MENU
klinika

Strehimi i afganëve nga Shqipëria dhe Kosova

DASH: I treguat botës së çfarë nënkupton besa

16.08.2021 - 11:14

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Shqipërisë që të strehojnë përkohësisht afganët, që bashkëpunuan me forcat amerikane, teksa talibanët kanë marrë nën kontroll pothuajse tërë territorin e Afganistanit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.

“Populli afgan meriton që të jetojë i sigurt dhe me dinjitet. Ne në komunitetin ndërkombëtar jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë ata”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo thotë se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se janë në kontakt me autoritetet amerikane për strehimin e afganëve dhe shtuan se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

Po ashtu Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan ka shkruar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Shqipërisë që të strehojë afganët.

“Populli i Shqipërisë dhe njëherë i ka treguar botës se çfarë nënkupton Besa. Ju keni respektimin dhe falënderimin tonë”, thuhet në një postim në Twitter të këtij komiteti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha më 15 gusht se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA-së për strehimin e afganëve.

“Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria.”

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka përgëzuar dje Kosovën, Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut për gatishmërinë e tyre për të strehuar afganët, jeta e të cilëve rrezikohet nga talibanët.

“Ne duhet të fokusohemi në shtupimin e jetës së qytetarëve në Afganistan. Teksa SHBA-ja po punon në evakuimin e atyre që rrezikohen nga talibanët, unë u jam mirënjohëse Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë ofruar strehimin e aleatëve afganë, posaçërisht të grave dhe liderëve të shoqërisë civile. Shpresoj që edhe të tjerë do ta ndjekin këtë shembull”, ka thënë ajo.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni. / REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nuk do t’i themi jo Amerikës për afganët”

Edi Rama zbulon kërkesën e administratës Biden për Shqipërinë