Ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët” janë në proces restaurimi, në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Berat. Nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat, nënvizohet se po dalin në dritë, thesare të trashëgimisë.
“I përditshëm ky proces, ku dalë-ngadalë dalin në dritë thesare të trashëgimisë tonë kulturore.
DRTK Berat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe ITKT-Tiranë është duke restauruar ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë ” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”.
Dy diamante të Kostandin Zografit, që datojnë në fundin e shekullit XVIII”.
Kostandin dhe Athanas Zografi, ishin vëllezërit piktorë shqiptarë të shekullit të 18-të, nga Dardha (Drenovë) e Korçës.
Ata janë konsideruar si piktorët më të njohur të shqiptarë postbizantinë, të artit ikonografi të shekullit të 18 dhe në përgjithësi, të rajonit të Epirit.
Veprimtaria e piktorëve korçarë në vetvete është shumë e madhe, si në pikturën murale si dhe në ikona, dhe shtrihet edhe jashtë kufijve të atdheut, dihet se përfshihet në periudhën 1744- 1783. Nga piktorët Zografë, përveç ikonash të panumërta, trashëgojmë mbi 10 ansamble pikturale murale.
Mbas një studimi krahasues të materialeve epigrafike e pikturale të botuara nga autori grek Pelekanidhi, del se aktivitetit të piktorëve korçarë Kostandin e Athanas Zografit, të njohur deri më sot, brenda dhe jashtë atdheut, duhet t’i shtohen edhe dy ansamble pikturale, që ndodhen në dy kisha të Prespës në Greqi dhe se fillimi i aktivitetit të këtyre piktorëve duhet të çohet më 1741, në vend të vitit 1744.
Puna e vëllezërve Zografi, ka një kahje të dukshme drejt barokut, me pamje lineare e figurave fetare dhe në të njëjtën kohë, duke adoptuar një stil ornamental, me një shumëllojshmëri të gjerë të ngjyrave kafe dhe të ndritshme.