MENU
klinika

Vrasja e vëllezërve Bilali

Avokati i Stojkut: Nuk ka asnjë provë ndaj të pandehurit

15.09.2021 - 13:03

Avokati i Arsen Stojkut, Artan Gjuzi, duke folur sot për vrasjen e vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali, në Shkodër, është shprehur se klienti i tij po mbahet padrejtësisht në qeli dhe seanca e sotme dështoi për shkak të lajmërimeve të të pandehurit dhe mospjesëmarrjes së dëshmitarëve.

Avokati thotë se ndaj të pandehurit të tij nuk ka asnjë provë dhe po mbahet kot në qelitë e paraburgimit. Ai thotë se i kanë kërkuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ndihmë duke bërë ankesa të njëpasnjëshme në Ministrinë e Drejtësisë, që t’i sigurojë një nga punonjësit e tyre për të ardhur dhe për të ndjekur proceset gjyqësore.

Ai thotë se proceset gjyqësore në lidhje me këtë ngjarje janë të manipuluara sepse asnjë provë nuk është kundër Arsen Stojkut.

“Sot ishte përcaktuar seanca për Arsen Stojkun i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Bilali edhe pse nuk ka asnjë provë ndaj tij. Edhe kjo seancë dështoi për shkak të lajmërimeve të të pandehurit dhe mospjesëmarrjes së dëshmitarëve. Është e disata herë që dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës, dëshmitarë këto të cilët akuza ka formuar edhe dosjen e saj që është fare nul dhe pa prova. Dëshmitarët nuk paraqiten në seancën e radhës dhe nuk e di se si do vazhdojë kjo punë kështu pa asnjë akuzë, asnjë provë ndaj të pandehurit i cili këtu e 30 muaj mbahet kot në qelitë e paraburgimit. Ne i kemi kërkuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ndihmë duke bërë ankesa të njëpasnjëshme në Ministrinë e Drejtësisë për të na siguruar një nga punonjësit e tyre për të ardhur dhe për të ndjekur proceset gjyqësore të cilat për ne janë të manipuluara sepse asnjë provë nuk është kundër Arsen Stojkut, qoftë edhe një provë e vetme”, tha avokati.