MENU
klinika

Adriatik Doçi

Heshtja e çuditshme e Ilir Metës

17.08.2021 - 11:53

Kriza në Afganistan, e cila ka nisur të prodhojë një eksod refugjatësh, në përpjekje për të shpëtuar nga talebanët, ka alarmuar botën. Lajmet e zyrtarizuara tashmë mbi planin për strehimin në Shqipëri të disa refugjatëve politikë që janë të rrezikuar nga talebanët, janë pasuar me një stuhi reagimesh, kryesisht në rrjete sociale.

Megjithatë, si rrallë ndonjëherë, krerët e politikës shqiptare janë shprehur dakord me përfshirjen e Shqipërisë, me kërkesë të vetë kryeministrit Edi Rama, në listën e vendeve që do të strehojnë afganët, të cilët kanë mbështetje e NATO-s dhe SHBA. I shpejtë dhe i qartë ishte qëndrimi i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, pro strehimit të refugjatëve politikë afganë.

Në një linjë me Ramës dhe Bashës ishte edhe Sali Berisha, ndonëse është shpallur non grata nga amerikanët, të cilët kërkojnë edhe përjashtimin e tij nga Parlamenti, PD-ja dhe politika në tërësi. Nuk kanë munguar qëndrimet pro strehimit të afganëve edhe të përfaqësuesve të komuniteteve fetare, përfaqësive diplomatike etj.

I vetmi që vijon të heshtë për një çështje kaq të rëndësishme, humanitare, ndërkombëtare dhe kombëtare, është Presidenti Ilir Meta. Me sa duket i alarmuar nga qëndrimi i Lulzim Bashës në një linjë me qeverinë dhe i befasuar nga deklarata e aleatit të tij (Sali Berisha) në frontin anti-amerikan, Ilir Meta ka zgjedhur të heshtë në mënyrë të dyshimtë.

Gjatë ditëve të fundit, Ilir Meta ka reaguar për tërmetin në Haiti, për përvjetorin e ndarjes nga jeta të Arbër Xhaferit, për Hasan Prishtinën, 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit etj., por nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë për çështjen afgane dhe rreshtimin e Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA.

A mund të lexohet heshtja e Metës si një rreshtim kundër SHBA dhe NATO dhe pro talebanëve? Kjo është çështje interpretimi, por e vërteta është se, Ilir Meta u shkarkua si President nga Kuvendi i Shqipërisë në 9 qershor të këtij vitit edhe me motivacionin e cenimit të marrëdhënieve me Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, të gjitha shtetet Perëndimore janë të shqetësuara për rënien e Afganistanit në duart e talebanëve. Ata po bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje dhe strehuar refugjatët politikë. Por, nga ana tjetër, qeveria kineze është shprehur për të vendosë marrëdhënie miqësore me qeverinë e re të talebanëve.

Qëndrimi i Rusisë i afrohet më shumë qëndrimit të Ilir Metës. Qeveria ruse është shprehur nuk shih asnjë nxitim për të njohur talebanët, por pa e përjashtuar mundësinë e njohjes dhe sigurisht duke mos u solidarizuar me refugjatët afganë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ligji i ri për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjykatave

Gjyqe të fshehta, pa zvarritje dhe me kosto të ulët, ja kushti i vetëm