MENU
klinika

“I vdekur” në Pukë, kaloi verën në Vlorë

Davide Pecorelli gënjeu/ Kush ishte bashkëpunëtori?

23.09.2021 - 10:39

Kushdo që ka kaluar pushimet gjatë javës së parë të gushtit në zonën e Radhimës pranë bregdetit të Vlorës nuk mund të linte pa pikasur një shtetas italian, i cili diskutonte vazhdimisht me zë të lartë pranë bregut të detit me vlonjatë që dinin italisht.

Temat ishin nga më të ndryshmet, veçanërisht ato për emigrantët. Krejtësisht i çlirët mes pushuesve të shumtë, ai të linte përshtypjen e një italiani “normal” që kishte zgjedhur brigjet këtej Adriatikut për të kaluar pushimet, ndërsa bashkëbiseduesve u kishte thënë se quhej Cristiano. Askush nuk e mendonte në fakt se bëhet fjalë për Davide Pecorelli-n, i dyshuar si i vdekur në Pukë, rreth 8 muaj më parë. Përpos deklaratave kontradiktore që ka dhënë para hetuesve italianë, Pecorelli në fakt ka jetuar për disa muaj në Shqipëri edhe pse ai dyshohej si i vrarë në Pukë.

Italiani ka kaluar muajt e verës në qytetin e Vlorës, duke bërë plazh në zona të tilla si në Radhimë dhe në zona të tjera të bregdetit. Pasi në mediat italiane doli që ai ishte gjallë, rezulton se gjatë qëndrimit në Vlorë, Pecorelli ka banuar me qira në lagjen “Pavarësia” të qytetit. Ai kishte bërë ndryshime të pakta në pamje, duke lyer flokët dhe në këtë mënyrë askush nuk e ka njohur atë, pavarësisht se fotoja e tij ishte përhapur gjerësisht në mediat shqiptare në periudhën kur u “zhduk” papritur në zonën e qetë të Pukës. Në Vlorë ai u kishte deklaruar personave që kishte njohur se ishte shkrimtar dhe se quhej Cristiano.

I qeshur dhe i gatshëm për të biseduar me çdokënd, biznesmeni kishte krijuar gjatë muajve të qëndrimit në Vlorë miqësi të shumta, përfshirë edhe një ish-futbollist. Binte në sy fakti që ai ishte i “vetëm” në bregun e detit dhe bisedonte me çdokënd që i krijonte mundësi. Mësohet se biznesmeni ka qëndruar në Vlorë deri në fund të gushtit, duke u larguar më pas drejt Italisë. Ai u kishte thënë “miqve të rinj” se do të rregullonte disa dokumente dhe do të kthehej. Tani, pasi u zbulua në shtetin italian, Pecorelli rezulton se ka gënjyer çdokënd që ka takuar, por jo për shumë kohë.

ME KË BASHKËPUNOI?

Nga Medjugorje në ishullin Montecristo, duke prekur Romën dhe ishullin Giglio. E vërteta që Davide Pecorelli i tha Prokurorit të Përgjithshëm Raffaele Cantone dhe zëvendësit Giuseppe Petrazzini, i cili koordinon hetimet, tejkalon çdo fantazi. Ajo që del në pah është portreti i një njeriu të dëshpëruar në kërkim të një zgjidhjeje për krizën serioze të qendrave të tij të bukurisë. Qëndroi për lutje dhe meditim në një manastir në Bosnjë dhe Hercegovinë. Së fundi, në mënyrë naive duke kërkuar për thesar në Montecristo, i denjë vetëm si personazh legjendash në romanin e Aleksandër Dymës.

“Il messaggero” shkruan se më 3 janar ish-gjyqtari i futbollit mbërrin në aeroportin e Rinasit duke marrë me qira një makinë “Skoda Fabia” me të cilën ai lëviz ndoshta për të gjetur partnere, ndoshta për të shitur një makinë të shtrenjtë. Ai ka disa kontakte që nuk kanë efekt. Më 8 janar makina e shkatërruar nga flakët gjendet në një rrugë malore. Në kabinë mbetjet njerëzore, sendet personale dhe telefoni celular çuditërisht i paprekur. Ai foli për “detaje tragjike” kur u largua nga zyra e prokurorit në Perugia të hënën pasdite.

Megjithatë, menjëherë i drejtohet “planit B” dhe sot prokurorët e Pukës e akuzojnë atë për “Shkatërrim të pronës nga zjarri dhe dëmtim të varreve”. Akuzën e fundit Pecorelli e mohon. Ai e quajti veten Francesco ose Giuseppe dhe i vuri zjarrin “Skoda”-s për të simuluar vdekjen e tij. “Sipas hetuesve, – shpjegon i njëjti burim, – këto eshtra kanë mbetje njerëzore përfshirë kafkën dhe dyshohet se ato janë marrë duke nxjerrë një kufomë”. “Il messaggero” shkruan se vepra “është kryer në bashkëpunim”. Kush është bashkëpunëtori i Pecorelli-t?

Dyshohet për vrasës me pagesë. Lihen të lirë 23 të shoqëruar

Shpallen në kërkim 2 persona për ekzekutimin e Demir Backës

23 vite më parë i vranë motrën dhe bashkëshortin e saj

Ekzekutimi i biznesmenit në Fier/ Dyshohet për konflikte pronësie

Dështimi i kultivimit të domates

Balla takim me fermerët në Roskovec

U largua pasi përplasi e mori zvarrë viktimën

Arrestohet autori i aksidentit të rëndë në Berat