“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si duhet matur tensioni?
Mjeku: Për të përcaktuar nëse vuani nga hipertensioni duhet të bëni matjen e tensionit. Pozicionimi i dorës dhe faktorë të tjerë mund ta ndryshojnë me 10% ose më shumë vlerën e tensionit. Kjo mund të mjaftoj për të fshehur presionin e lartë të gjakut duke orientuar mjekun për një mjekim jo të përshtatshëm.
Ndiqni këto hapa në mënyrë që vlera e tensionit të dalë e saktë:
30 minuta para se të bëni matjen e tensionit mos pini duhan apo kafe.
Qëndroni ulur në qetësi për 5 minuta para se të masni tensionin.
Gjatë matjes së tensionit uluni, mbështetini këmbët në tokë dhe krahun mbështeteni në mënyrë që bërryli të jetë afërsisht në nivelin e zemrës.
Mansheta e aparatit të tensionit duhet të vendoset në kontakt me lëkurën (jo mbi bluzë ose këmishë) duke mbuluar të paktën 80% të pjesës së sipërme të krahut.
Nuk duhet të flisni kur ka filluar matja e tensionit.
Matja e tensionit duhet të bëhet 2 herë me një pushim ndërmjet. Nëse vlera e tensionit ndryshon me 5 mm Hg ose më shumë, këshillohet një matje tjetër.
Megjithatë matja e tensionit varion në varësi të situatës. Për shembull, nëse ju ndodh të keni marrje mendsh kur zgjoheni në mëngjes ose kur qëndroni ulur duhet të kontrolloni presionin e gjakut ulur dhe në këmbë për të parë nëse ulet nga njëri pozicion tek tjetri.
Duke qenë se presioni i gjakut ndryshon përgjatë ditës mjekët nuk mund të vendosin diagnozën e hipertensionit mbi bazën e një matjeje të vetme. Mjeku mund të shikojë të arsyeshëm konfirmimin e matjeve në të paktën dy raste të ndryshme. Këto matje duhet të kryhen në një distancë kohore prej disa javësh nga njëra tjetra. Nga ky rregull përjshatohen rastet kur tensioni rezulton 180/110 mm Hg ose më i lartë, në këto raste është i nevojshëm një trajtim i menjëhershëm.
Gjithashtu një ide e mirë është matja e tensionit të paktën një herë në të dy krahët, pasi leximi në njërin krah (zakonisht në krahun e djathtë) mund të jetë më i lartë se në krahun e majtë. Një studim i publikuar në The American Journal of Medicine i cili përfshinte rreth 3.400 persona ka treguar se ka një ndryshim të presionit sistolik të gjakut me rreth 5 mm Hg nga njëri krah tek tjetri. Mjeku bazohet në matjen më të lartë për dhënë mjekimin.
Në përgjithësi kur kemi tension me vlera që variojnë nga 160/100 mm Hg deri në 179/109 mm Hg duhet bërë një rivlerësim brenda dy javësh. Ndërsa në rastet kur vlerat janë midis 149/90 mm Hg dhe 159/99 mm Hg një matje tjetër duhet përsëritur brenda 4 javësh. Njerëzit e vlerësuar me pre-hipertension (vlera nga 120/80 deri në 139/89 mm Hg) duhet të bëjnë rikontroll brenda 4 ose 6 muajsh. Njerëzit me vlera normale të tensionit (më pak se 120/80 mm Hg) mund të bëjnë kontroll vjetor.
Megjithatë mjeku mund t`ju kërkoj të bëni një konsultë më herët nëse matjet e tensionit herën e parë kanë qenë shumë të ulëta ose nëse keni shenja për sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të mushkërive, trurit, veshkave, syve ose faktorë të tjerë të njohur risku.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.