MENU
klinika

Letra, sqaron arsyet

Mark Marku dorëzon mandatin e deputetit

27.08.2021 - 09:57

Mark Marku nuk do të jetë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e ri në shtator 2021. Ai thotë se PD është shndërruar në një parti interesash personale.

“Dorëheqja lajmërohet sot në një shkrim për “Panorama”. I zgjedhur si deputet pasi drejtoi fushatën e PD-së në Lezhë, Marku është tejet i qartë në arsyet e dorëheqjes, që kanë të bëjnë të gjitha në vizionin e opozitës.

“PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica”, shkruan Marku.

Mark Marku shprehet se do të dorëzojë mandatin e deputetit, nuk do të shkojë në Kuvend, dhe nuk do të paraqitet as në Këshillin Kombëtar të PD, ku do të zgjidhet kryesia dhe drejtuesit e rij të demokratëve.

Shkrimi i Mark Markut, ku lajmëron dorëheqjen:

Dje, si është bërë e ditur edhe në publik, është lajmëruar mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila do të mbahet më datë 30 gusht. Me sa shihet nga axhenda e dërguar, nga kjo mbledhje do të dalin organet drejtuese të PD-së, që, sipas statutit, zgjidhen nga ky këshill. Përves kësaj, në axhendë nuk parashikohet asgjë tjetër. Është dëshpëruese të vëresh se ngado ta shqyrtosh çështjen, të gjitha aksionet politike të përcaktuara nga lidershipi i PD-së vazhdojnë rutinën e humbësit.

Pra, tre muaj pas maskaradës zgjedhore të 25 prillit, lidershipi i PD-së nuk jep asnjë përgjigje për atë se çfarë do të ndodhë në Parlamentin e ardhshëm shqiptar dhe se cili do të jetë aksioni opozitar në Parlamentin e ri. Asnjë përgjigje për strategjitë dhe taktikat, me të cilat PD, si opozita më e madhe në vend, do të përballet me regjimin e rilindjes. Është irrituese të shohësh se këto tre muaj, PD i është përgjigjur maskaradës së madhe me disa minimaskarada të ngjashme, veçse tashmë të zhvendosura nga skena kombëtare në një skenë më të vogël, në atë opozitare.

Këto maskarada, në thelb, janë etapat e njëpasnjëshme të rënies së vazhdueshme të PD-së në një rutinë humbëse. Etapa e parë e rënies: Beteja për denoncimin e manipulimit të zgjedhjeve. Zgjedhjet u manipuluan, por ne nuk protestojmë. Ne ndjekim procedurën, por harrojmë që po me procedurë triumfoi nazizmi në Gjermani, putinizmi në Rusi, erdoganizmi në Turqi.

Procedura dështoi, por kjo nuk ka rëndësi, ne prapë vazhdojmë procedurën e zgjedhjeve në parti. Meqë nuk zgjodhëm Kryeministrin, zgjedhim kryetarin tonë të partisë. Të gjithë pajtohen, askush nuk kundërshton. Po Çurçilli na mëson të kundërtën: ata që bien duke luftuar, kanë mundësi të ringrihen.

Demokracia ra, shoqëria u dorëzua, partitë (opozitare) dështuan, hajduti u bë mbret. Etapa e dytë e rënies: Fushata për zgjedhjen e kryetarit të PD-së. Fushatë pa vizion, pa alternativë, pa perspektivë rrugëdalje nga kriza, pa perspektivë të ardhjes në pushtet, pa një platformë ndryshimi, pa brejtje ndërgjegje për gjendjen e popullit opozitar dhe sakrificat e tyre, pa ndjesë për dy humbjet, pa qoftë edhe një shkëndijë shprese për rrugën e ardhshme drejt pushtetit nga asnjëri prej kandidatëve.

Lulzim Basha fitoi thjesht për rutinë, pasi në partitë shqiptare ku secili avancon në karrierë politike për shkak të servilizmit ndaj kryetarit, askush nuk mund ta konkurrojë kryetarin, aq më tepër në rastin e PD-së, ku, siç rezultoi më vonë, përtej kryetarit ka kryetar më të fuqishëm se kryetari.

Etapa e tretë e rënies: Kuvendi i PD-së, Kuvend që u mbyll para se të fillonte. Basha kishte bashkuar në një fjalim të gjatë, prej gati një ore shumë fjalë, të cilat i hodhi si fara kungulli mbi kryet e delegatëve. Pas këtij fjalimi, të gjithë ishin edhe më të paqartë për vizionin e ri të PD-së. Ishte trishtuese të shihje aty të mbledhur me mijëra përfaqësues të strukturave të PD-së, pra, elitën politike të saj, të cilët, të shqetësuar për humbjen, prisnin një debat të gjallë nga ku mund të dilnin mijëra propozime për transformimin e PDsë në një forcë politike moderne të aftë për t’i paraqitur anëtarësisë së PD-së, por edhe shoqërisë, një ofertë të re konkurruese, ndërkohë që aty nuk ndodhi asgjë e tillë.

Duartrokitjet e delegatëve ishin harxhuar në fillim të fillimit, pra, kur në sallë u shfaq kryetari i vërtetë i PD-së, Sali Berisha, i cili kishte zgjedhur këtë moment për t’u treguar të gjithëve se kush kishte qenë kryetari real i PD-së për 8 vitet e shkuara në opozitë dhe se cili do të ishte katër vitet e ardhshme, po në opozitë.

Besoj të gjithë tani e kanë kuptuar paradoksin e PD-së në tetë vjet: Basha, kryetar i partisë së Berishës.

E zbuluan të dy. Për mua ishte dyfish trishtuese, pasi nga njëra anë, kushdo që më takonte më përgëzonte për problemet e ngritura në diskutimin tim në Kuvend, nga ana tjetër pakkush prej tyre, me përjashtim të Agron Gjekmarkajt dhe ndonjë tjetri, pa llogaritur këtu rivalët në garë të Bashës, e ngriti vetë zërin aty, apo më pas publikisht për të njëjtat gjëra për të cilat binin dakord plotësisht me mua individualisht.

M’u përsërit e njëjta ndjesi e dhjetë viteve më parë, po i njëjti përgëzim pas kuintave, po e njëjta memecëri publikisht, megjithëse atëherë, disa prej atyre që më përgëzonin privatisht, me të njëjtin zell më sulmonin publikisht. Konkluzioni im: nuk mund të bësh kauza kolektive lirie dhe demokracie me ato elita politike apo intelektuale që ose e kanë humbur aftësinë e të menduarit dhe vepruarit të pavarur gradualisht ose nuk e kanë fituar këtë aftësi ende.

Gjithsesi, Kuvendi e pati një të re: votoi një herë propozimet e Bashës, pastaj hapi siparin e propozimeve të tjera, të cilat mund të votohen në kongresin e ardhshëm që do të mbahet me durim kur t’i vijë radha. Sa për Këshillin Kombëtar që u zgjodh dhe që do të mblidhet me 30 shtator, askush nuk e kuptoi si u bënë përzgjedhjet e kandidatëve, askush nuk e kuptoi si dhe sa votuan, askush sa vota mori.

Drynat e sekretit të tyre i vari në zinxhirin e florinjtë që mban në qafë Jemin Gjana dhe i mori me vete. Nga rendi i ditës së paraqitur, ka shumë gjasa që etapa e katërt në radhë të jetë mbledhja e ardhshme e Këshillit Kombëtar, që do të mbahet më 30 gusht. Nga leximi i kësaj axhende dhe krahasimi i saj me shqetësimet që mendoj unë se duhet të jenë prioritare për aktivitetin e ardhshëm të PD-së, kam krijuar përfundimisht bindjen se unë personalisht dhe PD kemi vektorë gjithnjë e më të kundërt mendimi dhe veprimi.

Unë mendoj dhe propozoj (siç e kam propozuar edhe në kuvendin e fundit kombëtar, por edhe vite më parë kur isha deputet i kësaj partie) fillimin e një procesi ndryshimi thelbësor të PD-së, ridimensionimin e marrëdhënieve me shoqërinë, përgatitjen e një oferte konkurruese elektorale, ndryshimin e modelit të lidershipit dhe të marrëdhënies së tij me PD-në, ndërkohë që PD vazhdon rutinën 8-vjeçare të humbësit. Për këtë arsye kam vendosur të mos marr pjesë në etapën e katërt të një rutine të tillë humbëse.

Madje, kam vendosur të mos e marr as mandatin e deputetit. Kam pranuar të jem drejtues i fushatës së zgjedhjeve në Qarkun e Lezhës përkundër interesave të mia për t’u ripërfshirë në jetën aktive politike. E kam bërë me vullnet të lirë si një akt angazhimi qytetar dhe intelektual për të dhënë kontributin tim modest në favor të ndryshimit, pas kërkesave të përsëritura dhe ngulmuese të kryetarit të PD-së Basha.

Kam vepruar siç veprova kur isha student në ‘90-ën, siç kam vepruar në dhjetëra raste të angazhimit tim publik, por këtë radhë mendova dhe ende vazhdoj të mendoj kështu, se largimi i Ramës nga pushteti ishte një kusht themelor për ta nxjerrë vendin nga qeverisja më e keqe që ka njohur historia e vendit pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës.

Nuk jam penduar, por nga ana tjetër nuk mund të bëhem pjesë e një force politike që nuk ka as vetëdijen më minimale për gjendjen ku ndodhet dhe që nuk ka as përgjegjësinë më të vogël për fatin e mbështetësve të vet apo të gjithë shoqërisë. Kam bindjen (shpresoj të jetë e gabuar) që duke vazhduar rutinën e humbësit, PD po humb një shans historik, të fundit, për të ndryshuar veten dhe shoqërinë. Kështu si po vepron, PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica.

E ndërmarr këtë hap si shenjë përgjegjësie për ata mijëra lezhjanë, mirditorë, kurbinas, që na mbështetën dhe që i rezistuan agresionit më të madh elektoral që kishin parë ndonjëherë dhe që, përkundër kësaj, bashkërisht realizuam fitoren më të madhe historike elektorale në Qarkun e Lezhës. Sot, ata janë nën agresionin e pushtetit, janë duke bërë gati plaçkat për të ikur nga sytë këmbët, janë të dëshpëruar dhe të pashpresë. Por mbi të gjitha janë të gënjyer. Unë nuk dua t’i gënjej ata siç po i gënjen lidershipii PD-së.

Po ju them hapur se ndërsa ata janë të braktisur në fatet e tyre, lidershipi i PD-së po bjerr kohën në rutinë zgjedhjesh për poste të kota strukturash të një partie që, kështu si po vepron, po e errëson gjithnjë e më shumë perspektivën e ardhjes në pushtet. E bëj këtë akt, që është më tepër një gjest sesa një sakrificë, për të treguar se dikush duhet dhe mund të reagojë kundër shndërrimit të PD-së në një parti dekori të një sistemi të degraduar, për të treguar se jo kushdo mund të bëhet dekor i një elite të paaftë partiake, që është e aftë vetëm për të mbrojtur interesat vetjake.

E bëj këtë për të dhënë një mesazh alarmi, të cilin ndokush mund ta dëgjojë dhe rrjedhimisht edhe ta bëjë të reflektojë. E konsideroj politikën dhe të qenit deputet si angazhim dhe jo si punë. Për të qenë i lirë, i pakushtëzuar dhe i pakompromentuar në opozitarizmin tim vetjak, nuk do të jem as pjesë e Këshillit kombëtar dhe as deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe do t’i drejtohem Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procedurat formale të sanksionimit të vendimit tim.

Kështu, mes qëndrimit në PD, ku për shkak të përgjegjësisë dhe natyrës sime kritike do të detyrohem të jem më shumë i angazhuar në opozitarizmin brenda PD-së dhe daljes jashtë kësaj partie për të bërë opozitën e pushtetit, po zgjedh këtë të fundit: opozitën ndaj pushtetit.