Akademiku Artan Fuga ka analizuar në rrafshin politik dhe filozofik vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për përjashtimin e liderit historik, Sali Berisha.
Përmes një interviste për News24, Fuga u shpreh se procedura e ndjekur për marrjen e këtij vendimi nuk është e duhura, pasi nuk është e mbështetur mbi parime demokratike.
Bashkëpunimin e mundshëm mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, të aluduar së fundmi nga Berisha në lidhje me përjashtimin e tij, Fuga e lë në dorën e ish-kryeministrit ta provojë.
Sipas tij deklaratat e kryeministrit Rama se Partisë Demokratike i ka mbetur vetëm një dhëmballë e prishur dhe vendimit të Bashës për heqjen e kësaj dhëmballe lindin dyshimet për një konvergjencë të mundshme midis të dyve.
“Unë nuk e besoj asgjë për të cilën unë nuk kam fakte apo shoh fakte. Kur zoti Berisha të japë faktet atëherë unë do ta besoj. Por kur para katër ditësh zoti Rama tha se Partia Demokratike ka vetëm një dhëmballë të prishur dhe pas katër ditësh zoti Basha heq dhëmballën e prishur. Lindin dyshimet për një konvergjencë midis tyre.
A është ky një pazar apo një përfundim logjik që s’ka çështje me pazarin i takon zotit Berisha ta vërtetojë”, përfundoi Fuga.
Sipas tij vendimi do të ishte i duhuri nëse grupi parlamentar i PD-së do të vendoste përjashtimin për një kohë të caktuar të Berishës dhe jo të ishte një vendim i minutës së fundit vetëm i kryedemokratit Basha.
“Sigurisht që ky vendimin e dobëson Partinë Demokratike. Unë kam frikë se ky kaos i krijuar mes grupit parlamentar të partisë Demokratike dhe simpatizantëve të saj mund të precipitojë dhe më shumë. Unë nuk po flas për përmbajtjen e vendimit por për mekanizmin e marrjes së vendimit që nuk është ai i duhuri. Unë them që marrja e një vendim në mënyrë jo demokratike pa pyetur forumet dhe pa kolegjialitet nuk është i duhuri.
E drejta dhe e padrejta qëndrojnë në procedura dhe jo në përfundime. Një përfundim që mua mund të më duket i drejtë, një tjetri nuk mund ti duket i drejtë, ashtu sikurse një përfundim që zotit Basha mund ti duket i drejtë, zotit Berisha mund ti duket i padrejtë.
Filozofikisht nuk është ky problemi, kur unë them që kur ky vendim nuk është një vendim adekuat për opozitën do të thotë që nuk është i marrë mbi parime demokratike. Nëse unë them tani se urdhëroj të mbyllet xhamia, ose të mbyllet Kisha Katolike, ose Kisha Ortodokse apo stadiumi, ti do thuash që ky nuk është në rregull pasi merr vendime që nuk janë të bazuara asgjëkund. Ne jemi përpara një problemi që na kanë ngritur aleatet tanë gjeostrategjik dhe është një problem i mprehtë.
Nëse grupi parlamentar i PD së do të thoshte se po ne e kuptojmë rëndësinë e këtij vendimi dhe zoti Berisha duhet të qëndrojë jashtë grupit parlamentar për një kohë të caktuar, atëherë ky vendim është i drejtë”, tha Fuga.