MENU
klinika

Bedri Islami: Rruga drejt rrënimit duket e gjatë, por i bie shkurt

Nga do eci Luli? Përballja tani është e pashmangshme

06.08.2021 - 12:38

Çdo gjë është këto ditë në një përballje të re, të hapur dhe pa asnjë enigmë: Departamenti i Shtetit, përmes ambasadores Juri Kim, ka hedhur dorezat dhe ka kërkuar që Sali Berisha të mos jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Si asnjëherë tjetër, as në rastin Doshi, ata kanë këmbëngulur që pjesë të pista të politikës të mos jenë në sallën e Kuvendit, aq më tepër ata që janë shpallur haptas si të tillë nga SHBA. Tom Doshi e kuptoi mesazhin, ose e bënë ta kuptonte; Sali Berisha e mori si shpallje lufte dhe ka vendosur ta shndërrojë në një betejë politike, jo mes tij dhe DASH, ose mes avokatit të tij francez dhe zotit Binken, por mes partisë ku e kanë deleguar për ta zaptuar 30 vite më parë dhe Departamentit të Shtetit.

A do të ketë në parlament njerëz të inkriminuar, për më tepër të cilësuar si minues të demokracisë, çka do të thotë se në 30 vite pluralizëm, ata kanë minuar zhvillimin e vendit, mirëqenien e njerëzve dhe besimin e popullit, akuzë që nuk është bërë më parë, veç ndaj diktatorëve të njohur? A do të jetë parlamenti i ardhshëm i njëjtë me të tjerë, ku hynin i bardhi dhe i ziu, i dituri dhe harbuti, vrasësi dhe njeriu human?

Shtetet e Bashkuara janë të vendosura, jo. Sali Berisha është i vendosur, po. Ai do të jetë shembulli i parë i kriminalizimit politik parlamentar dhe kjo është e njohur për të gjithë. Në Shqipëri miti i tij ka rënë, godina e rreme e ngritur prej tij është shembur, rrënojat e saj mund të zënë poshtë vetes jo një njeri, sepse ai është i rrënuar, por vetë opozitën.

Zonja Kim, duke hequr taktin e diplomatit, ka bërë lëvizjen e pritur, të drejtpërdrejte, të hapur dhe pa asnjë ekuivok. Këtë edhe e ka shpallur: Sali Berisha nuk duhet të jetë në parlament, ose SHBA do e braktisin parlamentin. Shkurt. Thjeshtë. Qartë. Shtesa drejtuar Edi Ramës është më tepër thirrje për kujdes, se në fund të fundit, rruga drejt rrënimit vërtet duket e gjatë, por i bie shkurt.

Thirrjen e SHBA dhe bojkotin politik të parlamentit mund ta ndjekin edhe shtete të ndryshëm të BE dhe kjo nuk do të përbëjë asnjë çudi. Nuk është e largët dita kur politika evropiane mallkonte ditën që kishte mbështetur një njeri që shkatërronte themelet e shtetit të tij. Në dosjen Berisha qëndron ende gjithçka.

Juri Kim, si nuk e kishte pritur trupa drejtuese e opozitës nuk e bëri thirrjen e saj në një emision TV apo në ndonjë mbrëmje gazetarësh. Ia bëri Lulzim Bashës, në zyrën e tij, pa i lënë shteg për alibi të së ardhmes dhe pa krijuar asnjë ekuivok politik. Ai nuk mund të thotë se “nuk e di”, “nuk kam informacion”, pasi, në bisedën mes tyre i është dhënë mundësia të dijë, pikërisht atë që ai vetë e di më mirë nga të gjithë, pasi ka qenë pjesë; i është dhënë informacion i mjaftueshëm në fakt gjëra që i ka ditur edhe më mirë se të tjerët, pasi ka qenë pjesë e së keqes, dhe tani ai ka para vetes një rrugë: i duhet të përballet.

Përballja është e pashmangshme. Nuk i ikën dot dhe nuk ka shumë kohë për të dhënë përgjigjen e tij.

Me cilët do të jetë: me Departamentin Amerikan të Shtetit apo me Sali Berishën?

Duhet të zgjedhë. Koha nuk është e gjatë dhe nuk mund të manipulojë me të. Zgjedhja duhet të jetë pa ekuivok, pa mëdyshje dhe, në fund të fundit, ky është shansi i tij i madh, të cilin ia ka dhënë një shtet i fuqishëm, mik dhe mbështetës, për të qenë i lirë, nëse mundet, nga politika minuese ndaj demokracisë, korrupsioni, goditja e sistemit të drejtësisë, ku edhe ai vetë, deri tani, nuk ka faje të pakta.

Politikisht askush nuk do të donte të ishte në lëkurën e Lulzim Bashës, sidomos vetë Lulzim Basha. Kur të gjithë të tjerët japin verdiktin e tyre – për disa ai është shfaqur në fytyrën e ndezur, për të tjerë në ndriçimin e syve, Lulzim Basha hesht.

Ka heshtur që ditën e parë kur bomba politike e DASH-it ra në oborrin e selisë së tij, të cilën, bashkë me karrigen, ia kishte bërë dhuratë Berisha. Dhurata më e madhe e jetës së tij, kur një ditë, përmes përdëllimit vajzëror, ia kishin afruar këtë njeri, i panjohur, hutaq, lakmues dhe tinëzar, për ta bërë ministër – tri herë, kryebashkiakun e Tiranës- një herë, e për ta vendosur në fronin e opozitës, ku, sa më shumë që humb, aq më shumë forcohet!!!

Do e vrasë ai “babain” e tij politik, që është në fakt “ i dënuar” nga DASH?

Përse hesht Lulzim Basha?

Përse kaq gjatë ka futur kokën në rërë, si struci dhe askush nuk e di se çfarë vendimi do i kërkojë forcës së tij politike për njeriun që njihet si themelues, por që është njëri ndër ata që nuk e donte themelimin, deri sa Azem Hajdari i tha të mos vinte më në mbledhjet e një partie të re, duke pasur në xhep teserën e Partisë së Punës!

Deri kur mund të heshtë ai?

Heshtja nuk është zgjidhje e as virtyt. Është mposhtje. Basha është një lider i mposhtur. Do të qëndrojë në mposhtjen e tij, apo do të mund të ngrihet në këmbët e tij.

Shtatori nuk është në kalandat greke. Është pas derës. Koha për të marrë vendimin politik ndaj njeriut që ka minuar demokracinë në Shqipëri vjen më shpejt nga sa mendon ai vetë.

Ngurron? Apo ka frikë?

Basha është njeriu i politikës që të flak nga dritarja sapo ndjen rrezikun e karriges së tij. E ka bërë me Olldashin, fundi i të cilit ishte fillimi i ngritjes së tij; e ka bërë me Rulin, Imamin, Topallin, Patozin, Boden, Pollon, Bregun – një klasë e tërë politike është dëbuar përmes heshtjes nga vetë ai.

Prej tyre nuk kishte frikë. Ata ishin të pasur, por nuk kishin forca pas vetes. Kur nuk ishin në pushtet ata vazhdonin të ishin të pasur, por jo të fuqishëm.

Berisha është ndryshe. Është i pasur dhe i fuqishëm. Me struktura të forta pas tij. Të cilat njihen nga SHBA dhe nga institucione evropiane, që monitorojnë Shqipërinë. Bashës i është dhënë siguri se asnjëra nga këto forca nuk do të mund të veprojnë ndaj tij, por frika mbetet, sepse është rritur përmes frikës.

Berisha nuk është as Pollo, as Ruli, as Imami e aq më pak, Pashko. Por tani është nën rrënoja dhe askush, as vetë struktura pas tij, e as trimoshët e fb-ut nuk mund ta ringrenë më. Basha mund t’i japë pak më shumë kohë për frymëmarrje, por ai është i asfiksuar.

Dyzimi është: do të asfiksohet bashkë me të edhe opozita?

SHBA, jo Juri Kim, presin përgjigjen e shefit të opozitës.

Një ambasadore, sado e fuqishme të jetë, është vetëm zëri përcjellës, lajmësi.

Ai që pret përgjigje nuk është lajmësi, por Departamenti i Shtetit.

Basha ka kohën e tij të përballet. Haptas. Është çasti i jetës së tij, kur mund të jetë, të paktën një herë, burrë.

Struci nuk qëndron gjithë jetën me kokën nën rërë. Një ditë i duhet të ecë. Ose të ketë fundin e tij, në këtë rast një fund politik.

Lulëzim, dil e përballu: ose me SHBA, ose me Sali Berishën.

Rrugë të tretë nuk ka.

Thirri mendjes!

Këtë herë nuk shpëton me precedent./ Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi

A do të vazhdojë e njëjta tabllo edhe pas 25 prillit?

Bedri Islami: A mund të përparojë shteti pa ndëshkimin e klasës politike?

Qasja e pakicës serbe në Kosovë, në dukje e parrezikshme...

Bedri Islami: Një shtet brenda shtetit!