MENU
klinika

Dëshmia nga SHBA-ja

E vërteta e konfliktit me ”atentatorin e Enverit” më 1975

23.09.2021 - 11:38

         Publikohet historia e panjohur e Tom Mërnaçaj me origjinë nga Selca e Vermoshit dhe i lindur në Tuz të Malit të Zi, ku familja e babait të tij, Gjek Mërnaçaj, ishte vendosur që në vitin 1948, pasi ishin arratisur nga Shqipëria për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili e kishte shpallur familjen e tyre si ‘familje reaksionare’. Dëshmia e rrallë e 68-vjeçarit Tom Mërnaçaj, duke filluar me historinë e familjes së tij antikomuniste, rrethanat e njohjes me Avdul Banushin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ftesën e tij dhe arsyen përse ai pranoi të vinte me mision sekret në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, detyrat konkrete që do kryenin, itinerarin e udhëtimeve të tij me Banushin në shtete të ndryshme të Europës, incidentin me policinë kufitare në Portin e Dubrovnikut, ku atyre i’u sekuestruan materialin propagandistik të organizatës ‘Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare’, udhëtimin për në Greqi dhe qëndrimin e tyre në Igumenicë e Janinë, në vilat luksoze të Nikolla Plasotit dhe Lufter Guvelit, ku Banushi pritej me nderime dhe ishte si njeriu i shtëpisë, dështimin e misionit të parë për të hyrë në Shqipëri, në 28 nëntorin e ’74-ës, kthimin për në SHBA-ve dhe incidentin në tren në Shkup, ku policia jugosllave i’u sekuestroi çantat me armatime, misionin e dytë sekret për të ardhur përsëri në Shqipëri, konfliktin fizik më Banushin, në afërsi të klonit pranë Hanit të Hotit, arrestimin nga rojet kufitare shqiptare dhe dërgimin e tyre në Shkodër e më pas në Tiranë, procesin hetimor, dënimin me burg dhe më pas largimin përsëri nga Shqipëria, e deri tek peripecitë e mëdha duke u endur në shtete të ndryshme të Europës, për të mbërritur përsëri në SHBA, pas asaj aventure të çmendur?!

Nga: Dashnor Kaloçi

“Pasi mua dhe Avdul Banushit, na kishte dështuar një tentativë për të hyrë ilegalisht në Shqipëri në nëntorin e vitit 1974, “shokët atje lart” të organizatës “Front i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare”, vendosën që ne të shkonim përsëri në Shqipëri, në prillin e vitit 1975 dhe unë e pranova një gjë të tillë, duke menduar se ia kisha një borxh për t’ia shlyer atij. Pasi u nisëm me avion nga SHBA, mbërritëm në Greqi, ku dhe u furnizuam me armë nga zoti Lefter Guveli, që ishte mik i ngushtë i Avdul Banushit. Nga Igumenica ku banonte Lefter Guveli, shkuam në Athinë ku morëm trenin dhe vajtëm në Jugosllavi, nga ku më pas udhëtuam për në Podgoricë, atje banonte familja ime, babai, nëna dhe vëllai im. Në mbrëmjen e 6-7 prillit të vitit 1975, pasi fjetëm një natë në shtëpinë time, të nesërmen në mbrëmje vonë, kaluam Tuzin dhe jemi nisur për në drejtim të kufirit shqiptar, rreth dy-tre km. afër tij. Aty unë i thashë babait tim, Gjekës, që të kthehej në shtëpi, pasi pak a shumë unë e njihja vendin, me që aty ishim afër fshatit të dajave të mi, ku unë kisha kaluar fëmijërinë. Pasi u kthye babai, unë së bashku me Avdul Banushin, kemi kaluar kufirin dhe nën zhurmën e telave të tensionit të lartë, jemi ulur poshtë në drejtim të Hanit të Hotit. Pasi ecëm rreth dy-tre km., mbërritëm tek kloni. Kur pashë klonin, katër metra të lartë, harrova krenarinë për të cilën isha nisur dhe mua më hyri frika në palcë. Kuptohet se në atë kohë unë isha njëzet vjeç dhe përveç urrejtjes për komunizmin të trashëguar nga familja, unë nuk kisha asnjë arsye tjetër të futesha në Shqipëri. Aty i thashë Avdulit, që të ktheheshim siç ishim kthyer një vit më parë dhe ta mbanim sekret “hyrjen” dhe “daljen” tonë nga Shqipëria, sa të na kapnin rojet kufitare shqiptare dhe të na vrisnin. Në atë moment, Avdulit, u revoltua dhe më drejtoi grykën e pistoletës. Kur pashë grykën pistoletën të drejtuar nga unë, për një moment shtanga, por e mblodha veten dhe reagova duke…”!

Kështu e kujton në mes të tjerash atë ngjarje të largët dhe aventurën e çmendur të tij, 68-vjeçari Tom Mërnaçaj, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili rrëfen historinë e familjes dhe aventurës së tij të vitit 1975, kur ai u nis bashkë me Avdul Banushin, nga SHBA-ja, për të kaluar kufirin dhe për të hyrë ilegalisht në Shqipëri, me mision sekret, pas detyrës dhe udhëzimeve të rastit, që kishin marrë në komitetin e organizatës “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare” në New York.

Kush është Tom Mërnaçi, cila është e kaluara e familjes së tij dhe përse babai e xhaxhai i tij, u arratisën nga Shqipëria në vitin 1948 dhe u vendosën në Tuz të Malit të Zi? Cilat ishin arsyet e ikjes së tij nga Jugosllavia për në SHBA dhe si u njoh ai me Avdul Banushin? Përse pranoi Toma që të bashkëpunonte me Avdulin dhe cila është historia e udhëtimeve që ata bënë nga SHBA-ja për në Greqi, Itali dhe Jugosllavi? Si është e vërteta e udhëtimit të tyre të fundit në prillin e vitit 1975, kur ata u nisën nga SHBA-së, për të hyrë ilegalisht me mision sekret në Shqipëri. Cili ishte itinerari që përshkuan ata gjatë atij udhëtimi, cilë ishin njerëzit që takuan në Greqi dhe ku u furnizuan me armatimet që do t’iu duheshin me vete kur të hynin në Shqipëri? Cili është vlersimi i Tom Mërnaçajt për Avdul Banushin dhe përse ai vendosi që të prononcohej publikisht, duke dhënë versionet e tij në këtë intervistë, që Memorie.al po e publikon?

Zoti Mërnaçaj, lexuesi shqiptar ju njeh vetëm në saj të një përshkrimi që ju ka bërë Zoti Avdul Banushi, në intervistën e tij, të botuar këto ditë në Memorie.al, a mund të na thoni diçka më tepër për jetën tuaj?

Unë quhem Tom Mërnaçaj dhe kam lindur në vitin 1953 në Tuz të Malit të Zi. Familja ime është me origjinë nga Selca e Vermoshit të rrethit të Shkodrës.

Ju nuk keni lindur në Shqipëri ashtu siç thuhet në intervistën e zotit Avdul Banushi?
Jo, jo, unë kam lindur në Tuz të Malit të Zi?

Kur është vendosur familja juaj në Tuz të Malit të Zi?
Babai im, Gjek Mërnaçaj, së bashku me vëllanë e tij dhe njëkohësisht xhaxhanë tim, Kol Mërnaçajn, në vitin 1948 u arratisën nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë.

Cilat ishin arsyet që i detyruan ata të arratiseshin nga Shqipëria?
Arsyeja kryesore e arratisjes së tyre, ishte përndjekja nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili familjen tonë e kishte shpallur familje reaksionare dhe e kishte luftuar, në mënyrën më të ashpër, si familje antikomuniste. Nisur nga ky fakt, babai me xhaxhanë, vendosën të arratiseshin nga Shqipëria, sepse po të vazhdonin të qëndronin akoma në vendlindje, atyre u rrezikohej jeta seriozisht.

Ku ka banuar familja juaj gjatë periudhës që keni jetuar në Jugosllavi?
Familja e babait tim dhe unë bashkë me ta, gjatë periudhës që kemi jetuar në Jugosllavi, kemi banuar në Tuz, Podgoricë dhe në Ulqin?

Gjatë asaj kohe me çfarë jeni marrë?
Gjatë periudhës që ne kemi banuar në Tuz, unë kam qenë në moshën e fëmijërisë dhe në atë kohë kam mësuar në mënyrë autodidakte të shkruaj dhe të lexoj në gjuhën shqipe. Më pas, munda të regjistrohesha në shkollën e mesme të Ndërtimit në Ulqin, të cilën e përfundova në vitin 1972.

Ju keni qenë i martuar që gjatë kohës që jetonit në Jugosllavi ashtu siç thotë zoti Avdul Banushi?
Pas mbarimit të shkollës së mesme, në tetorin e vitit 1972, unë jam martuar në Tuz me bashkëshorten time, që kam edhe sot. Në marsin e vitit 1973, së bashku me të, kemi ikur në Itali, ku na ka lindur dhe djali në Romë. Më pas, në dhjetorin e vitit 1973, ne kemi ardhur si refugjatë në SHBA.

Cilat ishin arsyet që u detyruan të iknit nga Jugosllavia?
Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të Jugosllavisë nga krahina e Trieshit, edhe ne emigruam për në drejtim të SHBA-ve për një jetë më të mirë.

A kishit lidhje me Kadri Hazbiun apo Sigurimin e Shtetit Shqiptar dhe a ju kanë ndihmuar ata për t’u larguar nga Jugosllavia për në Itali dhe SHBA-ve?
Në mënyrë absolute jo, sepse unë nuk kam jetuar asnjëherë në Shqipëri.

Kur dhe si u njohët me Avdul Banushin në SHBA dhe kush iu prezantoi me të?
Në verën e vitit 1974, nëpërmjet disa shokëve të mi në SHBA-ve, jam njohur me zotin Avdul Banushi.

Si quhen ata shokë që të njohën me Avdul Banushin?
Mendoj se nuk kanë ndonjë rëndësi emrat e atyre shokëve të mi që më prezantuan me Avdul Banushin, pasi edhe po t’ua them, nuk përbën ndonjë gjë të re, sepse ata nuk janë njerëz publik.

Si jua prezantuan ata Avdul Banushin dhe çfarë i’u thanë për të?
Që në takimin e pare, shokët e mi ma prezantuan Avdul Banushin, si një antikomunist të flaktë dhe luftëtar kundër regjimit të Enver Hoxhës. Në takimet e tjera, mësova dhe për bëmat e tij, si p.sh.: bombat që ai i kishte vënë në ambasadat shqiptare në Paris dhe në Romë.

Përveç atyre që u thanë shokët për Avdul Banushin, a mund të na thoni përshtypjet tuaja, si e keni njohur atë dhe ç’dini rreth personit të tij?
Zoti Avdul Banushi ishte një njeri shumë inteligjent, trim dhe dukej si patriot i flaktë. Për sa i përket të kaluarës së tij, asokohe unë nuk dija ndonjë gjë më shumë dhe nuk kisha informacione, pasi ai ishte shumë i rezervuar në hollësirat e jetës së tij.

Asgjë nuk dije për Banushin?
Unë dija që Avduli kishte bërë burg politik në Shqipëri dhe se ishte arratisur në Greqi, prej ku kishte ardhur në SHBA. Këto dija unë për Banushin, pastaj kur u njoha me të, mësova prej tij se ia kishte kushtuar jetën luftës kundër regjimit stalinist të Tiranës dhe ishte një nga personat, që kishin krijuar organizatën antikomuniste “Fronti i Rezistencës Antikomuniste. Sipas Avdul Banushit, Organizata “Fronti i Rezistencës” shtrihej jo vetëm në mesin e emigrantëve politikë shqiptarë në Botë, por edhe në Shqipëri. Ishte një gjë shumë e mahnitshme në atë kohë, kur dëgjonim ato që na thoshte Avduli, sepse lëvizja antikomuniste asokohe pothuaj ishte vyshkur fare dhe lajmet që vinin nga Shqipëria, ishin shumë të rralla. Zoti Banushi na fliste me hollësira për udhëtimet e tij sekrete në Shqipëri dhe unë me shokët e tjerë e dëgjonim me kureshtje e admirim dhe e besonim për ato që na thoshte./Memorie.al/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zbardhet dëshmia e prokurorit Ndoja

“Nuk jam unë shënjestra e atentatit”