Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar sot në dalje të Kuvendit deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat.
Basha u shpreh se dhimbja për vendimin i është dyfishuar për shkak të gjuhës së përdorur nga Berisha.
“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndjej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që u detyrova të marr dje është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga z. Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë, dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve”, tha Basha.
I pyetur nga gazetarët nëse ka një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama, kryedemokrati Basha tha: “Edhe një herë shpreh keqardhjen më të thellë që tezat e kundërshtarit tim të vetëm, të PD-së dhe të çdo shqiptari të ndershëm, Edi Ramës, i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje dhe e përsëris edhe sot“.