Pas një viti e gjysmë mësim të cunguar, të ndarë midis shtëpisë dhe shkollës, me masa mbrojtëse dhe orë të shkurtuara, edhe nëse vaksinohet i gjithë personeli pedagogjik, shkollat nuk mund të zhvillojnë mësim normalisht.
Ajo çfarë do të ndodhë edhe këtë vit s’është veçse përshtatja me “normalitetin e ri”. Procesi i vaksinimit në njërën anë dhe presioni i prindërve dhe mësuesve nuk mjaftojnë që shkollat të hapen njësoj si dy vite më parë, kur pandemia as artikulohej.
TURNET
Pavarësisht lajmeve për një vit normal mësimor, është protokolli i masave nga Instituti i Shëndetit publik që vë kufij, duke pamundësuar mësimin në kushte normale. Pra, nëse dje, në një hapësirë prej 40 metrash katrorë mësonin 30 nxënës, në kushte pandemie nuk u ulën më shumë se 15. Në skenarin më të mirë të pandemisë, atë të parin, do të jetë sërish ky numër nxënësish që do të zhvillojnë mësim, qoftë edhe me orë të plota 45- minutëshe. Pra, shkollat që ishin më një turn dikur, post pandemisë u bënë me dy, ndërsa ato me dy turne u kthyen në katër a më shumë, me qëllim për të ruajtur distancën në orë 30-minutëshe.
Për të mos përmendur ditët e ftohta, që jo rrallë, për mungesë ngrohjeje dhe ndriçimi, i reduktonin edhe më orët e mësimit (20 minuta). Shpesh, koha për të shkuar në shkollë ia kalonte përqendrimit atje. Kështu, përpos çdo aludimi për një vit normal, vaksinimi i mësuesve, në thelb nuk priret të ndryshojë asgjë. Një gjë të tillë e pohojnë edhe burime të gazetës brenda Ministrisë së Arsimit. Mësimi do të zhvillohet nën diktatin e pandemisë dhe mësues, prindër e nxënës duhet të mësohen me këtë fakt.
Drejtoritë e shkollave kanë krijuar tashmë grafikët e rinj për hyrje-daljet nga shkolla, duke caktuar edhe personelin ndihmës që do të monitorojë procesin, sipas kushteve në protokollin e masave të ISHPsë. Teksa Ministria e Shëndetësisë e ka bërë punën e saj duke paracaktuar mënyrën se si do të ulen e qarkullojnë mësues e nxënës në klasa përgjatë mësimit plotësues, dikasteri i Arsimit nuk ka publikuar ende udhëzimin për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi.
PROTOKOLLI
Ndonëse të vaksinuar, përveç nxënësve, edhe mësuesit do të jenë të kushtëzuar. Gjatë orës së mësimit, duhet të respektojë distancimin social, të mbajë maskë dhe ashtu si vitin e kaluar të deklarojnë përpara se të vënë këmbën në shkollë nëse vetë ai/ajo si edhe pjesëtarët e familjes gëzojnë shëndet të plotë. Nëse jo, zbatohet karantina.
Deri tani, një përqindje e konsiderueshme mësuesish nuk i janë përgjigjur vullnetarisht thirrjes për vaksinim dhe kanë afat deri në fundin e muajit. Ose më saktë, një javë. Protokolli e kërkon që pa dorëzuar dokumentin e vaksinimit nuk mund të futen në klasë. Nga ana tjetër, nxënësit e arsimit të mesëm të ulët, ose klasa 5-9, duhet me patjetër të mbajnë maskë, ndërsa më të vegjlit rekomandohet ta kenë me vete.
Dezinfektuesi gjithashtu nuk duhet të mungojë në çantë bashkë me librat, ndërsa çdo ditë do t’u matet temperatura në hyrje të shkollës. Jashtë oborrit nuk mund t’i rezistojnë tundimit për t’u takuar e përqafuar me bashkëmoshatarët e tyre, por brenda klasës kurrsesi. Bankat do të jenë 1.5 metra larg njëra-tjetrës dhe me vetëm një të ulur në secilën. “Në klasat kur kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera”, dikton protokolli, duke konfirmuar atë që thuhet në krye të herës, mësimin me turne, pasi asnjë shkollë (përveç atyre të bashkuara në zonat rurale) nuk ka klasa të supermëdha apo kapacitete për të pranuar të gjithë nxënësit njëkohësisht.
SKENARËT
Për të kuptuar se çfarë do të bëhet këtë vit duhet t’i kthehemi udhëzuesit të vjetër me skenarët e mësimdhënies. Varianti i parë, apo ai që cilësohet sot për sot si mësimi normal, parashikon prezencën fizike të nxënësve në klasa kundrejt masave. varianti i dytë, i paralajmëruar nga një valë COVID-19 më e rënduar se tanimë (përcakton Komiteti i Ekspertëve) i ndan nxënësit një javë po e një javë jo në klasa. I treti është i gjithi online. Vitin e kaluar, kur agresiviteti i virusit ishte në kulmin e tij me dhjetëra fatalitete e mijëra raste të reja çdo ditë, dhjetë bashki me risk të lartë mbyllën shkollat, duke kaluar në skenarin e tretë. Viti shkollor nisi sipas skenarit të parë, ndërsa i gjithë viti thuajse u alternua midis mësimit fizik dhe atij online.