Është e habitshme se me çfarë vrulli, pasioni dhe gëzimi të egër një grup sejmenësh analistë të njohur si pasues të Albin Kurtit – disa përkohësisht, i janë vërsulur shefit të qeverisë së Tiranës për ta vënë edhe atë në radhën e tradhtarëve.
Pasi e kanë shpallur prej kohe tradhtar Hashim Thaçin, pasi e kanë shpallur Kadri Veselin si vegël të shtetit serb, pasi e kanë anatemuar Ramush Haredinaj që tradhtoi Kosovën për postin kryeministror, pasi kanë leçitur Abdulla Hotin si tradhtarin më të ri, tani tehun e tyre e kanë drejtuar te Rama dhe qeverisja e së majtës në Shqipëri. Rama është tani “poliagjenti” i ri i shtetit shqiptar, të cilit nuk do i mjaftojnë më vetëm “shërbimet” ndaj shtetit serb. Në të njëjtën kohë ai është shpallur bashkëpunëtor i shërbimit grek, Zografi biss, njeriu i rusëve dhe kinezëve, për të mos e ditur se deri ku do të shkojnë poliagjentizmi i tij.
Albin Kurti nuk ka nevojë për kauzë të sajuar dhe as për të hapur një front lufte. Atij i dalin mjaftueshëm punët e qeverisë në Kosovë, e në të njëjtën kohë ndërtimi i një raporti të ri, ekzistencial, solid dhe domethënës me pjesën tjetër të kombit. Me Tiranën, si shteti amë , dhe me Tetovën si qendra më e rëndësishme e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Për të patur një luftë duhet gjetur një kauzë dhe për të patur një kauzë duhet gjetur një armik. Ardhja ose jo e një këngëtari serb, apo serbo – kroat, nuk e di se nga është, në Shqipëri nuk është as lufta e as kauza e kërkuar. Bregoviçi, emrin e të cilit e kam dëgjuar vetëm kur ai erdhi në Shqipëri në vitin 2006, nuk mund të jetë një kauzë. As shkak për të shprishur marramendshëm genin e përbashkët shqiptar dhe, edhe nëse do të kishte dashur, ai nuk do të mund ta bënte kurrë. Përgjithësisht unë jam kundër ardhjeve të tilla, të rrëmujshme, që tingëllojnë si gjetje politike, sidomos në kohën kur njerëzit kërkojnë me ngulm atë që nuk është arritur edhe në kohëra më të vështira, ndarjen e së pandashmes.
Çfarë e ndezi këtë histeri, e cila, jo rastësisht, nga ardhja e një këngëtari, kaloi në kulisat e politikës? A ishte ngjizje e papritur apo duhej vetëm një shkak për të ndezur atë që kishin dëshiruar të ndizej dhe tani historia moderne e shqiptarëve të kishte vetëm një figurë madhore, historike, të pagabueshme dhe solide, ndërsa të tjerët të ishin askushi?
Në 100 vite jete të ndarë, shqiptarët e Kosovës e kanë pasur syrin dhe mendjen te shteti shqiptar londinez , duke ëndërruar bashkimin dhe prosperitetin e përbashkët. Mirë apo keq të ishte Shqipëria , ajo ishte rruga e vetme drejt lirisë. Nuk ishte e rëndësishme nëse do të ishte republikë, monarki, me regjencë të përkohshme, e pushtuar apo e lirë, shtet komunist apo pluralizëm politik, ajo mbetej e njëjta.
Pas vitit 1990 në liderët politikë të Tiranës u vërejt dëshira e paternalizmit ndaj klasës politike në Kosovë. Rugova e pranoi heshtas këtë dëshirë, megjithëse nuk e ktheu kokën nga kambanat që binin. Ai e dinte se tingulli i tyre ishte ndjellës, por vështirë i arritshëm. Të paktën, jo në këtë rrugë. Rruga tjetër ishte tabu për të. Ajo e luftës. Sidoqoftë, e gjithë media e skanuar për të qenë pro jugosllave, një klasë e tërë politike në Kosovë , bindshëm dhe jo rastësisht, ngriti mitin e rremë të një klase politike dhe të një lideri që kishte kërkuar kombi. Berisha e pranoi kënaqshëm këtë rol dhe, pikërisht kur mendoi se mund të përmbyste gjithë kombin për të shpëtuar veten, ndjeu se kishte qenë gëzim i rrejshëm dhe i përkohshëm. Rugova i ktheu krahët, mbylli telefonin, ngriti më tej shallin e tij dhe vazhdoi t’u dhuronte të huajve gurë mineralë dhe t’u fliste për cilësinë e djathit të Sharrit. Krahu tjetër që po dilte në politikë, ai i luftës, i ri dhe shumë prej tyre të ardhur nga burgjet serbe, të dënuar se e kishin dashur si shumë Shqipërinë, ishte e leçitur nga Berisha dhe nuk u afruan kurrë me njëri-tjetrin.
Edi Rama solli në politikën mes dy shteteve shqiptare mendësinë që duhej të kishte ndodhur prej tri dekadave: asnjëra palë nuk duhet të jetë inferiore ndaj tjetrës, të gjitha kishin vend të përbashkët në sofrën e njëjtë, por edhe synimet, krahas atyre që janë të përjetshme, do të jenë në momente të caktuara, të veçanta.
Thyerja e tabusë ngjalli zemërim, aq më tepër se Rama ishte mik vetjak i Thaçit, çka në këtë botë është e lejueshme, por asnjëherë nuk u bë pjesë e lojës politike të tij, as nuk ia lejoi vetes të bëhej pjesë e fushatave politike, sidomos politike. Të barabartë, por secili në qeverisjen e tij. Përderisa kemi tani për tani dy shtëpi të veçanta e deri sa të jemi nën një strehë, kushdo zgjedh atë rrugë që mendon se është më e dobishme, pa shkelur në trasenë që po ndërton tjetri.
Politika nuk është folklor – ky është koncepti i Ramës, por nuk është as rasti i humbur. Në përballjen e parë me qeverinë e Beogradit ai tha të vërtetat që duheshin thënë. Serbia duhet të njohë Kosovën. Ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e saj. Tani është e pavarur dhe duhet të njihet si e tillë. Ishte vendi i duhur, koha e duhur dhe përballë njerëzve të duhur. Nëse ka analistë që presin në çdo takim qeveritar dhe presidencial të ndërtohen fjalitë mbi bazën e folklorit, ata duan ende vasalitetin nga mendimi politik në Tiranë dhe, duhet pranuar, nuk bëjnë mirë.
Është e dhimbshme që analistë rreth Kurtit flasin me gjuhën e njëjtë të Berishës, Metës apo kulisarëve të tjerë. Është e drejtë e Albin Kurtit të zgjedhë aleatët e tij në Shqipëri, çka ndodhi edhe në zgjedhjet e 25 prillit, pas askush, as analistët më këmbëngulës, nuk mund të përmbysin historinë e afërt. Nëse në vitin 1998 do të kishte qeverisur Berisha lufta në Kosovë nuk do të zhvillohej dhe disa nga analistët e tanishëm, që kanë qenë pjesë e luftës apo dezertorë të saj, e dinë fare mirë këtë të vërtetë.
Miku im në Prishtinë, sociologu i njohur Sadri Ramabaja, mendje e mprehtë dhe logjike gabon kur mendon se “Lëvizja VV , përmes qeverisë në Kosovë , është shndërruar në opozitën reale të Qeverisë Rama 4. Por, prej 25 prillit, edhe PS, respektivisht fraksioni i mbyllur i ashtuquajtur Rilindje, është opozita reale e Qeverisë Kurti 2”.
Asnjëra prej tyre nuk është e saktë dhe uroj të mos bëhet kurrë e saktë.
Politologu i ri Arban Bislimi, ka shkruar në përgjigje ndaj mendimit të sociologut Ramabaja se, “ Uroj që qeverisja e Prishtinës të ketë synime të tjera nga të qenurit opozitë e Tiranës. Një Qeveri duhet të qeverisë dhe jo të bëjë opozitën e një qeverie tjetër…problemi i Kosovës nuk është Qeveria Shqiptare e as shteti amë dhe Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend i rajonit ndaj të cilit Kosova bën politikën e vendeve të mbyllura”.
Shqipëria ka opozitën e saj, e mundur keqas pesë herë radhazi, Kosova ka opozitën e saj, të dërmuar nga votimi plebishitar i popullsisë në Kosovë.
Të dyja janë ngritur për të sendertuar programet e tyre politike, ekonomike dhe synimet kombëtare. Qeveria Kurti , pas qeverisjes së shkurtër në herën e parë, ka para vetes një apo më shumë mandate, ka prioritete të tjera dhe përballje të tjera. Nëse krahas realizimit të tyre do të qëndrojë edhe shteti shqiptar, çka e ka për detyrë ta bëjë, gjërat do të jenë më të lehta.
Qeveria Rama, po ashtu, ka prioritet e saj, synimet dhe zhvillimet për të cilat është votuar për të tretën herë. Ky ka qenë verdikti që është dhënë nga banorët e Shqipërisë londineze, ashtu si ka qenë edhe verdikti i banorëve të Përtej Drinit, si quhej dikur në parlamentin shqiptar grupi i deputetëve të Kosovës.
Synimi për të gjetur tek shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, tradhtarin e ri, kësaj here poliagjentin Rama, dhe, për të patur vetëm një figurë kombëtare, përmes hosanarave që bëhen në media për Albin Kurtin, është i dhimbshëm, jo real dhe denigrues për vetë kombin, që, edhe kur qeveris i lirë, armikun e gjen lehtësisht brenda vetes.
Si kam shkruar, mbetem skeptik dhe kundër idesë së Ballkanit të hapur, kur dera është e mbyllur për Kosovën, dhe kur, ende askush nuk e di saktësisht se çfarë qëndron pas portës së hapur.
E kam mbështetur, dashur dhe pritur ardhjen në pushtet të Albin Kurtit dhe këtë e kam bërë haptas. Ishte një detyrim jetik. Një klasë politike në Kosovë duhej të ndryshohej, edhe pse shumë prej tyre ishin miqtë e mi të shumë viteve.
Albin Kurti ka para vetes shumë për të bërë. Madhërimi që i bëhet figurës së tij, besoj jo me nxitjen e tij vetjake, nuk i rrit asgjë dhe nuk e bën liderin e kombit.
Gjërat e mëdha rrihen në zjarr. Albin Kurti sapo e ka ndezur zjarrin e qeverisjes së tij. Nëse qeverisja e tij do të jetë shëmbëlltyrë e kombit, atëherë nuk ka nevojë të sajohen armiq në radhët e liderëve të vjetër, për të rritur liderin e ri.
Ndërkohë “poliagjenti” Edi Rama mundohet të mbajë ndezur atë zjarr që i besuan për të tretën herë.