MENU
klinika

Janar-korrik, 23 milionë dollarë nga dëmet e paguara

Aksidentet në verë, dëmshpërblimet rriten me 44%!

05.09.2021 - 13:14

Numri i lartë i aksidenteve të shënuara përgjatë këtij viti është reflektuar edhe në treguesit e kompanive të sigurimit duke rritur ndjeshëm totalin e dëmshpërblimeve të paguara nga kompanitë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se gjatë periudhës janar-korrik 2021, dëmet e paguara bruto në portofolin e sigurimit motorik kapën vlerën 2,3 miliardë lekëve, afërisht 23 milionë dollarë, duke pësuar një rritje me rreth 44.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshimi shumë i madh i pagesave lidhet dhe me kufizimet e forta me të cilat u përball lëvizja e automjeteve përgjatë vitit 2020 për shkak të Pandemisë Covid -19.

Ndërkaq rritje duket se ka shënuar vetëm segmenti i sigurimeve motorike, duke parë se totali i dëmeve të paguara nga kompanitë është në rënie krahasuar me një vit më parë. AMF raporton se pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-korrik 2021 u ulën me 6.99% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 56.21% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Sa për tregun në total, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2021 kapën vlerën 10,9 miliardë lekë, ose 18.62% më shumë se në periudhën janar-korrik 2020. Gjatë periudhës janar-korrik 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 601,474 me një rritje prej 14.71% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.54 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.99% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.01% të totalit të tregut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ligji i ri për sigurimet e detyrueshme motorike

Përgjegjësi më të larta për siguruesit, bonus-malus me dëshirë