“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Përse krijohet byc në sy?
Mjeku: Kur të shfaqet një xhungë e vogël në lëkurë, e kupton lehtësisht kur është puçërr. Por kur të shfaqet në sy? Nëse ju ënjtet dhe skuqet pjesa e qepallës, shkaku mund të jetë një infeksion bakterial i syve, njohur ndryshe si byc. Edhe pse shfaqet në qepalla dhe shkakton skuqje dhe irritim të lëkurës, përgjithësisht nuk shkakton probleme me shikimin.
Ashtu si pjesa tjetër e lëkurës, edhe qepallat kanë gjëndra dhjamore, dhe nëse njëra nga këto gjëndra infektohet (zakonisht nga bakteri stafilokokus), mund të shfaqet byci, që shkakton dhimbje dhe irritim të syrit.
Nga shkaktohen?
Dermatologët thonë se këto infeksione në sy shkaktohen zakonisht nga higjiena jo e mirë, si:
Prekja e syve pa larë duart;
Vendosja e lenteve të kontaktit pa i dezinfektuar më parë;
Mbajtja e make-up gjatë gjithë natës ndërsa flini;
Përdorimi i një make-up të vjetruar
Gjithashtu, nëse vuani nga gjendje të tilla si blefariti (inflamacion kronik i qepallave) ose rosacea (qës shkakton skuqje të lëkurës), jeni më të rrezikuar që të zhvilloni byc në sy.
Trajtimi
Nuk duhet në asnjë moment që të përpiqni ta shtrydhni me duar pasi infeksioni vetëm sa do të përhapet. Bycet zakonisht shërohen vetvetiu dhe nuk kërkojnë ndonjë trajtim special.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.