MENU
klinika

SHBA nuk përfshihet në konflikt

“U përket afganëve të mbrojnë vendin e tyre”

10.08.2021 - 12:19

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se u takon forcave afgane të sigurisë që të mbrojnë shtetin, pasi militantët talibanë kanë fituar kontrollin e gjashtë kryeqyteteve të provincave.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë muaj më parë se misioni i ushtrisë amerikane në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht dhe se afganët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

Biden po ashtu ka thënë se nuk do të përfshijë edhe një tjetër gjeneratë të amerikanëve në luftën 20-vjeçare.

I dërguari i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad është nisur drejt Katarit, ku pritet “të shtyjë talibanët që t’i japin fund ofensivës ushtarake dhe të negociojnë një zgjidhje politike”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

Në bisedimet përgjatë tri ditëve, përfaqësues nga qeveritë dhe një mori organizatash pritet të bëjnë thirrje për “ulje të shkallës së dhunës, armëpushim dhe përkushtim për të mos njohur ndonjë pushtet të fituar me dhunë”, ka thënë mes tjerash DASH-i.

Talibanët, të cilët po luftojnë për të rivendosur ligjin e ashpër islamik, pas rrëzimit nga pushteti më 2001, kanë zgjeruar fushatën e tyre për të mposhtur forcat qeveritare, teksa tërhiqen trupat e huaja.

Ndërkohë që po rritet dhuna e talibanëve, ushtria amerikane ka paralajmëruar se siguria në Afganistan “nuk po shkon në drejtim të duhur, dhe ka sfiduar qeverinë në Kabul të bëjë më shumë për të mbrojtur veten”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë më 9 gusht se është i shqetësuar, ndonëse ka thënë se beson që forcat afgane kanë kapacitet për të mbrojtur shtetin, pavarësisht raportimeve për avancim të talibanëve.

“Këto janë forcat e tyre ushtarake, këto janë kryeqytetet e provincave, njerëzit e tyre për t’i mbrojtur dhe tani i përket udhëheqësisë për të treguar gatishmëri për dalje nga ky moment”, ka thënë Kirby.

Një zyrtar i lartë i NATO-s ka thënë më 9 gusht se talibanët duhet t’i kthehen procesit politik apo në të kundërtën “nuk do të njihen kurrë nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Nuk ka zgjidhje ushtarake ndaj konfliktit dhe talibanët duhet ta kuptojnë se nuk do të njihen kurrë nga komuniteti ndërkombëtar nëse refuzojnë procesin politik, apo tentojnë të marrin shtetin me forcë”, ka thënë ky zyrtar i paidentifikuar i NATO-s.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se ushtria ka paralajmëruar presidentin Biden se kryeqytet e provincave do të mund të binin nën kontrollin e talibanëve, pas tërheqjes së trupave amerikane, mirëpo tani janë të befasuar sesa shpejt ka ndodhur diçka e tillë.

SHBA-ja ka kryer më pak se dhjetëra sulme ndaj talibanëve në fundjavë dhe në një rast u ka shkatërruar pajisjet militantëve.

Një zyrtar ka thënë se forcat afgane nuk kanë kërkuar ndihmë, teksa një kryeqytet province u ka rrëshqitur nga kontrolli.

Më 9 gusht, luftëtarët talibanë kanë fituar kontrollin e provincës Samangan, teksa forcat kombëtare të sigurisë kanë vazhduar betejat në tri provinca tjera, Balkh, Takhar dhe Kunduz.

Rënia e Aybak, kryeqytetit të provincës Samangan, vjen një ditë pasi militantët kanë fituar kontrollin e tri kryeqyteteve tjera të provincave, përfshirë atë në Kunduz, më pas Sar-e Pol dhe Taloqan.

Kështu, talibanët kanë çuar në gjashtë numrin e kryeqyteteve të provincave që kanë në kontroll të plotë, pasi më 6 gusht, militantët kanë marrë kontrollin e Zaranj, kryeqytetit të provincës Nimroz, si dhe atë të provincës Jowzan.

Forcat qeveritare në Kunduz tani është thënë se kanë në kontroll vetëm aeroportin dhe bazën e tyre ushtarake, derisa ndërtesat tjera qeveritare tani janë në duart e militantëve.

Nëse talibanët e forcojnë kontrollin në Kunduz, qytet me rreth 375.000 banorë, kjo do të përbëjë rënien më të madhe të ndonjë qendre prej muajit maj.

Zyrtarët e sigurisë kanë raportuar edhe për luftime të mëdha në qytetin Herat, afër kufirit me Iranin.

Shumë civilë kanë mbetur viktima të luftimeve, derisa Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka thënë më 9 gusht se të paktën 27 fëmijë janë vrarë dhe 136 të tjerë janë plagosur në provincat Kandahar, Khost, dhe Pakria brenda tri ditëve të fundit.

“Këta nuk janë numra. Secila vdekje dhe secili rast i vuajtjes fizike përbën tragjedi personale”, ka thënë Hervé Ludovic De Lys, përfaqësues i UNICEF-it për Afganistanin, përmes një deklarate.

Në Kunduz dhe Herat, dhjetëra civilë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë apo janë plagosur si pasojë e luftimeve.

Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Çfarë tha lideri iranian për situatën në Siri

Teherani pretendon se rrëzimi i Assadit u planifikua nga SHBA

Policia bastis zyrën e Presidentit të Koresë së Jugut

Ish-ministri i Mbrojtjes tenton v*tëvrasjen në paraburgim!

Netanyahu dëshmon në gjyqin ndaj tij për korrupsion

Një pikë e ulët në karrierën e udhëheqësit më jetëgjatë të Izraelit

Perëndimi ka bërë sërish një gabim fatal

Një tjetër shtet europian kërcënohet nga “skenari Trump”