08.08.2021 - 09:04
Paraqitet ende kritike situata me zjarret në fshatin Dukat të Vlorës. Që prej orës 06:00 të mëngjesit në zonë është ndërhyrë nga ajri me helikopterin e mbërritur nga Holanda. Flakët janë riaktivizuar gjatë mesnatës, ndërsa është punuar gjatë gjithë natës nga forcat zjarrfikëse, që kanë qenë në terren për të mbajtur nën kontroll flakët.
Pasi u neutralizuan gjatë pasdites vatrat e zjarrit në Dukat të Ri dhe në Gjirin e Gramës në qarkun e Vlorës, si dhe Kukës, problematika u rikthye sërish në orët e mbrëmjes.
Deri më tani është shmangur rreziku i përhapjes së flakëve në zonën e Llogarasë, që mund të përpinin pyllin e Llogarasë, një nga zonat më të bukura të Jugut.