Dy dokumentarë të rinj i shtohen sakaq, sagës që vazhdon: ”Salvator Mundi”, të Leonardo da Vinçit – në një moment kur historitë e vërteta të krimit të artit shënojnë kulmin, raporton BBC.
Diku në Arabinë Saudite, e fshehur me urdhër të Princit të Kurorës Mohammad bin Salman, gjendet piktura më e shtrenjtë në botë, ”Salvator Mundi” e Leonardo da Vinçit.
Apo nuk është?
Askush në botën e artit, nuk e di me siguri, se ku është piktura.
Shumica e vëzhguesve pajtohen se, me gjasë është e fshehur në Lindjen e Mesme, ashtu siç një pjesë besojnë se ajo ruhet në një zonë pa taksa, në Gjenevë, apo edhe në jahtin gjysmë miliardi dollarësh të Princit.
Në pikturë shihet imazhi i Krishtit, si Shpëtimtari i Botës – piktura që në ankandin e ”Christie’s 2017”, u shit për shifrën rekord prej 450 milion dollarësh, nga një përfaqësues i bin Salmanit. Por edhe atëherë, shumë ekspertë të Da Vinçit, kishin ende dyshime se piktura kishte diçka më shumë se disa goditje me furçë prej tij, dyshime që kanë ardhur duke u shtuar prej asaj kohe.
Vepra, e mbuluar me shtresa misteri dhe intrigash ndërkombëtare, që paraqet historinë e ‘Salvator Mundit’ është një sagë e vazhdueshme, magjepsëse, e treguar në dy dokumentarët e rinj: ”Leonardo i humbur” dhe ”Shpëtimtari për shitje: Kryevepra e humbur e Da Vinçit”.
”Salvator Mundi”, që daton prej vitit 1500, humbi gjurmët për më shumë se 200 vjet, u dëmtua dhe u restaurua keq, u shit dhe u rishit si një vepër e vogël. Por, tanimë piktura e njohur është bërë posteri i përzierjes së paqëndrueshme të parave, fuqisë dhe gjeopolitikës që, sot, përcakton botën e artit.