MENU
klinika

Zjarret bëjnë kërdinë

Dukat dhe Karaburun, riaktivizohen vatrat!

07.08.2021 - 10:08

Gadishulli i Karaburunit dhe Dukati vijojnë të digjet nga zjarret prej më shumë se dy javësh. Flakët po bëjnë kërdinë me pyjet e bredhat duke djegur gjithçka u del para duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Edhe pse flakët vihen në kontroll herë pas herë, era e fortë në zonë bën që disa vatra të riaktivizohen sërish. Edhe mëngjes e  sotëm janë riaktivizuar disa prej tyre në Karaburun, mbi fshatin Dukat, ndërsa flakë të mëdha dhe të pakontrollueshme janë në Gjirin e Gramës. Disa punonjës të zonave të mbrojtura janë drejtuar drejt Gjirit të Gramës për t’u munduar të mbajnë në kontroll flakët.

Ditën e sotme ka nisur punën edhe një nga helikopterët e ardhur nga Holanda për shuarjen e flakëve,  ndërsa zjarrfikësja por edhe banorë të Dukatit po ndërhyjnë me mjete rrethanore nga toka. Helikopteri ‘Chinook’ nga Holanda ka kapacitet ujëmbajtës 10 mije litra ose me kapacitet sa 5-fishi i helikopterit tonë. Dje erdhën 3 helikopterë në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për të përballuar situatën me zjarret, 2 helikopterë nga Holanda, 1 nga Çekia dhe të 3 do të dalin sot në terren për të “luftuar” flakët.

Në Karaburun janë djegur 1200 hektar, kryesisht kullota, ndërsa 35 janë me pemë të larta. Drejtori për Zonat e Mbrojtura Zamir Dedej  tha në Report Tv se për rikuperimin e kësaj bimësie duhet 20-30 vite.