MENU
klinika

Albanologjia

Biblioteka Kombëtare dita kushtuar Ippenit

16.09.2021 - 12:55

          E mërkura, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë ishte dita kushtuar kontributit të jashtëzakonshëm dhe personalitetit shkencor të albanologut austro-hungarez, Theodor Ippen, në kuadër të 160-vjetorit të lindjes, përmes ekspozitës së titulluar “Theodor Ippen (1861-1935)”.

Biblioteka Kombëtare sjell përmes kësaj ekspozite, si thesare të vyera të studimeve albanologjike, botimet shkencore, si: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899); “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900); “Shcypnia : t’gnoftmé dhéshkrimtaré: t’shtumuna e t’nnrécuna” (1902);“Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907); “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907); “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908); “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916); “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927); “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shek. XlX” (1939); “Shqipëria e vjetër : studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) etj. Theodor Anton Ippen lindi më 1861, në krahinën e Bohemisë, asokohe pjesë e perandorisë austro-hungareze.

Pasi kreu studimet e mesme në Pragë, u regjistrua në Akademinë Orientaliste të Vjenës, ku u diplomua më 1884. Po në këtë vit emërohet në konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër.

Ippen ka qenë për shtatë vjet me radhë, konsull i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër (1897-1904) dhe është autor i një radhë studimesh e librash për historinë, etnografinë, arkeologjinë dhe shoqërinë shqiptare.

Vepra e tij shkencore është përqendruar thuajse e tëra mbi Shqipërinë.

Studimet e Theodor Ippenit kanë hedhur dritë në shumë aspekte të jetës fisnore të Shqipërisë së Veriut, të historisë së Lidhjes së Prizrenit etj., duke hyrë kështu në radhën e shkëlqyer të albanologëve austro-hungarezë, që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në sallën shkencore të bibliotekës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN