MENU
klinika

''Përkthimi më i mirë''

Berati nderon Visar Zhitin

19.09.2021 - 16:05

        Shkrimtari dhe poeti, vlerësohet me Çmimin e Parë Letrar Kombëtar “Vexhi Buharaja 2021”.

Dorëzimi i çmimit u organizua në ambientet e bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qyetit, me pjesëmarrjen e miqve, shkrimtarëve, artistëve, lexuesve, përfaqësuesve të bashkisë Berat dhe të afërmve të shkrimtarit. Visar Zhiti, shkrimtari i përndjekur në periudhën e regjimit komunist e rrëmbeu çmimin e parë, për përkthimin më të mirë. Takimi për dorëzimin e çmimit është organizuar në formën e diskutimeve vlerësuese për veprat dhe poezinë e shkrimtarit.


Pedagogu Namir Lapardhaja ka theksuar në fjalën e tij se, e gjithë krijimtaria poetike e Zhitit është një përpjekje e vazhdueshme për të dëshmuar dhe për të qëndruar “njeri” në një kohë aspak njerëzore.

“Diktatura, edhe pse synonte ta tjetërsonte shpirtërisht njeriun,ishte e paaftë për ta realizuar një gjë të tillë tek Visari. Ai u keqëtrajtua fizikisht, por shpirti i tij mbeti i paprekur, ashtu siç i ngeli edhe mendja e kthjellët. Nuk ishte e lehtë të dilje i freskët mendërisht nga muret e errëta të minierave, nga ngricat e qelive apo dhuna psikologjike e birucave dhe në këtë kuptim sfida e poetit ishte e dyfishtë pasi ai ishte i aftë që mirazhet ti kthente në vargje. Poezia u bë shkak për dënimin e tij fizik, por njëkohësisht ishte edhe shpëtimi i shpirtit të tij. Visar Zhiti hyn tek ata që hakmarrjen e zgjidhin duke shkruar dhe duke dëshmuar”- ka thënë Lapardhaja.

Studiuesi dhe shkrimtari beratas Yzedin Hima, ka theksuar se, edhe në çastet më të vështira, por edhe në çastet më të mira, Visar Zhitin e gjen në strehëzën e tij të ngrohtë, që është gjuha. Në tekstet poetike të Visar Zhitit, – ka pohuar Hima, – figura e femrës ishte si ai ylli polar, që e udhëhoqi drejt lirisë, përmes vuajtjeve mbinjerëzore të burgut.

Pas dorëzimit të çmimit të parë “Vexhi Buharaja”, shkrimtari Visar Zhiti ka falënderuar bashkinë e Beratit, për vlerësimin, duke theksuar se, Berati është një metropol i historisë dhe shpirtit të kombit. Duke folur për Beratin dhe historinë e tij, Zhiti është ndalur në përpjekjet e banorëve të këtij qyteti për të ruajtur ndër shekuj vlerat kulturore, siç ishin Kodikët dhe në sakrificat e beratasve gjatë strehimit të hebrenjve në Shqipëri.

Visar Zhiti lindi në Durrës, në 2 dhjetor 1952. Pas përfundimit të studimeve të larta pedagogjike në Shkodër, ai u emërua mësues në Kukës. Në 1973 përgatiti për përmbledhje poetike me titull “Rapsodia e jetës së trëdafilave”, por kjo përmbledhje u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike që nxinte realitetin socialist dhe për këtë arsye ai u arrestua në vitin 1979 dhe u dënua me 13 vjet burgim, që fillimisht i kreu në burgun e Tiranës e më vonë, u transferua në burgun famëkeq të Spaçit.

Visar Zhiti u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali, ku punoi në Milano deri në vitin 1992 dhe më pas, u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kthimit të tij në Shqipëri, Zhiti punoi si gazetar, më pas në shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar, në vitin 1996 u zgjodh deputet dhe në vitin 1997-ën u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri më 1999.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit