MENU
klinika

Gjendja e Bankës së Shqipërisë dhe projeksionet

Sejko: Një ecuri e plogësht e tregut të punës

05.08.2021 - 10:15

Ndërsa ekonomia po shkon drejt rikuperimit të plotë, çfarë mbetet në stanjacion është tregu i punës.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, vuri në dukje se ekonomia u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, por pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht përgjatë tremujorit të parë.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritjet tona. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të konsumit dhe investimeve të sektorit privat e publik, si dhe rritjen e eksporteve të mallrave. Informacioni i disponuar sugjeron një përshpejtim të fortë të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë, ndonëse me një normë e cila nuk do të jetë indikative për ritmin e rritjes së mëtejshme të ekonomisë shqiptare.

Pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë. Niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta. Bazuar në ecurinë historike, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe e pagave do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra e shërbime”, tha Sejko.

Në planin makroekonomik, shtoi Sejko, përshpejtimi i rritjes ekonomike ka pasqyruar reduktimin e kufizimeve, si pasojë e përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe zgjerimit të vaksinimit, rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese fiskale dhe monetare.

Në lidhje me politikat fiskale, Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të domosdoshme natyrën stimuluese të politikës fiskale gjatë pikut të pandemisë. Nga ana tjetër, me përfundimin e emergjencës shëndetësore dhe ekonomike, tha Sejko, pritet një rikthim i vëmendjes së qeverisë drejt konsolidimit të financave publike. “Projeksionet tona për të ardhmen faktorizojnë një reduktim progresiv të stimulit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe periudhës në vijim”.

BANKA E SHQIPËRISË

Nga ana e saj, politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të gjen- erojë një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga qarkullimi normal i fondeve në tregje; kosto të ulëta kreditimi dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi. “Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të pasqyrojë një rritje relativisht të shpejtë e të qëndrueshme të kredisë në lek, të kredisë për qëllime investimi dhe të asaj për blerje banese.

Rritja e raportuar e kërkesës për kredi në tremujorin e tretë dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit premtojnë një mbështetje të vazhduar me fonde të nevojave për konsum dhe investime. Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe bilancet në përmirësim të bizneseve shqiptare, të cilat janë pasqyruar në rënien në nivelin 7.1% të raportit të kredive me probleme në muajin qer- shor”, vuri në dukje Guvernatori Sejko.

PROJEKSIONET

Pozitivë duken edhe skenarët e ecurisë ekonomike përgjatë muajve në vijim. Sipas Guvernatorit të BSH-së, rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Kjo ecuri do të pasqyrojë përmirësimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, normalizimin gradual të aktivitetit ekonomik në vendet partnere, si dhe ambientin e favorshëm financiar në vend.

Më tej, rritja e kërkesës agregate do të ndihmojë rritjen e punësimit dhe të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. “Këto parashikime janë ndërtuar mbi supozimin e shmangies së kufizimeve të forta mbi aktivitetin ekonomik si pasojë e pandemisë; si dhe të reduktimit të ngadaltë, por progresiv, të stimulit fiskal në horizontin afatmesëm”. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Rikthimi i kufizimeve ngadalësoi ekonominë”

Guvernatori Sejko: Rimëkëmbja do të ndodhë gjatë…