MENU
klinika

Raporti i Sigurimit, viti 1969

”Shqiptarët, na shohin si kafshë të egra”

18.08.2021 - 12:18

        Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore me siglën ‘Tepër sekret’, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1969, ku ndodhet një relacion i Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar eprorit të tij, ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ku bëhet fjalë lidhur me komentet e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri dhe ato të shtypit të vendeve të huaja për vendin tonë, si dhe raport-informacioni i vetë ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me të huajt që vinin në Shqipëri për probleme pune. Dokumentet e plota të dy krerëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, ku ata paraqesin para udhëheqjes së lartë të PPSH-së, problemet dhe shqetësimet e tyre lidhur me turistët dhe të huajt që vinin në Shqipëri, duke specifikuar komentet dhe bisedat e tyre, nga lëvdatat për “vendin e bukur buzë Adriatikut që ndërtonte socializmin”, te sharjet për “Shqipërinë komuniste, që është një vasale e Kinës dhe të huajt i shikojnë si kafshë të egra” etj.

Nga: Dashnor Kaloçi

“Një grup turistësh suedezë kur po largoheshin nga vendi ynë janë shprehur: …Ne mësuam shumë nga Shqipëria, jemi të qartë tani për artikujt që shkruajnë disa gazetarë suedezë, të cilët mundohen ta paraqesin të zezë realitetin shqiptar. Na takon ne që të paraqesim të vërtetën mbi Shqipërinë, si është ajo, si ecën në ndërtimin e socializmit të vendit. Ne kemi mësuar shumë mbi vendin tuaj, nga puna e madhe ndërtimtare e popullit tuaj, nga edukata dhe veshja e thjeshtë e rinisë tuaj…”. Po përveç rasteve pozitive, ka edhe shumë prej tyre që kanë shkruar dhe folur keq për vendin tonë duke falsifikuar realitetin. Kështu p.sh.: “Shqipëria, Kina e vogël e Europës, turistët nuk marrin kontakt me popullin, ata i gjuajnë me gurë. Këtu sundon fukarallëku dhe injoranca, kudo ndihet influenca kineze….”


Kështu shkruhet në mes të tjerash në një raport-informacion me siglën ‘Tepër sekret’ të Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar eprorit të tij, ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i cili mban datën 10.VI.1969, ku bëhet fjalë për turistët e huaj që vinin në Shqipëri, si dhe komentet e ndryshme negative dhe pozitive që ata bënin për vendin tonë. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, bashkë dhe me një relacion të ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me të huajt që vinin në Shqipëri për probleme pune dhe masat që duheshin marrë që ata të mos na merrnin sekretet shtetërore, etj.

Informacioni Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET

MINISTRIA E PUNEVE TË BRENDSHME EKZE. Nr 2

DREJTORIA E PARE

Tiranë, më 10.6.1969

I N F O R M A C I O N

MBI TURISTET E HUAJ TE ARDHUR NE VENDIN TONE GJATE KETIJ VITI

Gjatë këtij viti në vendin tonë kanë ardhur rreth 8000 turistë të huaj. Nga korrespodenca që kanë zhvilluar këta me të afërmit e tyre, si dhe nga bisedat e bëra me njerëzit tanë, rezulton se disa prej tyre kanë folur mirë për vendi tonë. Kështu p.sh.:

Një grup turistësh austriakë janë shprehur: “Neve kemi vizituar mjaft vende të ashtuquajtura socialiste, si Poloni, Hungari etj., por vetëm Shqipëria është vend me të vërtetë socialist….” Dy turistë gjermanë kanë thënë: “….Sa ka bërë Partia e Punës Shqipërisë për popullin shqiptar gjatë këtyre 25 vjetëve të çlirimit, nuk ka bërë asnjë Parti tjetër për popullin e vet.

Në Jugosllavi na kanë folur keq për vendin tuaj, por është poshtërsi e madhe që të flasësh keq për një vend burrëror si ky i juaji…”. Një turiste italiane i dorëzon një letër shoqëruesit tonë, ku ndërmjet të tjerash i shkruante: “Të dashur shokë shqiptarë, kam ardhur në vendin tuaj me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe kam mbetur shumë e entuziazmuar nga puna që është bërë gjatë këtyre vjetëve nën udhëheqjen e Partisë dhe udhëheqësit të madh shokut Enver Hoxha. Ju sjell përshëndetje një shoqe italiane që shikon me bindje shpirtin e pamposhtur dhe kurajon tuaj me një admirim të thellë. Rroftë populli heroik shqiptar, rroftë Partia e madhe e Punës, rroftë shoku Enver Hoxha…”.

Duke komentuar marrëdhënien tonë me Republikën Popullore të Kinës, një grup turistësh gjermano-perëndimorë dhe francezë, kanë thënë: “…Juve keni një mik të madh, popullin kinez që ju ndihmon në mënyrë internacionaliste”.

Mjaft turistë të tjerë thonë që në orët e para të qëndrimit në vendin tonë: “Ne po bindemi se Shqipëria nuk është ashtu siç na kanë folur, këtë realitet neve do t’ja themi popullit tonë por sa të kthehemi…”.

Një polemikë dhe luftë e vërtetë është hapur dhe në shtypin suedez midis atyre që shtrembërojnë me qëllim rezultatin dhe atyre që e paraqesin drejt atë. Gazetarja suedeze, Inga-Lill Valftridson, në një artikull të gjatë për Shqipërinë të botuar në “TINGSINGAL”, ndër të tjera shkruante: “…Qëllimi i këtij artikulli nuk është që të detyrojë gazetat borgjeze që të shkruajnë artikuj të mirë për Shqipërinë Socialiste, se kjo do të ishte e pamundur, por të theksojë nevojën e një informacioni më të drejtë mbi Shqipërinë….”.

Një grup turistësh suedezë kur po largoheshin nga vendi ynë janë shprehur: “…Ne mësuam shumë nga Shqipëria, jemi të qartë tani për artikujt që shkruajnë disa gazetarë suedezë, të cilët mundohen ta paraqesin të zezë realitetin shqiptar. Na takon ne që të paraqesim të vërtetën mbi Shqipërinë, si është ajo, si ecën në ndërtimin e socializmit të vendit. Ne kemi mësuar shumë mbi vendin tuaj, nga puna e madhe ndërtimtare e popullit tuaj, nga edukata dhe veshja e thjeshtë e rinisë tuaj…”.

Po përveç rasteve pozitive, ka edhe shumë prej tyre që kanë shkruar dhe folur keq për vendin tonë duke falsifikuar realitetin. Kështu p.sh.: “Shqipëria, Kina e vogël e Europës, turistët nuk marrin kontakt me popullin, ata i gjuajnë me gurë. Këtu sundon fukarallëku dhe injoranca, kudo ndihet influenca kineze….”.

Ndërsa disa të tjerë shkruajnë: “Kryeqyteti shqiptar është vend mjaft i mbyllur, njerëzit këtu janë mjaft të këqij, na shikojnë si kafshë kurioze dhe të egra, imagjinoje një vend injorant nga e gjithë bota dhe në fund të botës. Megjithë vapën e madhe, këtu na detyrojnë të veshim pantallona sipër rrobave, nuk na lejojnë të zbulojmë këmbët. Në vitrinat e magazinave nuk kanë asgjë, vetëm se fotografi dhe propagandë, çdo gjë është demode, amballazhi dhe prodhimet janë të një cilësie shumë të keqe. Nga të gjitha anët shikohen kinezë. Janë prishur kishat dhe xhamitë, nuk ka mbetur asgjë interesante për t’u parë….”.

Kurse një grup tjetër turistësh francezë, shkruajnë:“…Kujtime të bukura nga Shqipëria, ku mjekra na u hoq dhe flokët na u qethën, fustanet e shkurtra, pantallonat e ngushta dhe mjekrat, janë të ndaluara”.

Ndërsa turistët gjermanë, komentojnë:“…Në këtë vend dominon fukarallëku që nuk ta merr mëndja, populli është veshur shumë keq, gratë janë me rroba të gjata dhe pjesërisht me ferexhe, kudo ka vetëm parrulla politike, njerzit na duken të trishtuar, mjeti kryesisht i komunikacionit në Shqipëri, janë biçikletat dhe mushkat, këtu janë mërzitur mjaft, ndoshta nga makinat kineze dhe kinezët…”.

Në letrën e tij një turist zviceran shkruan: “…Shumë përshëndetje nga paradhoma (salloni) i Kinës. Ky është një vend tërheqës, vepron tamam sipas stilit komunist të Maos. Shqipëria është vend i bukur por i varfër. Kujtimet më të mira nga ky vend primitiv dhe i varfër…”.

DREJTORI i DREJTORISE SE I–RE

FEÇOR SHEHU

Raport-informacioni i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Hysni Kapos, lidhur me të huajtë që vijnë në Shqipëri për problem pune

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME EKZE. Nr 1.

DREJTORIA E PARE

E përkohshme, 2 vjet

DEGA E III-TE

NR.I Prot. 285

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN