MENU
klinika

Bashkohen kallëzimet penale të PD-së dhe aleancës

SPAK konfirmon nisjen e hetimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar

04.08.2021 - 11:12

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmon se ka nisur hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2019.

Gazeta “Panorama” ka siguruar letrën zyrtare që SPAK-u i ka dërguar Partisë Demokratike pas kërkesës zyrtare për informacion që bëri PD-ja se në çfarë faze janë hetimet për kallëzimin penal që kishin bërë 13 muaj më parë. Në përgjigjen që SPAK- u i ka çuar PD-së sqarohet se për shembjen e Teatrit në Prokurorinë e Posaçme kanë shkuar dy kallëzime penale për shpërdorim detyre, një nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe disa muaj më vonë edhe nga Partia Demokratike.

Letra, e cila mban vulën e titullarit të SPAK-ut, Arben Krahja, bën me dije se regjistrimi i procedimit penal dhe nisja e hetimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar është regjistruar në muajin janar të vitit 2020 pas kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Ndërkohë, në qershor po në të njëjtit vit në të njëjtin hetim është futur edhe kallëzimi që është bërë nga Partia Demokratike po me të njëjtin objekt. Por ndërkohë, SPAK-u nuk jep detaje se në çfarë faze ndodhen hetimet, pasi sipas tyre përbëjnë sekret hetimor dhe nuk i lejon ligji.

PËRGJIGJA E SPAK

“Në përgjigje të kërkesës tuaj të datës 6.07.2021, ju sqarojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të datës 31.12.2019, më datë 23.01.2021 regjistroi procedimin penal nr. 29, veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Gjithashtu, iu bëjmë me dije se edhe kallëzimi i bërë nga subjekti politik ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’, protokolluar pranë kësaj prokurorie më 4.06.2020 është bashkuar me këtë procedim penal.

Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota e të gjithanshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake nuk mund t’iu informojmë në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me përmbajtjen e akteve hetimore të këtij procedimi penal do të njiheni në përfundim të hetimeve paraprake”.

KËRKESA E PD

Më 6 korrik dy përfaqësuesit e PD-së, sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, dhe deputetja e zgjedhur Flutura Açka dorëzuan në SPAK kërkesën zyrtare për informacion. “Sapo kemi dorëzuar këtu në SPAK kërkesë për informacion. 13 muaj e 4 ditë më parë Partia Demokratike ka bërë një kallëzim penal në SPAK për sa i takon shembjes së Teatrit Kombëtar. Kanë kaluar 13 muaj dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë është bërë me këtë çështje.

Sot bazuar në dispozitat përkatëse, neni 283/58 etj., të Kodit të Procedurës Penale kërkojmë informacion nga SPAK-u se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë. Ku janë hetimet? Çfarë ka ndodhur? Çfarë masash janë marrë deri tani? Të mos harrojmë se sapo është shpallur një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konstatuar si antikushtetues të gjitha veprimet që janë bërë me shembjen e Teatrit Kombëtar. Që kur kemi bërë kallëzimin ne i kemi ditur këto, madje edhe tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, na rezulton se pikërisht ata që kemi kërkuar ne, janë fajtorë.

Ne kemi bërë një kallëzim mbështetur në 9 vepra penale ku janë përcaktuar me radhë në këtë kallëzim personat përgjegjës që fillojnë me Kryeministrin Edi Rama, me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe të gjithë të tjerët me radhë që kanë marrë pjesë në këtë masakër që i është bërë, kulturës së trashëgimisë sonë dhe pasurisë publike. E gjitha kjo në emër të korrupsionit, në emër të abuzimit, të shfrytëzimit të pasurisë publike për interesat e tyre personale, për interesa të oligarkisë që ata mbrojnë”, tha Gjata.