MENU
klinika

Mjeku nxjerr të dhënat e studimit brazilian

“Të nisë sa më shpejt vaksinimi me dozën e tretë në Shqipëri”

21.08.2021 - 15:18

Epidemologu i njohur, Ilir Alimehmeti, publikon të dhënat e një studimi brazilian, i cili vë theksin te nevoja për të mbështetur me vaksinim të mëtejshëm personat e moshuar që kanë marrë vaksinën CoronaVac.

Mjeku shqiptar thekson se gjetjet e këtij studimi janë për variantin Gama, ndërkohë që aktualisht mbizotërohemi nga varianti delta.

Mes të tjerash, Alimehmeti shkruan në “Facebook” se “Të gjitha këto gjetje, së bashku me gjetjet e postuara më parë nga studimi i fazës 1 dhe 2 klinike të CoronaVac nga CDC e Kinës (postuar më parë) dhe faktit që Turqia e ka nisur dozën e tretë me zgjedhje (CoronaVac ose Pfizer) që prej datës 1 korrik 2021, çon drejt nevojës që edhe në Shqipëri të ponderohet sa më shpejt vaksinimi me dozë të tretë të personave të vaksinuar me dy doza CoronaVac dhe që nuk e kanë kaluar sëmundjen”.

Postimi i mjekut Alimehmeti:

“Në çështjet e shkencës, autoriteti i njëmijë vetëve nuk vlen sa arsyetimi kokëulur i një individi të vetëm”
Cit.: Galileo Galilei
Rezultate të reja, këtë herë nga Brazili e të botuara dje (20 gusht 2021) në prestigjiozen British Medical Journal (BMJ), flasin sërish mbi nevojën për të mbështetur me vaksinim të mëtejshëm personat e moshuar që kanë marrë vaksinën CoronaVac.
Më 24 maj 2021, kur OBSH-ja miratoi vaksinën CoronaVac, shkruan shumë qartë në faqen 3 të raportit (foto në fund):
Pjesëmarrësit >60 vjeç janë të pamjaftueshëm në studimet klinike, …; si rrjedhojë, efikasiteti i vaksinës nuk mund të përcaktohej nga studimet klinike.
Për ta bërë këtë rekomandim më të fortë dhe më të bazuar mbi evidencë, duhet të prodhohen të dhëna të mëtejshme mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës në këtë grupmoshë.
Linku i raportit: https://apps.who.int/…/WHO-2019-nCoV-vaccines-SAGE…
🇧🇷 Një studim shumë i detajuar u krye në shtetin Sao Paulo mbi personat >70 vjeç në një efort të kombinuar institucionesh të mirënjohura Braziliane, Spanjolle dhe Amerikane. KUJDES:

Të gjitha të dhënat i përkasin periudhës së mbizotërimit të variantit Gama në Brazil, i cili jodetyrimisht sillet njësoj si varianti Delta që është aktualisht mbizotërues.

Detajet e studimit:
43.774 pjesëmarrës me moshë ≥70 vjeç, nga të cilët
26.433 raste pozitive simptomatike dhe
17.622 raste kontrolli negative
Periudha 17 Janar – 29 Prill 2021.
Efektiviteti i CoronaVac sipas moshës rezultoi:
70-74 vjeç:
59.0% efektiviteti kundër COVID-19 simptomatik,
77.6% efektiviteti kundër shtrimit në spital,

83.9% efektiviteti kundër humbjes së jetës.
75-79 vjeç:
56.2% efektiviteti kundër COVID-19 simptomatik,

66.6% efektiviteti kundër shtrimit në spital,
79.0% efektiviteti kundër humbjes së jetës.
≥80 vjeç:
32.7% efektiviteti kundër COVID-19 simptomatik,
38.9% efektiviteti kundër shtrimit në spital,
44.0% efektiviteti kundër humbjes së jetës.
Në total, autorët konkludojnë se regjimi me dy doza CoronaVac shoqërohet me efektivitet
47% kundër covid-19 simptomatik,

56% kundër shtrimit në spital dhe
61% kundër humbjes së jetës.
U vu re se efektiviteti bie me rritjen e moshës.

Kujdes:

Nuk është studiuar efektiviteti ndaj infektimit në total, por vetëm ndaj atij simptomatik!
Kriteri i OBSH-së për dhënien e rekomandimit ishte efektiviteti >50% ndaj infektimit, ndërkohë që vërehet efektivitet 47% kundër covid-19 simptomatik, pra infektimi total e ka edhe më të ulët efektivitetin!

Përsëris sërish: Gjetjet janë për variantin gama, ndërkohë që aktualisht mbizotërohemi nga varianti delta.
⚠ Të gjitha këto gjetje, së bashku me gjetjet e postuara më parë nga studimi i fazës 1 dhe 2 klinike të CoronaVac nga CDC e Kinës (postuar më parë) dhe faktit që Turqia e ka nisur dozën e tretë me zgjedhje (CoronaVac ose Pfizer) që prej datës 1 korrik 2021, çon drejt nevojës që edhe në Shqipëri të ponderohet sa më shpejt vaksinimi me dozë të tretë të personave të vaksinuar me dy doza CoronaVac dhe që nuk e kanë kaluar sëmundjen.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë