MENU
klinika

Halil Matoshi

Ne kemi mbushur sallat ku këndonte Ceca e Bregoviç, tani iu themi tradhtarë…

10.08.2021 - 21:17

Mëkati i Goran Bregovićit nuk është kryerja e ndonjë akti gjenocidi ndaj kombeve joserbe në ish Jugosllavi, inspiruar nga fashizmi serbian, nën lidershipin e “Kasapit të Ballkanit”, Slobodan Milošević, porse mungesa e reaksionit human (rezistencës) ndaj vet qëllimit gjenocidal serbian.

Bregović nuk njihet për ndonjë deklaratë stigmatizuese ndaj shqiptarëve përgjithësisht, por nuk ishte i qëndrueshëm që t’i dal përballë fashizmit, siç bëren psh. Nataša Kandić, Bogdan Bogdanović, Sonja Biserko, Latinka Perović, Vladimir Arsenijević etj.

Me shpërthimin e luftërave në ish Jugosllavi në fillim të viteve 1990, skena e ish -rokut jugosllav pushoi së ekzistuari. Gjatë viteve 1990, shumica e tyre shprehën kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë së Slobodan Milošević-it dhe u censuruan nga mediat e kontrolluara nga qeveria. Edhe pse disa vepra kryesore arritën të ruanin popullaritetin e tyre, si Partibrejkers dhe Van Gogh.

Pra Bregović nuk ishte as neutral, sepse ai u përfshi në fushatën anti bombardimeve të NATO-s, duke u shfaqur në Selanik më 1999 në një koncert kontrovers.

2.

Partia fashiste (Fasci di Combattimento) ishte themeluar nga Benito Musolini në Piazza San Sepolcro të Milanos më 23 mars 1919, pra 102 vjet më parë, porse idetë e saj mbijetuan deri në ditët e sotshme.

Dhe ndërsa diktatori italian mund të jetë vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ideja që ai kodifikoi jeton – ashtu si edhe e kundërta e saj, Antifa.

Primo Levi, autori i “A është, vallë, njeri…?” nuk e përjashtonte mundësinë dhe mendësinë e përseritjës së holokaustit edhe pas Gjermanisë naziste në një intervistë dhënë gazetarit Daniel Deaff më 1982, gjatë një vizite në Aushvitz. “Është e vështirë që në pak dekada, në 50 apo 100 vjet të lindë një tjetër nacizëm në Gjermani apo një tjetër fashizëm në Itali… Unë mendoj se ka vende ku ekziston dëshira, por jo synimi. Mendimi nuk ka vdekur. Asgjë nuk vdes. Gjithçka ngrihet e rilindur.”

Kjo që tha Levi doli katercipërisht e saktë. Por jo në Gjermani as Itali. Por në ish Jugosllavi.

3.

Lëvizjet antifashiste të veprimit të drejtpërdrejtë, të njohura shpesh si “antifa”, tërhoqën mbështetje nga disa anë. Nga të tjerët, ata morën dënimin – përfshirë Presidentin Trump – për atë që mund të shihet si taktika të dhunshme. Në Mars, Merriam-Ëebster shtoi “antifa” në fjalor. Por pavarësisht se është një ide që është gati 100 vjeçare dhe që përfshin pjesën më të madhe të globit, antifa është ende një burim konfuzioni.

Psikologjia dhe morali i ekstremistëve politikë sipas një dëshmie nga analiza e gjuhës së ‘alt-right’ dhe Antifa në Tëitter, rezulton se ekstremistët tregojnë një emocion më të ulët pozitiv dhe një emocion më të lartë negativ sesa përdoruesit partiakë, ndërsa ekstremistët e krahut të majtë shprehin më shumë gjuhë treguese të ankthit sesa liberalët, ekstremistët e krahut të djathtë shprehin ankth më të ulët se konservatorët.

4.

Ftesa për Goran Bregović në Festivalin e Birrës në Korçë, është zgjedhje autonome e organizatorit. Dhe përdorimi përgjithësues i termit ‘tradhtar’ dhe ‘tradhtarë’ për nikoqirin, Korçën dhe shqiptarët, për organizatorët, (qoftë ai edhe vet Edi Rama) është shfryrje nacionaliste dhe si e tillë Keatsch-Nacionalizëm!

Fundja nuk u takon kosovarëve të ndërhyjnë në marrdhaniet e Shqipërisë me kombet tjerë.

Aq më pak në sferë të kulturës dhe artit.

Unë kam nji traumë për folk-pop-in serbian që lidhet me deportimin tim në Kampet serbe të Përqëndrimit, gjatë luftës në Kosovë, 1999, prandaj as nuk e kam dëgju në të kaluemen dhe nuk e pëlqej as sot.

E karakterizon një pasion deri në kujfijtë e vulgares si konstruksion dramatik (saga fshatareske e Palanka-s) dhe e mbisundon tallava-modeli (si shfaqje) oriental.

5.

Për shumë nga ata që sot kujdestarojnë mbi moralin patriotik ndër shqiptarët, dua të përkujtoj faktin se viteve ‘80-‘90 i kanë mbipopullu sallat koncertale në Prishtinë, Pejë, Gjakovë e Prizren, kur këndejpari kanë ardhë grupet jugosllave si “Bjelo Dugme” dhe kantautorët si Zdravko Čolić si dhe kanë dëgju me pasion këngët e Cecës (Svetlana Ražnatović-Arkan), Dragana Mirković, Bajaga, etj.

“Bjelo Dugme-n” dhe Goran Bregović-in e kanë dëgjuar me adhurim mija e mija shqiptarë të Kosovës.

Më 1983 dhe 1996 grupi ka përformuar në Prishtinë.

Bregović dhe Željko Bebek, anëtar i grupit, kanë kënduar shqip, në nji moment linçi të jugosllavëve ndaj shqiptarëve kosovarë, pas demostratave të vitit 1981, për të dëshmuar se në kornizen e burgut serb të popujve edhe shqiptarët ishin njerëz!?

Bregović është artist dhe si i tillë – merre ose leje – përmasa e tij është ndërkombëtare, por në rrafshin personal ai, ashiqare nuk ishte ndarë me nacionalizmin serbian, që kulmoi në fashizëm në vitet ‘90 të shekullut 20.

6.

Kënga e Bregović (1995) ‘Kalašnjikov’ është një alegori për hallakamat e viteve ‘90 në ish Jugosllavi dhe mbështetet në folklorin e romëve, pra nuk ka inspuruar masakrat ndaj shqiptarëve, për të cilët Bregović nuk ka ndonjë deklaratë publike politikisht të motivuar.

Madje ai pohon të jetë rrahur nga njerëz të Milošević-it, sepse kishte kritiku “voždin” gjithserb!?

Porse kjo nuk është faktuar kurrë.

7.

Si artist kontrovers, serbi i lindur në Sarajevë, Goran Bregović i akuzuar për plagjiat, sëkëndejmi i ka sëpaku katër momente errësimi të mendjes, që e rreshton atë me qëllimin gjenocidal të Milošević-it dhe mbështetësve të tij rus:

– Ai ishte takuar me Ideologun e gjenocidit në Bosnjë, Radovan Karadjić në vitet ‘90 dhe e kishte pyetur atë se a po përparonte “çështja serbe” atje;

– Sëdyti, ka marrë pjesë në një koncert në Selanik, 1999, që ishte organizuar në shenjë solidariteti me Serbinë dhe kundër bombardimeve të NATO-s, gjatë luftës për Kosovën.

– Sëtreti, Bregović-it i është ndaluar hyrja në Poloni në mars 2015, pasi ai performoi në një koncert në Krime, që u aneksua nga Rusia një vit më parë. Muajin pasues, Festivali i Jetës në Ośëięcim në Poloni anuloi një paraqitje të Bregović, duke thënë se deklaratat e tij ishin “në kundërshtim me vlerat e çmuara nga themeluesit e Festivalit.

– Sëkatërti si ekscentrik, ai deklaronte se romët nuk janë problem por talentë botnor, duke pandehur për cigane shejtnoren katolike, shqiptaren Gonxhe Bojaxhiu.

8.

Të qenit me përkatësi etnike rome nuk âsht kurrfar mangësie as përparësie vetvetiu, janë rrethanat sociale e historike ato që krijojnë ndjesi të vlerës më të ultë ose superiore.

Në arealin shqiptar ka ndonëse romë myslimanë dhe orthodoks, romë shqiptarë të natyralizuar, por jo dhe romë katolik, prandej Bregović kur e cilëson Nânën Terezë ‘cigane’ rren, ai duke përbuzë romēt, nënvetëdijshëm shpërfaq sindromën raciste ndaj nji shéjtnore me origjinë shqiptare!?

Këto janë mëkatet e Bregović-it.

Por në një vend të lirë edhe racistët pa precedent penal mund të lëvizin lirshëm.

Përderisa bashkëpunimi i tij me filoserbin Emir Kusturica që përqafoi fashizmin serb, është thjesht i domenit artistik, pra jopolitik.

9.

Goran Bregović nuk është racist i përkorë, por racizmi është i strukturuar thellë në nënvetëdijen e tij, sepse ai i cilëson romët ‘cigani’ që për shumë njerëz, kjo fjalë, duke iu referuar romëve që emigruan nga India në Europë, shekuj më parë, është pezhorative, pavarësisht nga konteksti. “Është një shpifje etnike,” -shkruan Carol Silverman, një profesoreshë e antropologjisë në Universitetin e Oregon-it.

Dhe duke stigmatizuar romët, vë stigmën mbi Shénjtoren me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun, që bota katolike e njeh si Nâna Terezë.