MENU
klinika

Emra të mëdhenj

Shumë të famshëm dhe… kompozitorë në kohën e lirë!

20.08.2021 - 17:22

          I njohim për talentin kinematografik, apo mjeshtërinë e penës, por shpesh pasioni për muzikën, madje edhe kompozimi mbeten të panjohur. Fridrih Niçe, Klint Istvud, Çarli Çaplin janë kompozitorët që fshihen pas emrave të mëdhenj të kulturës./Konica.al

I përshëndetur gjithë jetën si mësues i famshëm kimie, Aleksandër Borodin ëndërronte veçse një gjë: të kompozojë. Madje, u kërkonte miqve të mos i thoshin më: “Uroj të jesh mirë”, por përkundrazi: “Uroj të jesh sëmurë”, që të qëndronte në shtëpi dhe të kompozonte muzikën që dëgjonte në kokë. Mirëpo, Borodini nuk është i vetmi që kompozoi në kohën e lirë. Aktorë, shkrimtarë, janë të shumë emrat e artistëve dhe intelektualëve që fshehin talentet muzikore.

Kështu kompozonte Niçe

Filozofi dhe filologu gjerman, Fridrih Niçe iu bashkua panteonit të intelektualëve për veprat, si “Perëndimi i idhujve”, “Shkenca e gëzuar” dhe “Kështu foli Zarathustra”, veçse shkrimtari i famshëm fsheh po ashtu talentin muzikor, që e ka ushtruar që në moshën 9-vjeçare. I dhënë pas pianos, ai kompozoi rregullisht pjesë të vogla, prej të cilave edhe fantazi dhe mazurka. Në vitin 1872 kompozoi “Manfred-Meditation” për piano me katër duar, të cilën ia dorëzoi dirigjentit Hans von Bulow. Ky i fundit i dha një opinion aspak lajkatar: “Meditimi juaj, nga pikëpamja muzikore, nuk ka tjetër vlerë, veç atij të një krimi në rendin moral”. Disi i dekurajuar, Niçe i ofroi shumë nga kompozimet e tij Cosimas dhe Riçard Vagnerit, gjithnjë admirues i madh i këtij të fundit. Pavarësisht nga vlerësimi dhe respekti midis Niçes dhe Vagnerit, thuhet se Riçardi nuk arriti t’i dëgjonte plotësisht pjesët, pasi e kapi gazi teksa filloi t’i dëgjojë. Pa u ndikuar nga opinionet e Bulow dhe Vagnerit, muzika e Niçes mund të dëgjohet nga gjithkush, për kënaqësinë e atyre që kërkojnë një surprizë të këndshme…

Çarli Çaplin, diktatori, kompozitori

Mustaqet dhe shkopi njihen menjëherë në mbarë botën, por kush do ta njihte Çarli Çaplinin nga muzika e tij? Megjithatë, prej vitit 1931, ai është përgjegjës për çdo kolonë zanore të filmave të tij, madje kompozoi edhe muzikën e filmave të vjetër pa zë. I kujdesshëm ndaj futjes së zërit në kinema, ai specifikon në autobiografi: “një nga avantazhet me ardhjen e tingullit ishte se unë mund ta kontrolloja muzikën, pra e kompozova vetë”. Muzikant autodidakt që adoleshent, mësoi violonçelin dhe violinën me dorën e majtë (instrument kyç në punën kinematografike të Çaplinit). I aftë të luante në instrument, por i paaftë të lexonte partitura, madje nuk shkruante dot qoftë edhe një kompozim. Si rrjedhojë, ishte aranzhuesi ai që diktonte me saktësi temat dhe tingujt e imagjinuar prej tij. Në të gjallë, Çaplini do takohej me shumë titanë të muzikës, si Debysi, Rahmaninof, Kazal, Karruzo, Stravinski dhe Shoenberg. Ky i fundit admironte humorin e Çaplinit, por shton se muzika ka cilësi shumë të dobët!

Antoni Burges, muzikë portokalli

Nga pena e Antoni Burges lindi një nga romanet më domethënës të shekullit të 20-të, “Portokalli mekanik”, historia e një krimineli të dhunshëm i pasionuar pas muzikës klasike, veçanërisht muzikës së Ludvig van Bethovenit. Mirëpo, nëse Antoni Burges nuk ndan cilësitë e dhunshme të personazhit të tij imagjinar, ai ndan katërcipërisht pasionin muzikor. Muzikant autodidakt, ai kompozoi pjesë të shumta klasike, përfshi simfoni, koncerte dhe kantata, por edhe muzikë dhome dhe pjesë solo. Kaq i apasionuar ishte pas muzikës, saqë në 1991 shkroi në “The Economist”: “Do të doja që njerëzit të më shihnin si një muzikant që shkruan libra, sesa një shkrimtar që shkruan muzikë në kohën e tij të lirë”. Mjerisht, suksesi i veprës letrare të Antoni Burges e tejkalon reputacionin e kompozimit, ndaj emri i tij lidhet me letërsinë, pavarësisht ëndrrës./Konica.al

Klint Istvud, i miri, i egri dhe kompozitori

I njohim fare mirë kolonat zanore të Enio Morikones, që shoqëron “Njeriu pa emër” nga Klint Istvud. Por dimë fare pak për muzikën e kompozuar nga ky i fundit për filmat e tij, përfshi “Mystic River”, “Million Dollar Baby”, “Flags of Our Fathers”, “Grace Is Gone”, “Changeling”, “Hereafter”, “J. Edgar” dhe “In the Line of Fire”. Njëlloj si Çaplini, Istvudi kompozoi me ndihmën e një aranzhuesi për të hedhur në fletë secilën prej pjesëve origjinale të kompozuara për filmat e vet.

Antoni Hopkins, muzika e qengjave

Bëhet fjalë për një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. “Unë doja të bëhesha kompozitor, por u bëra aktor si parazgjedhje. Më ofruan një bursë për t’u regjistruar në një kolegj muzike dhe drame, me shpresën se do zgjidhja muzikën. Por, përfundimisht e gjeta veten student teatri, kësisoj e ndoqa këtë rrugë për 60 vjet”, – shprehet aktori.

Mirëpo, kjo nuk e pengoi legjendën e kinematografisë të përmbushte dëshirën për të kompozuar përgjatë rrugëtimit të karrierës së tij. Madje, ai shkroi kolonat zanore për projektet e tij kinematografike, përfshi filmat “August” (1996) dhe “Slipstream” (2007). Për këtë të fundit, Hopkins nuk do të jetë vetëm kompozitori i kolonës zanore, por edhe orkestruesi, madje edhe dirigjenti. Në vitin 2011, Hopkins synoi të luante për herë të parë valsin e tij: “And The Waltz Goes On”, i kompozuar në 1964, nga Andre Rieu dhe orkestra e tij. Një vit më vonë, botoi një përmbledhje të kompozimeve, titulluar “Kompozoj”. Pas gati 7 dekadash, i themi lamtumirë aktorit Antoni Hopkins dhe i urojmë mirëseardhjen kompozitorit eponim!/Konica.al