Institucionet shtetërore, të cilat kanë kompetenca për të kryer prokurime apo tenderë, vijojnë të kenë probleme në zbatimin e ligjit dhe rregulloreve të veprimeve me thesarin e shtetit.
Sipas një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në mbi 50% të rasteve të prokurimeve apo e thënë ndryshe të shpenzimeve, entet publike çojnë me vonesë faturat në degën përkatëse të thesarit. Kjo bën që të krijohen borxhe ndaj kompanive private ose detyrime të prapambetura. Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, e cila kontrollon efektivitetin e përdorimit të fondeve publike sipas 18 parimeve kryesore gjeti dobësi të theksuara në dërgimin e faturave të shpenzimeve në kohë në degët e thesarit.
Analiza për vitin 2020 tregon se 50 për qind e faturave nuk e kanë respektuar afatin 30-ditor të dërgimit në thesar. Për vitin 2020, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 2 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 50%). Pavarësisht se përmirësim në krahasim me vitin e kaluar, realizimi i këtij treguesi mbetet ende i ulët, sidomos për njësitë e vetëqeverisjes vendore. “Për vitin 2020, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 2 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 50 %), duke pësuar rritje të lehtë krahasuar me vitin 2019, ku ky tregues është vlerësuar me 1.85 pikë.
Gjithsesi, situata e reflektuar mund të konsiderohet relativisht problematike në këtë fushë për njësitë e marra në analizë. Kryesisht, arsyet e mosdërgimit në kohë të faturave në thesar vijnë për shkak se furnitorët nuk paraqesin faturat në kohë në institucion, dokumentacioni mbështetës i dërguar nuk është i plotë ose i saktë si dhe ndodh që shpesh të ketë vonesa në lidhje me dërgimin e të dhënave bankare të furnitorit. Për këtë tregues, institucionet që shfaqin më shumë problematika janë: Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Spitali Universitar i Traumës, institucione të cilët janë vlerësuar me pikë minimale, si në vitin 2019”, thuhet në Raportin e Ministrisë së Financave. Gjithashtu, mosfunksionimi i institucioneve dhe stafit përkatës me kapacitet të plotë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, ka sjellë vonesa në respektimin e afateve kohore të vendosura, shpjegoi Ministria e Financave.
FATURAT E DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA
Ashtu si edhe faturat e zakonshme, edhe ato që kanë të bëjnë me detyrimet e prapambetura po shfaqin dobësi në regjistrimin në kohë pranë thesarit. “Faturat e detyrimeve të prapambetura janë dërguar në kohë pranë degës përkatëse të thesarit për regjistrimin në SIFQ, si shpenzime të periudhave të ardhshme (llogaria ekonomike 486)” është një tjetër tregues i analizuar nga struktura përgjegjëse për thesarin. Për vitin 2020, ky tregues është vlerësuar me 1.7 pikë (ose 42.5%), që do të thotë se 42.5% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit kohor prej 30 ditësh në sistem.
Sipas Ministrisë së Financave kjo problematikë vjen për shkak të mungesës së fondeve buxhetore nga ana e institucioneve, të cilat ndërmarrin angazhime përtej kapaciteteve të tyre ose për shkak të mosplanifikimit të duhur mujor të arkës. “Ajo që duhet të mbahet në konsideratë, është fakti se, gjatë vlerësimit të këtij treguesi, ka pasur mungesë të dhënash për pjesën më të madhe të institucioneve, kryesisht institucionet e nivelit qendror, për të cilat struktura përgjegjëse për thesarin është shprehur se nuk mund të japë një vlerësim për ekzistencën apo jo të faturave të detyrimeve të prapambetura, për aq kohë sa ato nuk janë paraqitur për regjistrim në degët përkatëse të thesarit nga ana e institucioneve”, thuhet në një raport të posaçëm të Ministrisë së Financave.
Një tregues tjetër i analizuar është “Të gjitha kontratat janë dërguar në kohë pranë degës përkatëse të thesarit”, i cili përcakton numrin e kontratave të dërguara pranë degëve të thesarit pas tri ditëve nga data e nënshkrimit të tyre kundrejt numrit total të kontratave të dërguara në thesar. Për vitin 2020, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 1.8 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 45%), duke reflektuar një situatë jo mjaft të kënaqshme, përafërsisht të njëjtë me vitin 2019. Të gjitha grupet e institucioneve 20 paraqesin mangësi në këtë fushë, kryesisht njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat janë vlerësuar mesatarisht me 1.6 pikë.
Ndërkohë, arsyet për mosrealizimin e këtij treguesi vijnë kryesisht si pasojë e mungesës së disponibilitetit të personave, të cilët nënshkruajnë kontratën, duke shkaktuar vonesa në dërgimin e tyre. Gjithashtu, afati ditor prej 3 ditësh për dërgimin e kontratave në thesar është praktikisht i pamundur për t’u zbatuar nga institucionet, të cilat nënshkruajnë dhe menaxhojnë një numër shumë të madh kontratash.