Nxënësit e arsimit parauniversitar, nga klasa e parë në klasën e dymbëdhjetë, nga 1 shtatori do të kthehen në bankat e shkollës dhe për një periudhë dy javore do të zhvillojnë një përsëritje për mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor.
Por kjo nuk do të jetë me detyrim. Kthimin në banka ministria e Arsimit e ka lënë në dorë të vetë nxënësve të klasave nga e para në të nëntën dhe gjimnazistëve.
“Në këtë mënyrë, në fillim të muajit shtator 2021 nxënësit për një periudhë dyjavore do të kenë mundësi të përsërisin, përforcojnë apo përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor.
Sa u takon temave që do të zhvillohen, ato do të jenë në formën e konsultimeve dhe në varësi të nevojave të identifikuara për çdo shkollë.
Në këtë kuadër, nxënësit janë të lirë t’i ndjekin sipas nevojave të tyre, ndërsa prindërit janë të lutur të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërkohë, me qëllim zhvillimin e një procesi sa më optimal, ministrja Kushi ka kërkuar nga organet e vetëqeverisjes vendore që të marrin masat e duhura në mënyrë që infrastruktura e shkollave të jetë gati për datën 1 shtator 2021.
“Duke vlerësuar maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e tyre përgjatë një viti të vështirë, mësuesit që do të zhvillojnë temat e përsëritjes gjatë kësaj periudhe do të paguhen me orë shtesë”, – shkruan ministrja.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi publikoi sot udhëzuesin e hartuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) “Për përmirësimin e arritjeve të nxënësve si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19″.
Ky udhëzues sipas ministrisë u arrit pas një konsultimi me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, me mësues, prindër, si dhe ekspertë të arsimit.
####
Për informacion të detajuar gjeni udhëzuesin e plotë për çdo cikël të sistemit parauniversitar në linqet e mëposhtme.
ARSIMI FILLOR:
https://www.ascap.edu.al/udhezues-per-permiresimin-e-arritjeve-te-nxenesve-ne-arsimin-fillor-si-pasoje-e-situates-se-krijuar-nga-pandemia-covid-19/
ARSIMI I MESËM I ULËT:
https://www.ascap.edu.al/udhezues-per-permiresimin-e-arritjeve-te-nxenesve-ne-arsimin-e-mesem-te-ulet-si-pasoje-e-situates-se-krijuar-nga-pandemia-covid-19/
ARSIMI I MESËM I LARTË:
https://www.ascap.edu.al/udhezues-per-permiresimin-e-arritjeve-te-nxenesve-ne-arsimin-e-mesem-te-larte-si-pasoje-e-situates-se-krijuar-nga-pandemia-covid-19
Linku i publikimit:
https://www.facebook.com/kushievis/posts/322443596237748