MENU
klinika

Po talebanët?..

Hossein ngre zërin për popullin afgan

30.08.2021 - 15:33

       Pasi talebanët hynë në qytetin e Kabulit dhe morën kontrollin e Afganistanit, pas muajsh konfrontimi të përgjakshëm, që kur trupat e huaja filluan të largoheshin nga vendi i shkatërruar nga lufta, shkrimtari i famshëm afgan me banim në SHBA, Khaled Hosseini, pohon se qytetarët e vendit nuk e meritojnë situatën që po përballet aktualisht kombi.  

I lindur në Kabul, Khaled Hosseini u zhvendos në Shtetet e Bashkuara më 1980.

I ati ishte diplomat në Ministrinë e Jashtme Afgane, kurse nëna mësuese. Në vitin 1976, Farnesina e zhvendosi familjen Hosseini në Paris. Ata ishin gati të ktheheshin në Kabul më 1980, por atdheu i tyre kishte qenë dëshmitar i një grushti të përgjakshëm komunist dhe pushtimit nga ushtria sovjetike. Hosseinët fituan azil politik në Shtetet e Bashkuara dhe në shtator 1980, u transferuan në San Jose, Kaliforni.

Përballë “skenave zemërthyese” nga vendlindja e tij, shkrimtari Khaled Hosseini lëshon apelin, ku i kërkon komunitetit ndërkombëtar të mbrojë veçanërisht kundërshtarët dhe gratë afgane. “Mbroni gratë dhe vajzat e Afganistanit”. Ky është apeli i ri i lëshuar nga Khaled Hosseini drejtuar bashkësisë ndërkombëtare. I intervistuar nga CBS, autori i “Gjuetari i balonave” është tejet i shqetësuar për popullin e Afganistanit dhe veçanërisht për gratë dhe fëmijët që vuajtën më shumë herën e fundit kur talebanët ishin në pushtet.

Që nga viti 2006, ambasador i paqes pranë UNHCR-së, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, sipas Hossein “përparimi i madh ishte bërë në njëzet vitet e fundit, për gratë në Afganistan: gratë i ishin rikthyer punës dhe kishin zënë një të katërtën e vendeve në parlament, ishin në televizion, në sistemin shëndetësor, në arsim, në polici”. Mirëpo aktualisht “e gjithë kjo është nën kërcënim. Askush nuk e di, se çfarë do të sjellë e ardhmja për Afganistanin”.

Autori i “Një mijë diej vezullues” i bën thirrje Uashingtonit dhe aleatëve, që të “ushtrojnë presionin legjitim dhe të përshtatshëm mbi talebanët, për të mos shkelur të drejtat thelbësore të qytetarëve afganë dhe veçanërisht grave dhe vajzave”. Romani i lartpërmendur, publikuar në vitin 2008, portretizon pengesat dhe rreziqet e dy protagonisteve femra “kur talebanët marrin pushtetin dhe jeta bëhet një betejë e dëshpëruar kundër urisë, brutalitetit dhe frikës”.

Edhe në intervista të tjera, Hosseini përsërit shqetësimin e tij për të gjithë ata, që vitet e fundit kanë luftuar për të drejtat e njeriut në Afganistan, veçanërisht “për gratë guximtare, elastike dhe të hekurta, që kanë hyrë në politikë, të cilat janë bërë shefe policie, guverantore krahinore, kryebashkiake, që kanë promovuar kauzën e grave të tjera. Po ashtu, edhe për vajzat e guximshme, që frekuentuan shkollën pavarësisht kërcënimeve. Po talebanët? “Tani për tani e gjithë bota i ka kthyer sytë drejt tyre, çdo aparat fotografik është fokusuar drejt tyre. Po çfarë do të ndodhë, kur opinioni publik në mënyrë të pashmangshme ta kthejë vështrimin tjetërkund dhe Afganistani të mos zërë më faqet e para? Pikërisht atëherë, do t’i njohim vërtet qëllimet e tyre”./Konica.al