë ngjashmëri me situatën kosovare nuk mund të gjendet që ta quash atë se është kundër Kosovës. Teksti i tij është në stilin që Bregoviqi ka bërë shumë këngë të tjera. Teksti më shumë përmban shprehje si për filma vizatimorë “boom-boom”, “trass-trass”…dhe shumë efekte akustike që muzika e Bregoviqit pas Bjello Dugmes, ka qenë karakteristike, duke përdorur melosin rom.
Si ndërhyrje dua të përmend një rast tjetër. Para dy vitesh në Shkup u mbajt një konferencë shkencore në të cilën një autor nga Kosova kishte shkruar për antishqiptarizmin në romanin “Kronika e Travnikut” të Ivo Andriqit. E dimë IvoA ndriqin dhe veprën e tij që fitoi çmimin e Nobëlit për letërsi, por e dimë edhe imazhin negativ te shqiptarët për shkak se kur ka qenë diplomat në Turqi para Luftës së Dytë Botërore, ai ka hartuar një plan për shpërnguljen e myslimanëve, në këtë kontekst edhe të shqiptarëve, nga Jugosllavia për Turqi. Kur përmendet Vasa Çubrilloviqi dhe elaborati famëkeq i tij, përmendet edhe Andriqi, që të dytë kanë pasur një qëllim. Por, antishqiptarizmi është parë në planin politik, kurse autori kosovar kishte gjetur antishqiptarizëm edhe te vepra “Kronika e Travnikut”, sepse Andriqi ka shkruar se pashai që e ka pushtuar këtë qytet, paska ardhur me ushtarë arnautë…Por, në pauzën e parë që u dha në konferencën shkencore, në tavolinë, një koleg i tij, i cili aspak nuk është në grupin e jugo-nostalgjikëve, përkundrazi, do të thotë: të akuzosh dikë pse ka shkruar se Travikun e paska pushtuar pashai me ushtarët shqiptarë, është të bësh “ish!” ku nuk ka pula, se një gjë e tillë ka qenë e mundur gjatë perandorisë osmane, ndaj, nëse ky roman bazohet në ndonjë farë faktografie, nuk është mëkat i autorit që këtë e ka futur në roman. (Kur e lexoja veprën e Aleksandar Matkovskit “Kryengritja e Dervish Carrës”, vërejta po të njëjtin kontekst: pashai boshnjak, Omer Pasha Llatas, që e shtyp kryengritjen e shqiptarit Dervi Carra, kishte ardhur kryesisht me luftëtarë shqiptarë, toskë nga jugu i Shqipërisë! Shqiptarët në njërën anë në kryengritje, shqiptarët në anën tjetër e shtypin kryengritjen!)
Edhe Peter Handke nuk ka vepër letrare antishqiptare, por problemi me të është lajthitja e pashembullt në relacion me bëmat serbe gjatë luftërave në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, që i i konsideron si një lloj komploti antiserb dhe propagandë të Perëndimit! Çfarë shpikje!? Ishin të arsyeshme dhe parimore debatet që hapi çmimi Nobël që e mori përkundër këtyre lajthitjeve të tij dhe rënies etike e morale, sepse ai konteston të vërtetën për viktimat edhe pse ato kanë ngjarë para syve të gjithë botës, ku një shkrimtar apo intelektual i nivelit të tij, para së gjithash duhet të ishte në anën e tij, e jo viktimë të komploteve t’i paraqesë serbët dhe regjimet e tyre agresore. Sa është mëkati i Handkes, edhe më i madh është ai i Komitetit të çmimit Nobël që ka mbyllur sytë para këtij fakti! Përkundër të gjitha reagimeve, vepra e Handkes u botua në Shqipëri, për të shënuar një paradoks të relativizimit të qëndrimeve Handkes në relacion me shqiptarët! Injorimi i veprës së Handkes nga shqiptarë nuk do të ishte kurrfarë mëkati kundrejt mëkatit të tij ndaj tyre.
Mund të debatojmë në pakufi dhe të nxjerrim argumente të panumërta duhet apo nuk duhet të ndahet vepra nga personaliteti i autorit (autor-njëri i keq , vepra e mirë). Një nga ato dilema është vallë a duhet të privojmë ta shijojmë një vepër nëse autori ka qenë njeri i keq?(Sa autorë në botë, shkrimtarë, piktorë, muzicientë, shkencëtarë…kanë qenë të tillë. Shpesh krijimtarinë e lidhin edhe me një lloj çrregullimi shpirtëror…!) Pikërisht në këtë relacion ishte zhvilluar një debat midis dy regjisorëve boshnjakë BakirTanoviq (filmi për Oskar, “Vendi i askujt”) me Emir Kusturicën, me atë që ky i fundit i kishte thënë “mirë, le të jetë ashtu, unë jam njeri i keq e regjisor i mirë, e ti njeri i mirë…”. Edhe Bregoviqi mund të jetë edhe nacionalist, edhe shovinist në shpirt, mund të jetë edhe njeri i keq, dhe njëkohësisht muzicient i talentuar, dikush e thotë edhe plagjiator ose kompilator, që di të vjedhë dhe të mos e diktojnë, por është mbi të gjitha, i suksesshëm. Përveç talentit, suksesit të tij i ka ndihmuar edhe delli i tij prej biznesmeni, që ka pasur gjëndër të fortë të nuhatjes për të nxjerrë në treg gjëra të cilat do të nxisin provokim dhe reagime. Krejt këto, me qëllim që të çohet pluhur dhe të zgjojë kureshtjen e publikut për shitje! Edhe kjo kënga “Kalashnikov” aq e papërcaktuar dhe surreale (flet për romët që nuk kanë bërë luftëra me kallashnikov!), që bien në kategorinë “nonsense songs”(këngë pa kuptim), duhet të ketë pasur ose qëllim të provokojë me një titull kënge problematike, ose, ja, të pranojmë faktin të japë edhe mesazh politik, por cilin? Një mesazh universal të luftërave në ish-Jugosllavi, ku kallashnikovi ka qenë në rolin kryesor?
Por, ta vazhdoj këtë aspektin e manipulimit lucid të Goran Bregoviqit me gjëra që provokojnë, ndoshta për të kuptuar edhe shumë veprime a ndërmarrje të tij krijuese që duken problematike. Ai shpesh ka vepruar me paramendimin që përmenda më sipër: në një këngë të albumeve më të hershme, që u përfol shumë në shtypin e atëhershëm, ai kishte përdorur një herezi në bontonin e komunikimit publik: kishte përdorur një të sharë: ”le të shkojë në t’sëmës’. Ose, kënga “milicia ushtron rreptësi (dajak)”, diçka që s’mund të merrej me mend një akuzë e tillë ndaj forcave të policisë së atëhershme, qoftë dhe në krijim artistik. Duhej apo s’duhej të përdorë fjalë të ndyta, albumi i Bjello Dugmes arrinte qindra mijë tirazh, e koncertet ishin plot. Më pas, siç frynte era e politikës, ai përsëri provokonte. Në një album të tij futi një këngë, që shumëkush e quajti “himn të ustashëve”, ose të paktën të emigracionit kroat antijugosllav! Për këtë këngë ai kishte dashur ta angazhojë Vice Vukovin, këngëtarin e mënjanuar nga skena, për shkak se është trajtuar si nacionalist kroat. Që të realizohet kjo e kishin penguar komitetet partiake, por zhurma që u bë, e arriti efektin e vet, sepse kënga “Lipanashadomovina…”(“Atdheu ynë i bukur…”) qe futur në album. Në valën e histerisë antishqiptare, ai bën këngë në gjuhën shqipe! Kurse në kohën kur në Jugosllavi nisën proceset dezintegruese, ai në një album të tij e bën këngën “Padajsilo i nepravdo”(poshtë forca dhe padrejtësia) dhe e thërret të këndojë revolucionarin dhe nacionalistin serb të mënjanuar nga skena politike, Svetozar Vukmanoviq-Tempo. “Bash është fraer!”, ishte përgjigjur kur e kanë pyetur se përse e ka marrë revolucionarin të këndojë atë këngë.
Ky është Goran Bregoviqi, i cili më shumë se nacionalist, është kalkulant ose manipulant me emocione e me kode sociale, historike, politike, kulturologjike, etnike, fetare (“mjesecramazanapoçinje”/Muaji i ramazanit po fillon…)… të gjitha në shërbim të një qëllimi: sa më shumë të shitet në treg. Për një krijues, për një biznesmen,… gjë legjitime. Ai edhe pozicionin e tij në vetë grupin Bjello Dugme e ka krijuar me një manipulim. Grupi është krijuar dhe ka funksionuar me vite, e kolegët e tij nuk e kanë ditur se është regjistruar në gjyq dhe ku Bregoviqi e ka vënë veten shef, më saktë, pronar të tij!
Nuk dua të lexohet ky shkrim në stilin “as mish as peshk”, por mendoj se kjo është një pasqyrë pakashumë reale se kush është Bregoviqi. Në biografinë e tij vështirë se mund të gjeni diçka antishqiptare, por mbeten të diskutohen ato që u thanë më sipër kundrejt luftës dhe Bosnjës. Por, për ta gjykuar ne më shumë se boshnjakët, është paksa e tepruar. Sadoqë kishte krijuar një lloj jazi pas ikjes nga lufta dhe strehimit në Beograd, në Bosnje dhe Sarajevën e tij u kthye në mënyrë triumfale, gjë që nuk mund ta bëjë Emir Kusturica, të cilit askush nuk mund ta falë gjithë ato që ka bërë dhe ka thënë. Ndoshta edhe kthimi në Sarajevë i Goranit është pjesë e atyre manipulimeve mediatike: i ka prekur boshnjakët në telin emotiv duke deklaruar se dëshiron të vdesë në Sarajevën e tij! Çuditërisht, në një intervistë gazetari kishte krijuar anekdotë rreth konfliktit që ky më vonë e ka pasur me Emir Kusturicën. Ia ke hedhur atij me këtë deklaratë se do të të varrosin një ditë në Sarajevë, diç që nuk i është kujtuar Kusturicës!…
Debatet brenda shqiptare, ose më saktë shqiptare-kosovare marrin edhe finesa të reja parimësie. Kështu, pas reagimeve të para kundër pjesëmarrjes së Bregoviqit në festivalin e birrës, sponsori festivalit, fabrika “Birra Peja” heq dorë, por, kjo tërheqje nuk kaloi pa pasoja për të, sepse në një reagim nga një asociaocion i prodhuesve të birrës, ia përkujtuan kësaj fabrike se lëndën për prodhimin e birrës e merr nga Serbia!
Por, kur jemi te parimi, duhet të shtrojmë pyetjen: nëse Bregoviqi ka mundur të mbajë koncert në Sarajevë, pse të mos mbajë në Korçë? Mëkati ndaj shqiptarëve gjithsesi është më i vogël se ndaj boshnjakëve që ia kanë falur “dezertimin” dhe “kolaboracionizmin”…/ Koha