MENU
klinika

Të dëshpëruar për t’u larguar nga Kabuli

VIDEO/ Momentet e frikshme kur tre persona bien nga avioni

16.08.2021 - 12:17

Një video që është publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media ndërkombëtare po bën xhiron e internetit, por autenticiteti i saj nuk është konfirmuar.

Bëhet fjalë për pamjet e trishta që tregojnë njerëz që bien nga një avion i cili ishte ngritur nga aeroporti i Kabulit.

Video u postua fillimisht në Twitter nga agjencia Asvaka dhe dyshohet se tregon tre persona që rrëzohen kur aeroplani që ishte nisur nga Kabuli rriti shpejtësinë pasi u ngrit nga pista.

Përdoruesit e mediave sociale shkruajnë duke cituar dëshmitë e vendasve, të cilët pohojnë se tre persona, të cilët ishin lidhur tek rrotat e aeroplanit kur po ngrihej nga Kabuli, ranë prej tij pasi avioni u ngrit në ajër.


Dyshohet se tre personat po përpiqeshin të linin Afganistanin pasi talibanët kanë marrë kontrollin e vendit. Një tjetër video e postuar në Twitter dyshohet se tregon momentet kur këta persona kapen pas rrotave të avionit kur ai ishte ende në pistë.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani dhe marrja e menjëhershme e pushtetit nga talibanët, e kanë zhytur vendin në kaos.

Dy dekada pas rrëzimit të tyre, talibanët rikthehen në qendrën e pushtetit, Kabul, dhe sipas disa njoftimeve në media kanë marrë kontrollin edhe në kryeqytet.

Pas marshimit të tyre të furishëm, luftëtarë të armatosur talibanë festuan “fitoren e madhe” në Pallatin Presidencial” në Kabul.

Televizioni al-Xhazira publikoi pamje, ku shiheshin komandantë dhe duzina talibanësh radikalë islamikë në pallat.